Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Haki Gecaj, të premten, gjatë fjalës përfundimtare në rastin kundër të akuzuarit për vrasje të rëndë, Bernard Përlazeri, ka kërkuar nga trupit gjykues që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
Gecaj ka thënë se pas administrimit të provave materiale dhe dëgjimit të shumë dëshmitarëve, me pa dyshim është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer vrasjen me paramendim dhe planifikim, për shkak të motiveve të dobëta të hakmarrjes.
Prokurori tutje ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është dëshmuar se i akuzuari Përlazeri, së bashku edhe me dy nipërit e tij, Ambroz Përlazeri dhe Leonard Përlazeri, të cilët gjenden në arrati, në ditën kritike, i kanë përcjellë vëllezërit Hekuran dhe Fadil Morina, me dy makinat “Audi” dhe “BMW”.
Ai ka thënë se nga dëshmitarët okular të ditës kritike e të cilët edhe janë lënduar nga plumbat, është vërtetuar se në ditën kritike në vendin e ngjarjes ka qenë vetura “BMW X5” të cilën e voziste i akuzuari Bernrad Përlazeri dhe vetura “Audi” në të cilën gjendeshin nipërit e tij të arratisur as rastit.
Prokurori Gecaj, ka deklaruar se disa muaj para se të ndodhte vrasja, i akuzuari Përlazeri kishte sulmuar viktimën Hekuran Morina, pasi që ky i fundit kishte refuzuar të paguajë një borxh të pretenduar nga i akuzuari prej 70 mijë euro, që kinse ia ka marrë babai i ndjerë i viktimës.
Sipas prokurorit, i akuzuari për shkak të sulmit është lajmëruar nga i ndjeri në polici dhe ka qëndruar për rreth gjashtë muaj në paraburgim e që vetëm tri ditë pas daljes nga paraburgimi ka ndërmarrë veprimet inkriminuese në shenjë hakmarrjeje.
“I nderuar trup gjykues, jepni një dënim shembullor ndaj të akuzuarit, që të tjerët ta kenë shumë më të vështirë dhe të mendohen jo një herë por shumë herë, para se të kryejnë vepra penale, siç ka kryer i akuzuari në këtë rast në bashkëkryerje me të tjerët”, tha Gecaj për fund.
Në anën tjetër, avokati Ndrec Doda, i cili mbron të akuzuarin Bernard Përlazeri, ka deklaruar se nga provat e administruara dhe dëshmitarët e dëgjuar, është vërtetuar se veprimet e të akuzuarit janë ndërmarrë në vetëmbrojtje pasi që është sulmuar nga vëllezërit Morina.
Avokati Doda ka thënë se trupi gjykues nuk duhet t’u besojë dëshmive të dëshmitarëve familjarë sepse ato sipas tij, nuk janë objektive, por se duhet t’u jep besim disa dëshmitarëve të rastit të cilët nuk kanë kurrfarë interesi të dëshmojnë në të mirë të të akuzuarit.
Ai ka thënë se në bazë të dëshmitarëve neutralë, është dëshmuar se në vendin e ngjarjes makinat e palëve në konflikt, kanë kaluar përballë, janë ndalur furishëm, personat janë sharë dhe ka filluar gjuajtja me armë nga të dyja palët.
Avokati ka thënë se nuk duhet dhënë besimin deklarimit të të dëmtuarit Fadil Morina se ka njoftuar policinë se janë duke u përcjellë nga i akuzuari pasi që një thirrje e tillë është bërë rreth një orë para se të ndodhte rasti andaj policia do të kishte vepruar për ta parandaluar ngjarjen.
Andaj ai ka kërkuar që trupit gjykues t’i besojë deklaratës së të akuzuarit se në fakt viktimat kanë qenë duke e përcjellë të akuzuarin dhe se për një përcjellje të tillë, kanë qenë të njoftuar edhe disa zyrtarë të policisë, të cilët kanë bashkëpunuar me viktimat kundër klientit të tij.
Andaj, në fund, Doda ka kërkuar nga trupi gjykues që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza sepse sipas tij, mënyra e ndodhjes së ngjarjes dëshmon se klienti i tij ka kryer veprimet inkriminuese në rrethanat e mbrojtjes së nevojshme, që i parasheh neni 12 i Kodit Penal.
Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka thënë se shqyrtimi gjyqësor shpallet i mbyllur dhe se trupi gjykues tërhiqet për këshillim dhe votim.
Ndërsa, shpalljen e aktgjykimit, Sejrani e ka caktuar për 27 mars 2018, në ora 13:30.
Prokuroria Speciale, me 11 nëntor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Bernard Përlazeri, me arsyetimin se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas aktakuzës, i akuzuari me 7 shtator 2015, rreth orës 20:30, pasi ka përcjellë lëvizjet e të ndjerit Hekuran Morina dhe vëllait të tij Fadil Morina, në lagjen “Bazhdërhane” të Prizrenit, dhe së bashku me nipat e tij të cilët gjenden në arrati, ka qëlluar mbi ta duke vrarë Hekuranin dhe plagosur rëndë Fadilin.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje, i akuzuari Bernard Perlazeri ishte arratisur për një kohë dhe gjithashtu ishte suspenduar përkohësisht drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Nexhmedin Krasniqi.
Ndërsa nipërit e të akuzuarit, Ambroz dhe Leonard Përlazeri, ende gjenden në arrati që nga dita kritike./betimiperdrejtesi/