7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Bacë, a po bëhen hajnia dhe krimi standarde morale dhe patriotike në Kosovë?!

bexhet Shala KMDLNJShkruan: Behxhet Sh. SHALA

Ëndrrat e një dite vjeshte : Në promovimin e një studimi për veprimtarinë i-legale të grupeve ekstremiste serbe në Kosovë nga autorja Fetnete Ramosaj morën pjesë kryesisht ata që kishin kontribuar për lirinë e Kosovës, që nga përfundimi e luftës së dytë botërore deri në këtë të fundit e cila duket se ende nuk ka përfunduar. Por kishte edhe të tillë që nuk kanë kontribuar fare por pameritueshëm përfitojnë nga kjo liri. Spekulantë dhe dallaveraxhinj me një fjalë, të cilët janë të respektuar nga mjedisi ku jetojnë dhe janë të shpërblyer nga pushteti dhe “ shteti”! Me poste, ndere , favore materiale, përparime në karrierë dhe rehabilitime të pabesueshme! Të gjithë e kemi të qartë faktin se më nuk po bëhet luftë në kuptimin ushtarak por luftë politike, psikologjike dhe ekonomike nga pozicionet e fortifikuara në Beograd dhe qendrat e aleatëve të Serbisë. Ne , si fitues të luftës po prehemi të mbuluar me dafina ( lule dhe jo vetëm lule ) dhe po sillemi sikur e tërë bota po sillet rreth nesh dhe sikur ne jemi përcaktues të politikbërjes dhe vendimmarrjes në nivelin global. Nuk merremi ne me punë të vogla siç është kjo e Kosovës! Pastaj , ne jemi optimistë të mëdhenj dhe ëndërrimtarë të pashoq. Të tillë na nxjerrin të gjitha anketat që dalin nga qendrat e mëdha hulumtuese në bazë të të cilave pastaj krijohen opinione! Me t’u zgjuar nga gjumi, kush më herët e kush më vonë mendja na shkon te Obama, Merkel dhe vendimmarësit e tjerë të fuqishëm që disejnojnë politika të mëdha sepse ata fjalët e para që i thonë qenkan ( sipas nesh ) :” si e kemi Kosovën dhe si i kemi kosovarët ?”. Mbase ky perceptim mund të jetë vazhdim i ëndrrës, me sy të mbyllur dhe të hapur e atyre që gjithmonë kanë jetuar nën hije duke mrizuar , pa bërë gjë për vendin e vet dhe popullin që i takon dhe i atyre që aksidentalisht apo si hajdutë janë bërë pjesë e pushtetit dhe të cilin duan ta mbajnë me çdo kusht! Qoftë edhe si zvarranikë! Të tillë e kanë edhe ëndrrën . Ajo zvarritet për aq kohë sa kanë nevojë për të! Ish luftëtarja e UÇK-së , Fetnete Ramosaj në mënyrë të përmbledhur paraqiti organizatat sekrete serbe që veprojnë në Kosovë edhe pas çlirimit duke theksuar rrezikun që paraqesin edhe sot për vendin tonë dhe hapësirat ku jetojnë shqiptarët! Fetnetja e bëri punën e saj mrekullueshëm para lufte, gjatë luftës dhe po e bën edhe tani! Pa ndonjë zhurmë të madhe dhe pa qëllime përfitimi politik apo material! Që është e pakuptueshme dhe jonormale për ditët që po i mbijetojmë! Kjo ishte edhe arsyeja pse erdhi në këtë promovim edhe Adem Demaçi siç e quajnë “patriotët” dhe Baca Adem siç e quajnë budallenjt – idealistët. E tillë mbase ka mbetur edhe autorja e kësaj monografie apo regjistri të kriminelëve dhe organizatave kriminale serbe që kanë vepruar dhe veprojnë papengueshëm në Kosovë, Fenete Ramosaj! Në fakt, kam përshtypjen se promovimet e veprave të ndryshme më shumë po i përngjajnë mbledhjeve komemorative apo vizitave për kryeshëndoshje. Sepse fliten vetëm fjalë të mira. Si për një të vdekur pavarësisht se mund të ket qenë horr i llojit të vet gjatë jetës së tij. Të tillë jemi ne! Gjithmonë i kemi një ose disa fytyra