Një figurë Ballkanike, e poezizë së një fryme diapazonale është ajo e personalitetit letrar të Mirosllav Kërlezhës. Vështirë të ndeshësh dikë në kulturat fqinje, që të mos e njohë emrin e tij e të mos jetë prekur nga vargjet- akuarel të këtij autori. Bir i gjuhës kroate dhe i melankolisë europiane, Kërlezha i takon akuarelit klasik të fjalës prej ndjenjave.
Nga Doc. Mimoza Ahmeti
Një figurë Ballkanike, e poezizë së një fryme diapazonale është ajo e personalitetit letrar të Mirosllav Kërlezhës. Vështirë të ndeshësh dikë në kulturat fqinje, që të mos e njohë emrin e tij e të mos jetë prekur nga vargjet- akuarel të këtij autori. Bir i gjuhës kroate dhe i melankolisë europiane, Kërlezha i takon akuarelit klasik të fjalës prej ndjenjave.
Piktura e fjalës dallon nga përdorimi i saj duke përthithur gjithë ndijimet e tablonizuar ato, me një përsosmëri të pahumbshme detajesh, drejt hapjes në figurime impresive.
Historia e jetës së këtij autori është komplekse, por kjo vetëm i ka shtuar humusin krijimit. Dashamirës i popullit tonë dhe së drejtës së tij, jo prej ndonjë arsyeje të veçante asaj të ndjeshmërisë humane, Kërlezha njihet si mbrojtësi i shqiptarëve kundrejt keqinterpretimeve të identitetit të tyre dhe refuzimit të së drejtës së lirisë.
Megjthatë, në vendin tonë, ky autor, i cili i takon fillimeve dhe mesit të shekullit të kaluar, hyri në gjuhën shqipe vetëm pas viteve nëntëdhjetë, nga përkthyesi historian Ismail Ahmeti.
Bashkë me gjuhën që Kërlezha përdor, derdhet gjerësia e perceptimeve të ngopura, me linja të shumta, oja e ornamente të pafundme autentike krahinore që shoqërojnë poetimin, duke përzier peizashe, sende, dhe marrëdhënie në një atmosferë ku gravohet epoka në mënyrë eternale. Përmbledhja ndahet në disa kapituj.
“Gostia e iluzioneve”, njëri nga kapitujt, është i mbushur plot imazhe gruaje:
Natë në qershor
I bardhë është shatati i gruas, si mermer i statujave antike,
si raketa bleroshe bien prej saj xixëllonja, fosforike,
rrathët e verdhë të kemit fluturojnë, kapërthuren,
e shtati i gruas është i bardhë, si mermeri i statujave antike.
Njeriu qëndron i zbehtë, i pikëlluar
Dhe mendimi i tij i shkretë e i vetmuar
dremit në gardh të sëmurë…
e nëpër rrudhat e ballit i rrjedh djersë e valë.
…
“Grisje e velit. E njëjta gjë gjithmonë…
E gruaja është e shenjtë, Gruaja është e bardhë,
E fshehta e saj është gjithçka për ne.
Tani centaurët e ndritshëm po hingëllijnë në shpirtin tim,
Dhe ballin fort ma godasin me thundra metalike,
“Grua, veli yt qoftë fashë e plagës sime”!
?asti i kuq
O mjegull e ngrohtë femërore ku qan arsyeja,
Dëgjoma këngën time të urtësisë së trishtuar:
Pasioni digjet në ekstazë, përvëlon, pastaj shuhet
Lulja shpërthen, ermon e venitet,
Bëhet pemë, kundërmon e pjekur, kalbet.
Kush mund të thotë në gjirin e saj të ngrohtë
Nëse është mirë kështu, apo nuk është…
Kalimtare dhe të qarta janë
ato gënjeshtra…
Ende pasioni përvëlon e shuhet,
kalon…
Pezazhet shpirtërore të Kërlezhës mpleksur me ato natyrore pikturojnë shpirtin midis modernes dhe klasikes. Perceptimet asnjëherë nuk mungojnë, edhe në përgjithësimet më të gjera, dhe gjenia e këtij autori qëndron pikërisht në përdorimin e shqisës si ndërmjetësim i poetikes.
Pasdite e mjegulluar
Djelli sot është i brengosur, i mjerë, i hapërdarë-
Kafkallë e ndryshkur bakri në skuta rreckash mavi,
Oh, sot të gjithë Pegasët i tërheqin flatrat në mjegull e lerë.
Të gjitha hijet shkasin si varka të bardha, e në liman
të trishta lundrojnë, me vela nderë…
Lodhja përpin dorën, hapat nuk kumbojnë më si dikur.
Dielli sot i brengosur, një memec i gjorë,
Zërat e rrugës dridhen në odë, pastaj shuhen qetë-
Shpirti një arkë e errët, ku vdekja
mih labirintin e vet…
Madhështia e majit
Si shandan flokëshumë digjet brerorja diellore
në madhështinë e kubesë së qiellit të kaltër,
përmbi fushë gëlojnë larat violane të muzikës së hareshme
Të gjitha forcat pranverore sot Pashkët festojnë…
Si pegasë kaltërorë retë fluturojnë nëpër qiell,
Vargjet e mia si kalorës të argjendë kërcënojnë
e me shtizë metalike në telin e shpirtit tim prekin, më shkundin.
Unë iki sot nga errësirat e mia të kobshme,
dhe si fëmijë fsheh kokën në loçkën e këndshme
të këngës së majit, të mëmës së dlirë…
Është interesante që në shumë poezi të këtij autori forca introspektive për të qortuar apo dënuar Unin e vet i zë vendin qortimit të shoqërisë apo tjetrit. Ky inkursim është njëherësh një akt emancipues i mendimit, të cilin zakonisht nuk e gjejmë në poezinë militante. Në këtë moment reflektimi dhe imagjinimi, dallohet poezia e Migjenit nga ajo e Kërlezhës, si një poezi milituese dhe akuzuese migjeniane, me sens ekstrovert( nga brenda jashtë), në krahasimme Kërlezhën, magjia e të cilit është një mërzi e brendshme, që shpesh i kundërvihet vetes, si të qe ajo një objekt i vëzhguar, e i mbështjellë me një pakënaqësi universale, ushtruar së brendshmi, për përmbajtjen jo humane të saj. Nga ky vështrim, poezia e Kërlezhës ruan një dimension më jetëgjatë në kulturën e vetemancipimit europian se ajo e poetëve radikalizues.
Uni ynë është si shtëpi e vjetër
Uni ynë është si shtëpi e vjetër,
plot me qiraxhinj të huaj, ndejtës.
U zgjua i vdekuri, në dhomën boshe po baret.
Si përmbi varr po përvajet shiu, përmbi qytet.
Mëngjesi i brengët po sillet si një murg nëpër shtëpi.
Në tiktakun e orës troket dita me shi.
Flatër e ngrohtë zogu- ëndrra ime puhi.
Në dhomë lulon aroma mëndafsh, porsi li.
….
Një nga poemat më të njohura e më të dashura të këtij poeti, mbetet ajo e dollapit të vjetër, që është si me thënë metafora e qenies së tij. Ky objekt historik, tashmë i antikuar, sa i tmerrshëm aq edhe i bukur, sa i vjetër aq edhe i shenjuar nga koha, vlen më shumë se një libër biografik për të kuptuar gjendjen shpirtërore të Kërlezhës dhe domethënien e tij: të jesh!
Kënga e dollapit të vjetër
Unë jam dollap i vjetër, i Vitit Tetëqind e Njëzet e Dy!
Në çelësin tim janë ndry shumë vuajtje e kujtime,
Krimbat më kanë brejtur; përmbi lustrën time
reflekset e dritës natën kanë drithëruar-
ndërsa gjëmonin kambanat e Pashkës dhe zilet
tingëlluese të sajës
në çastet e praruar.
Tek unë letrat, borxhet dhe të fshehtat janë mykur,
Të sëmurët ilaçet tek unë i kanë ruajtur,
ndërsa në zemrat njerëzore vuajtje mortore trokisnin.
Në qetësinë e dhomës sime ka fryrë tufani fatal,
teksa nusja me mersin pragun kapërcente,
kam qëndruar i qetë pranë arkivolit mortor.
Tek unë janë kalbur letra, borxhe e të fshehta…
Kam dëgjuar shpurat dasmore…
gjëmimin e koçisë së ndritshme të vjetër, përcjellëse, mortore…
Ku janë ato duar që kanë hapur kapakët e mi?
Ata gishtërinj si ari, të ndritshëm,
Ku janë ato ndriçime të gjelbëra, të verdha, kaki
që ranë prej degëve të rrugës, tek mua, përmbi?
Oh, ndonjë dallëndyshe të dinte
këndej të fluturonte, drejt meje të vinte…
Me pajton, lokomotivë me avull kam udhëtuar,
nëpër shi, me trishtimin vjeshtor të krahinës sime të trishtuar…
Mua më kanë fajkuar vajzat, gratë, vejushat me përvojë,
të reja, të vjetra, me trëndafil në gojë,
me fytyra që vyshkeshin në pikëllim e ankim.
Mua më kanë larë me firnis, vernik kinez e me vaj,
gozhda të rënda, të hekurta kanë ngulur mbi mua…
pelena, qirinj mortjesh, flokët ermues të grave kam ruajtur,
Kam qëndruar i qetë në minutën e panikut…
Kur të vdekurin ngrenë në arkën e kobshme të qivurit
E përmes dhomës e bartin për të fundmen herë…
Në dimër, kur nëpër oda kuturisin shpirtërat fatzinj, të ndjerë
u dal atyre para me kërcitjet e mia nëpër dërrasa…
kandili hedh dritë përmbi mua, kuadrot e arta ndez-
blertë, verdhë, qelq- maskat e të vdekurve heshtin
Parandjej forcën brutale, të sopatës fatale,
Në dhomë po rri,
pres,
hesht…
Vlerësoj mjeshtërinë e përkthyesit Ismail Ahmeti, njohës i thellë i gjuhës serbo kroate dhe gjuhës ruse, dashuria dhe përkushtimi i të cilit për poezinë e autorit, Mirosllav Kërlezha, ka bërë që vargjet të vijnë në gjuhën tonë me një pathos e ngjyrim, që i përqaset as fort origjinalit, deri në atë nivel, që emocioni krijon tronditjen dhe efektin e paharrueshëm gjatë leximit, edhe pse në shqip!
* (UMSH)