17.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Mungon kritika, por a kemi…?

Nga Çapajev Gjokutaj

Studiuesi I letërsisë Çapajev Gjokutaj, bën më poshtë një analizë të mungesës së kritikës letrare në vend.

Mungon kritika, qarje e qëmotshme, gati-gati refren në ligjërimin tonë për letërsinë. Përtej ankimit dhe qarjes, është mbase më konstruktive të kërkojmë shkaqet.

1.

Mungon kritika, po a ekziston leximi? Ka rënë dukshëm, thonë disa, brezi i ri nuk lexon, ku ne e ku këta! Dhe si argument sjellin tirazhet. Atëherë librat e mirë botoheshin në 20 mijë kopje dhe shpesh nuk i gjeje, një pjesë shiteshin nën banak, për miq e të njohur.

Vërtetë kanë rënë tirazhet, por janë shtuar dukshëm titujt, kundërshtojnë disa. Atë që ka humbur në numër, sot e fitojmë në larmi.

Hajde e gjeje cila është e vërtetë! Si edhe në fusha të tjera mungojnë të dhënat empirike. Diskutojmë me hamendje. Në një tjetër regjistër, ky lloj diskutimi quhet spekullim.

Mirë leximin individual nuk e gjykojmë dot se nuk e masim, po pse e kemi aq të mekët leximin publik? Nuk i praktikojmë thuajse fare grupet apo klubet e leximit. Të rralla e tejet formale janë takimet me autorin, turet në qytete të ndryshme, leximi prej tij në auditor, para lexuesve

Kemi radio dhe televizione të shumta, por leximi i letërsisë në to është i munguari i madh. Këto dhe forma të tjera të leximit tejindividual, do nxisnin artikulim publik për këtë apo atë vepër, për këtë apo atë shkrimtar.

2.

Mungon kritika, por a ekzistojnë mediumet që e kërkojnë, e nxisin, e gjenerojnë? Bashkë me kritikën mungojnë edhe revistat a gazetat e specializuara. Ashtu siç mungojnë edhe rubrikat serioze në media me emër, gazeta a televizione qofshin.

Mungon kritika, por a ekzistojnë lexuesit e kualifikuar e të artikuluar? Lexues, që seleksionojnë e nxjerrin në pah, qoftë me një recensë a qoftë edhe me vetëm një referencë, vlerat që hidhen në qarkullim. Dhe ndihmojnë kështu të nxitet e të orientohet masa e lexuesve të thjeshtë. E bëjnë më të lehtë ndarjen e drithit nga byku e kashta e botimeve.

Me gjasë këta lexues të kualifikuar ekzistojnë, por nuk përqendrohen aq tek vlerat që krijohen në shqip. Dhe në një farë mase është e kuptueshme. Jetojmë në kohën kur librin e mirë, që bën emër në NY, Londër a Paris, mund ta blesh në variant elektronik, njëkohësisht me njujorkezin a londinezin.

3.

Mungon kritika, por a ekzistojnë kritikët? Është profesion jo fort i lehtë, kërkon specializim të hollë, erudicion të thellë e shije të rafinura. Sa punojmë për të përgatitur kritikë në kurse universitare e pasuniversitare; ç’institucione shkencore kemi?

Kjo është vetëm njëra anë e mungesës a pengesës, ana institucionale. Por ekziston dhe ana etike: jemi vend i vogël, ndajmë të njëjtat hapësira, rrjedhimisht nuk është aq e lehtë të vlerësosh tjetrin, pa u ndruajtur a frenuar.

Mungon kritika, por a ekziston tregu i maturuar i librit? Nuk është fjala për kioska e zgëqe që e tregtojnë librin si të ishte qepë a domate.

Kioska edhe kemi, por fjala është për rjet librarish, fizike e elektronike, shpërndarë në gjithë hapësirën shqiptare, të arritshme nga kushdo që dëshiron të lexojë në shqip.

Një treg i maturuar, i shtrirë në gjithë hapësirat shqiptare dhe i arritshëm nga kushdo, pavarësisht se ku ndodhet, do ta bënte më fitimprurëse tregëtinë e librit dhe do ndikonte që të modernizohej edhe procesi i botimit. Të kishte hallkat e veta të domosdoshme, duke filluar nga redaktori, hallkë e rënd?sishme, madje e pazevendesueshme. Sidomos kur nuk katandiset ne korrektor drejtshkrimi, por fqinjeron me agjentin letrar, qe perzgjedh, sugjeron, redakton dhe pastaj edhe përpunon strategjitë e promovimit në publik.

Me tregun e sotëm të librit, i varfër e i mekët, të gjitha këto konceptohen si luks. Natyrisht, tregu i kufizuar, kufizon e gjymton edhe procesin e botimit e më tej ligjërimin për letërsinë.

4.

Dhe më në fund: Mungon kritika, po a kemi letërsi?

Doemos që kemi. Jo vetëm letërsi të traditës së afërt dhe të largët, por edhe letërsi që krijohet e botohet në ditët tona.Por për këtë të fundit del një problem thuajse ekzistencial. Sot kemi një vërshim botimesh të paguar nga vetë autorët, pa kurrfarë seleksionimi, sipas parimit ‘zhgarravit, paguaj e boto’.

Në këtë det byku nuk është lehtë të gjesh drithin letrar. Mund të humbasë e të përfundojë në sosmë. Për më tepër, se fjala, qoftë edhe ajo letrare, nuk ka më peshën e dikurshme, i ka hyrë rëndshëm në pjesë imazhi. Edhe spektakli.

E meqë është koha e spektaklit, s’na mbetet gjë tjetër veçse të performojmë melodramën ‘mungon kritika’.

Më Shumë

Lexojeni kodin 20 pikësh që indianët e Amerikës ia dhuruan njerëzimit

1. Zgjohu bashkë me Diellin. Lutu vetëm dhe shpesh. Shpirti i Madh do të të dëgjojë, vetëm nëse flet. 2. Ji tolerant me njerëzit që...

Ylli në finale

Pas një ndeshje shumë interesante dhe drame në fund, Golden Eagle Ylli ka mundur Pejën me rezultat 84:88 (21:21, 25:24, 18:21, 20:22), për tu...

Moti sot me shi

Lajmet e Fundit