rezervë. Na duhen pasi ta kemi konsumuar ( mos ta them pasi ta kemi shitur fytyrën me të cilën kemi lindur ). Të rrallë janë ata që varrosen me fytrën që ua ka falur Zoti! Mbase kushtet klimatike , kriza globale financiare ndikojnë në transformimin e fytyrës së njeriut! Edhe të pafytyrët vdesin me fytyrë! Prandaj jam bërë shumë përzgjedhës kur vendosi të shkoj apo të mos shkoj në ndonjë promovim. Më mbetet shumë merak që kam munguar në dy promovime të dy autorëve të shquar të krijimtarisë shqiptare , kosovare dhe botërore. Të veprave : ” Nga Sfida në sfidë “ dhe e dyta :” Në Evropë apo në Europë”. Nuk po i quaj thjesht libra por vepra duke ua ditur peshën e përmbajtjes por edhe peshën e autorëve! Të parën e qëndisi gjenerali i patriotizmës politike, kombëtare, ekonomike kosovare, shqiptare por edhe ndërkombëtare, njeriu pa të cilin politika e sotit në Kosovë nuk do të kishte kuptim e as sukseset e saj , njeriu falë të cilit na njohu Afrika, Azia , Amerika ( e veriut, qendrore dhe e jugut ) dhe përfundimisht njeriu pa të cilin kryeministri ynë nuk do të ishte në gjendje ta bëjë as hapin më të vogël në politikë e sidomos në ekonomi. Mos ta zgjasë shumë dhe të luaj me durimin tuaj duke mos e thënë emrin e këtij alkimisti modern. Fjala është për Behgjet Pacollin të cilit kryeministri ynë , duke ia ditur vlerat dhe kontributin për çlirimin e Kosovës e emëroi zëvendësin e tij të parë duke ma dërguar mikun tim Hajrën në ligë të dytë pasi e emëroi zëvendëskryeministër të dytë. Kjo ka qenë dhe mbetet arsyeja kryesore për ftohjen e marëdhënieve me kryeministrin Thaçi. Faktikisht jemi sikur në kohën e luftës së ftohtë! Në çdo çast mund të përfundojë ky armpushim! Veprën e dytë e telejisi ish aktivisti politik para lufte , luftëtari i madh dhe trim, njëkohësisht komandant i Zonës Operative të Llapit , gjeneral pas përfundimit të luftës, i përndjekur dhe i dënuar , deputet i Kuvendit të Kosovës, kontribues në ndërtimin e paqes dhe luftimin e krimit të organizuar, zhvatjes, haraçit , analist i spikatur i çështjeve politike dhe ekonomike, koluminst i respektuar i medieve të shkruara të hapësirës shqiptare, i shquar për vetmohim në dobi dhe shërbim të ish luftëtarëve të tij , aktualisht nënkryetar i partisë në pushtet – PDK si dhe faktor i pazëvendësueshëm në skenën politike kosovare dhe mbarëshqiptare. Sigurisht se në bazë të përshkrimit të pjesshëm nuk e keni vështirë ta qëlloni se e kam fjalën për Rrustem Mustafën – Remin. Sinqerisht u kërkoj falje të dy gjigantëve të krijimtarisë sonë që nuk jam në gjendje t’ua përmend të gjitha atributet që i karakterizojnë dhe kontributin e dhënë si dhe ate që po e japin aktualisht. U mbetet brezave që vijnë pas t’i vlerësojnë këto dy figura madhore të kombit tonë dhe të njerëzimit! Pasi që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës nuk ka bërë gjë në këtë drejtim! Haram u qoftë taxhia e Hashimit!
Po çka foli Baca Adem në këtë promovim: Gjon Boriqi dhe Adem Demaçi ishin folësit që folën nga koka duke mos lexuar shkrimet që i shkruajnë të tjerët! Si politikanët tanë të ç-nderuar! Ishin origjinalë. Në fakt, edhe të mençur sepse fjalët ikën me erën dhe nuk lanë asgjë me shkrim që pastaj mund të përdoret si rrethanë inkriminuese. Ishin që të dy në të njëjtat valë që rrallë ndodhë kur folësit janë nga Shqipëria dhe Kosova.
