Zejnulla Qatani, i cili po dëshmon në rastin gjyqësor të Remzi Shalës, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) për krime lufte ndaj popullsisë civile, të premten, ka thënë se të akuzuarin Shala nuk e ka takuar asnjëherë gjatë luftës, megjithëse kishte dëgjuar për të.
Dëshmitari ka thënë se gjatë luftës ka dëgjuar për një person me nofkën “Molla e kuqe”, por se vetëm pas luftës ka kuptuar se ai person është Remzi Shala, ndërsa sipas tij, si figurë e ka parë vetëm gjatë këtij procesi gjyqësor, në sallën e gjykimit.
Dëshmitari Qatani në një moment ka treguar se si një herë kishte ndihmuar një person me thes në kokë për të marrë frymë. Ai ka thënë se ai person ka kërkuar ndihmë për të marrë frymë, pasi që thesi ishte i lidhur rreth qafës, andaj ai e kishte liruar thesin sa për të marrë frymë personi, për të cilin ka thënë se në bazë të zërit ka kuptuar se bëhej fjalë për Shaban Lubovcin, nga fshati Grejqevc.
Sipas dëshmitarit, kur e ka parë një person me emrin “Plaki” veprimin e tij në ndihmë të personit me thes në kokë, i kishte thënë se i vinte keq se përndryshe do ta vriste dhe menjëherë e kishte urdhëruar të largohej nga aty dhe të mos i dilte sërish përpara.
Në pyetjen e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Asdren Hoxha, nëse ky personi me nofkën “Plaki” është Ferat Shala nga fshati Gucat, dëshmitari Qatani është përgjigjur “Po”.
Avokati Asdren Hoxha, ka kërkuar që seanca të ndërpritej sepse duhej ta përfaqësonte një rast në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe se rasti kishte të bënte me caktimin e masës së paraburgimit, e për të cilin veprim ka afat ligjor.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Raime Elezi, ka pranuar kërkesën e avokatit Hoxha dhe shqyrtimin e ka shtyrë për 25, 26 dhe 27 tetor 2017, duke filluar nga ora 09:00, në të cilat seanca do të vazhdojë dëshminë Zejnulla Qatani dhe do të dëgjohen dëshmitarët tjerë të propozuar nga organi i akuzës.
Me këtë vendim nuk janë ndarë të kënaqur as pala e dëmtuar Agron Përteshi, djali i viktimës, Haxhi Përteshi, e po ashtu ka shprehur pakënaqësi edhe i akuzuari Shala, i cili ka thënë se rasti po zgjatet shumë.
Remzi Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, Haxhi Përteshin.
Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.
Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël.