21.6 C
Prizren
E enjte, 15 Maj, 2025

Florim Krasniqi dëshmon në rastin e kryetarit të Dragasht

Zyrtari i Drejtorisë së Urbanizmit, në Komunën e Dragashit, Florim Krasniqi, të enjten, në cilësinë e dëshmitarit, ka thënë se gjithmonë lejet e ndërtimit i nënshkruan drejtori i Urbanizmit, por në mungesë të tij, një herë ia ka dërguar kryetarit të komunës, Salim Jenuzi.

Dëshmitari Krasniqi, ka dëshmuar në rastin penal ndaj kryetarit të Komunës së Dragashit, Salim Jenuzit, drejtorit të urbanizmit të kësaj komune, Bean Haxhihasani, inspektorit të ndërtimit Vetim Hasani, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe qytetarit Nexhat Selaj, për uzurpim.

Ky dëshmitar, para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prizren, ka thënë se  ka qenë afati i fundit kohor brenda të cilit kanë qenë të detyruar që t’i përgjigjen kërkesës së palës kërkuese, andaj edhe ia ka dërguar kryetarit Jenuzi për të nënshkruar lejen.

Përndryshe, ai ka thënë se kjo ka qenë hera e parë që kryetari ka nënshkruar një leje ndërtimi dhe se për një fakt të tillë ka qenë i njoftuar edhe drejtori Bean Haxhihasani.

Pas përfundimit të dëshmisë së këtij zyrtari komunal, prokurori i rastit, Genc Nixha, ka kërkuar kohë që të përgatisë fjalën përfundimtare, të cilës kërkesë i janë bashkangjitur edhe të akuzuarit.

Për më tepër, Bean Haxhihasani, ka kërkuar që seanca e radhës të caktohet në një afat më të gjatë, sepse ai është kandidat për asamble komunale dhe se për shkak të angazhimeve zgjedhore nuk mund të përgatisë fjalën e tij përfundimtare.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 16 nëntor 2017, me fillim në ora 13:30.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzon  Salim Jenizin, se duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.

Po ashtu, Bean Haxhihasani, akuzohet se në cilësinë e drejtorit të urbanizmit në Komunën e Dragashit, ka lëshuar vendim me të cilin i është lejuar Nexhat Selajt, që të ndërtojë objektin afarist në pronë komunale.

I akuzuari tjetër, Vetim Hasani, akuzohet se duke qenë inspektor i ndërtimit në Komunën e Dragashit, nuk ka vepruar për të ndërprerë ndërtimin e objektit afarist të Nexhat Selajt, me material të përhershëm.

Ndërsa Nexhat Selaj akuzohet se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm.

I akuzuari Salim Jenuzi është kryetar i Komunës së Dragashit, por i njëjti nuk ka rikandiduar për zgjedhjet lokale që mbahen më 22 tetor 2017.

I akuzuari Bean Haxhihasani është kandidat i partisë “Koalicija Vakat” në zgjedhjet e 22 tetorit,  për asamble komunale të Komunës së Dragashit.

Më Shumë

Mallorca e di se ëndrra për Europë do të shuhet nëse nuk fiton sonte – rikthehet titullar Vedat Muriqi

Mallorca e ka të qartë se ëndrra për të rikthyer futbollin europian pas 22 vitesh do të shuhet, nëse nuk arrijnë të ndalin urgjentisht...

Rregullorja për varrezat në Landovicë synon zgjidhje afatgjate dhe gjithëpërfshirëse për Prizrenin

Projekt Rregullorja për Varrim dhe Mirëmbajtjen e Varrezave të Reja të Prizrenit në Landovicë pritet që gjatë këtij muaji të shqyrtohet në Kuvendin e...

Lajmet e Fundit