Baca Adem, në pamje të jashtme dukej shumë mirë. Shumë normal. Edhe me folë kishte kondicion me ia kaluar edhe vet Fidel Kastros. U ndjeva mirë kur Baca foli për kontributin e autores së librit. U ndjeva se jam i vendit, pjesë e kësaj toke dhe një argat i vockël i këtij kontributi të madh. Pastaj, u shkëputa nga realiteti dhe ndjehesha si i huaj në vendin tim! Po çka tha Baca që me fjalën e tij më preu biletën për udhëtim së bashku me Zhyl Vernin?!
Baca Adem tha se Kosova ka nevojë për njerëz të mençur që e udhëheqin. Ka nevojë për arsim cilësor dhe kombëtar i cili gjithmonë duhet të jetë në shërbim të kombit dhe shtetit. Jo të prodhojë analfabetë me diploma! Më tej tha se Kosova ka nevojë për një shëndetësi profesionale dhe të ndershme e cila kujdeset për shëndet të kombit dhe të shtetit. Për një ekonomi të zhvilluar dhe konkurente ku profesionalizmi dhe ndershmëria janë parakushte. Pa hajni , shanatzh , zhvatje dhe korrupcion. Pastaj Baca tha se duhet ta shkruajmë një histori kombëtare dhe shtetërore pa zbukurime , glorifikime ku antivlerat bëhen vlera ndërsa vlerat kombëtare mohohen skajshmërisht. Duhet ta kemi një gazetari të pavarur, profesionale dhe e cila e krijon opinionin në shërbim të kombit dhe shtetit. Bujqësinë duhet ta zhvillojmë sepse natyra na ka krijuar kushte. Gjithashtu edhe turizmin duhet ta bëjmë konkurrent me vendet që vjelin miliarda euro nga ky aktivitet. Duhet të hiqen të gjitha bllokadat e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor, sportiv dhe politik me Shqipërinë! Në këtë kontekst e lavdoi kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Diplomacia kosovare duhet të jetë në shërbim të kombit dhe t’i shërbejë shtetit. Kosova duhet të ketë një polici profesioniste që e duan kombin duke i shërbyer atij e jo duke i mbrojtur të korruptuarit! Patjetër që duhet të kemi një ushtri kombëtare e cila do të mbrojë shtetin nga rreziku eventual me një përcaktim të qartë kombëtar. Edhe një gjyqësor të pavarur, profesional dhe në shërbim të kombit. Duhet t’i ruajmë miqtë ndërkombëtarë që na ndihmuan por duhet ta ruajmë dhe mbrojmë dinjitetin kombëtar. Pastaj, duhet të bëhemi shtet dhe komb që do të jemi shembull për botën dhe të anëtarësohemi në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë. Partitë politike duhet t’i shërbejnë popullit dhe jo ta grabisin shtetin pa pushtet. Duhet t’i respektojmë të gjithë ata që në kohën kur atdheu kishte nevojë për sakrificën e tyre e derdhën gjakun duke e flijuar jetën e tyre! Ndërkaq tash, sipas Bacës duhet një sakrificë shumë më e vogël për të cilën nuk ka nevojë të derdhet gjaku. E ajo është që duhet ta lënë karrikën dhe t’i lëshojnë postet! Pikërisht këtu më plasi filmi! Sepse :
– kokat më të mençura të kombit ( akademikët e partive politike ) çdo gjë bëjnë vetëm jo ate që e kërkon Baca Adem
– intelektualët me tituj shkencorë janë shndërruar në rrogëtarë dhe shërbyes civil të politikajve të padijshëm duke bashkëdyzuar servilizmin e tyre me arrogancën e injorantëve në politikë. Ka shumë pak përjashtime këtu.
– Arsimin e kemi si në kohën e Konstatim Kristoforidhit për dallim që Kristoforidhi ka qenë kombëtar ndërsa këta të sotit prodhojnë kuadro multietnike dhe çkombëtarizuese. Nuk ka vend në rruzullin tokësor që ka analfabetë me tituj shkencorë dhe akademikë se në që ka në Kosovë!
– Shëndetësinë e kemi siç e kemi. Duhet të ndjeheni të lumtur nëse në vend të zorrës qorre mos t’ua heqin njërën veshkë njëherë e pastaj të dytën në kontrollin e radhës! Pak kanë mbetur mjek , nxënës besnik të Hipokratit prandaj duhet të ndryshojë teksti i betimit të mjekëve. Ndryshku moral e ka metastazuar shëndetësinë kosovare prandaj është aventurë në këto rrethana të flitet për një shëndetësi kombëtare.
