0.6 C
Prizren
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Koalicioni qeverisës, stabil

KuvendiKosoves9-21Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës kanë mohuar se Qeveria nuk i ka numrat e nevojshëm në Kuvend. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Garbovci dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kanë deklaruar se nuk i frikësohen ndonjë vote të mosbesimit nga ana e opozitës. Madje Grabovci ka thënë se PDK-ja është e gatshme edhe për zgjedhje të parakohshme. Ndërsa analisti politik Ardian Arifaj ka treguar se mungesa e kuorumit në seancën e së enjtes flet për një krizë në koalicion.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Garbovci, ka bërë me dije se koalicioni qeverisës është stabil dhe se nuk i frikësohet mocionit të mosbesimit nga ana e partive opozitare. Në një prononcim për “Epokën e re”, ai ka sqaruar se në seancën e fundit me arsye kanë munguar disa deputetë. “Them me bindje të thellë se koalicioni qeverisës është shumë stabil. Sa iu përket numrave, koalicioni i ka numrat e nevojshëm, por disa deputetë të koalicionit në seancën e së enjtes kanë munguar me arsye. Pra, koalicioni në tërësi është stabil dhe do të funksionojë deri në fund. Sa i përket asaj që po qarkullon lidhur me ndonjë mosbesim, absolutisht nuk e kem shqetësim fare këtë”, ka thënë Grabovci.

Ai i ka siguruar partitë opozitare se PDK-ja, si partia më e madhe në vend, nuk është e interesuar për zgjedhje të parakohshme por, sipas tij, nëse këtë e dëshiron opozita, atëherë për PDK-në nuk ka problem. “PDK-ja është e gatshme që në çdo kohë të hyjë në zgjedhje. E them me bindje të plotë dhe me sigurinë më të madhe se partitë opozitare janë të papërgatitura për zgjedhje të parakohshme. I siguroj ato se ne nuk do t’i dërgojmë në zgjedhje të parakohshme sepse nuk jemi të interesuar për këtë, por nëse ata janë të interesuar për këtë, atëherë ne jemi të përgatitur”, ka deklaruar ai. Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë të premten se Qeveria e Kosovës ka legjitimitet të plotë demokratik.

Pas takimit me komandantin e KFOR-it, Salvatore Farina, Kuçi ka deklaruar se opozita mund të kërkojë mosbesim ndaj Qeverisë apo çfarëdo procedure tjetër nëse e sheh të arsyeshme. “Deputetët e Kuvendit e kanë të drejtën e tyre të marrin pjesë apo jo në seancë. Është çështje e ndarë tërësisht prej punës së Qeverisë. Ajo çfarë dua të them është se Qeveria e ndjen veten me legjitimitet demokratik. Çdo veprim që e bën Kuvendi i Kosovës ne e respektojmë”, ka thënë Kuçi. Sipas tij, votimi i raportit të Komitetit qeveritar për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së është çështje që duhet ta definojnë shefat e grupeve parlamentare dhe Kryesia e Kuvendit. “Tash është në dorën e Kuvendit. Çdo ndërhyrje e imja keqkuptohet si ndërhyrje në Kuvend”, është shprehur ai.

Por ndryshe mendon analisti politik Ardian Arifaj. Sipas tij, seanca e së enjtes në Kuvend ka treguar për një krizë në koalicionin qeverisës. “Sigurisht se dita e enjte është e pazakonshme dhe është më dramatike. Mund të flas për një krizë brenda koalicionit qeverisës. Në anën tjetër dihet se nuk është hera e parë që ky koalicion qeverisës kalon nëpër këtë situatë, sepse dihet prej fillimit se ky koalicion matematikisht nuk është shumë i fortë, nuk i ka numrat e fuqishëm në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Arifaj. Megjithatë, ai nuk ka dashur të flasë rreth së ardhmes së këtij koalicioni qeverisës, duke sqaruar se ky koalicion gjithmonë në momentin e fundit ka arritur t’i sigurojë numrat e nevojshëm. “Pra, nuk është hera e parë që ky koalicion përballet me kriza, megjithatë në momentin e fundit ka arritur t’i bindë një numër të mjaftueshëm të deputetëve jo vetëm të marrin pjesë në mbledhje, por edhe të votojnë për projektet e qeverisë”, ka deklaruar ai.

Zërat rreth një krize në koalicionin qeverisës janë shtuar pas situatës së krijuar të enjten në Kuvendin e Kosovës, kur për mungesë kuorumi është shtyrë seanca, në të cilën pritej të votohej raporti i komitetit qeveritar për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Më Shumë

Vëllaznimi fiton ndaj skuadrës së Golden Eagle Ylli

Me ndeshjen Ylli – Vëllaznimi është mbyllur xhiroja e 13-të e Superligës së Kosovës në basketboll, përballje kjo që u zhvillua në palestrën “13...

Po vijnë mërgimtarët

Sahit F.Osmani I kanë kaluar kufijtë e vendlindjes, rrugëve të spërdredhura, herë me agime të ndritura herë me muzgje të ngrysura. Me zemër- pasaportë të familjes duke kaluar kufijtë e...

Me zemër

Lajmet e Fundit