– Ekonominë e kemi si në kohën e ilirëve. Tokat ose nuk i punojmë fare ose i punojmë me teknologji antike. Kryesisht e përdorim farën e huaj prandaj edhe bereqetin e kemi të huaj. E blejmë me euro të thata. Ekonominë kombëtare e forcojmë duke blerë mallra të Serbisë, Maqedonisë , Turqisë , Rumanisë, Greqisë dhe vendeve tjera mike.
– Është e vërtetë se nuk kemi polici kombëtare që i shërben kombit dhe shtetit por pas Ligjit për Amnisti kjo mungesë do të eliminohet duke integruar në të mbi 400 policë të veriut të cilët që 14 vite i kanë shërbyer Serbisë dhe kombit të tyre. Do të ketë edhe ngritje profesionale sepse nuk kanë lënë të zezë pa bërë në të gjitha profesionet. Edhe gjyqësori do ta ketë të njëjtin fat. Këto gjykatat tona punojnë sipas standardeve ndërkombëtare duke filluar nga Kushtetutka. Cik nuk guxojnë të bëjnë nga Brukseli. E kanë tejkaluar kombëtaren për t’i përmbushur standardet ndërkombëtare!
– Historinë po na shkruan Sulltan Sylejmani. Puro kombëtare.
– Partitë politike janë ekskluzivisht kombëtare dhe në shërbim të kombit . Dëshmi për këtë janë : lista e bashkuar serbe, iniciative qytetare serbe e Parteshit, lista e serbe e Ranillugut, drejtësia, qytetaria dhe demokracie serbe e Oliverit, patriotët serbë nga Kamenica , rojat e urës dhe banditët serbë të Ivanoviqit nga Mitrovica, vullnetarët Serbë nga Osojani dhe trashigimtarët serbë të gjeneral Drazhës nga Gjilani , çetnikët e Nikoliqit nga Serbia dhe serbët e Asadit nga Siria, lista e shqiptarëve të bashkuar nga Kazakistani , shqiptarët e Erdoganit nga Kurdistani, azerët shqiptarë nga Lugina e Peshavarit, dega shqiptare e VMRO –së e Gostivarit , malësorët shqiptarë të Mileshit si dhe shqiptarët e vërtetë të Banglladeshit.
Baca Adem. E di se ke njohuri për mjekësi sepse jeta të ka mësuar por edhe vet ke mësuar. Por, një gjë duhet ta kesh të qartë se prapanica dhe karrika janë si binjakjët siamezë. Gjithmonë shkojnë bashkë dhe vullnetarisht nuk ndahen. Ndarja e binjakëve siamezë bëhet vetëm me një opracion të vështirë, me shumë dhimbje dhe rrezik të madh për jetën. Ndarja nga karrika është edhe më e dhimbshme dhe në shumë raste përfundon me fatalitet për pronarin e prapanicës. Prandaj, mos na ngushto aq tepër. Mos e lypë nga ne të pamundurën. Mos u prish me shokë, miq , dashamirë që gjithmonë ta kanë dashur të mirën ty dhe kombit! Të cilët, edhe sot janë ulur në karrike vetëm për të mirën e kombit duke bërë sakrificë sublime. Nuk është aspak e lehtë të ulesh në karrike për vite të tëra! Na duhet përkrahja jote. Sikur në ditët më të vështira!
I dashuri Bacë. Thash më lartë se dukeshe mirë me shëndet. Mirëpo, pas kërkesës sate që e the në promovimin e librit të Fetnete Ramosaj për largimin vullnetar nga posti seriozisht jam i brengosur për shëndetin tënd. Zoti të ndihmoftë siç të ka ndihmuar gjatë gjithë kësaj kohe! Ti e fitove përjetësinë kurse ne horrat, karriken dhe pasurinë. Në shërbim të kombit dhe atdheut!!!!!

Më Shumë

Policia shqiptoi 1456 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1456 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Mbështetje shtesë për fëmijët dhe pensionistët, Murati: Pagesat do të ekzekutohen javën e ardhshme

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të ketë mbështetje shtesë për fëmijët dhe pensionmarrësit. Murati ka bërë...

Lajmet e Fundit