1.7 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Lasgush Poradeci: Ju rrëfej tri llojet e grave

Poradeci“Tre soj janë gratë për njerës si ne të dy. Filloj nga soji më i errët dhe ngrihem gjer në dritën e vërtetë të diellit”. Kështu e fillon Lasgush Poradeci, letrën drejtuar një miku të vet në të largëtin vit, 1926. Atë kohë rreth 27 vjeç, Llazar Sotir Gusho, duket se pati arritur t’i njihte mirë femrat, madje i përshkruan karakteret në detaje.

Femrat koketa, femrat e bukura, ato të zgjuarat, ato fisniket, ato që jepen për një grusht të hollash, e ato që nuk jepen sikur t’iu japësh gjithë botën; ato që fshihen pas manteleve, e ato që shiten në mes të rrugëve, ato që dinë të shprehen e të jenë plot hire, ato që dinë të heshtin, e këtë ta bëjnë mirë; ato që i njeh një ditë dhe të nesërmen nuk janë askush, e ato që më në fund i kërkon gjithë jetën e s’i gjen askund… Femrat e fisshme e femrat e hijshme, e matanë tyre femrat e bezdisshme…!

Djaloshi Llazar, i pikturon të gjitha me një penel, pa iu dridhur dora, nga fillimi e gjer në fund, duke i vënë në një shkallë hierarkie, kur vjen puna te sjellja, ose e thënë ndryshe tek ‘nderi’ e marrëdhëniet e tyre me meshkujt.
Letra për të cilën flasim, është fragment i një korrespondence të pabotuar. E bija, Marie Poradeci, po i mbledh për t’i shtënë të gjitha së bashku në një botim.
Në vija të trasha, ai i ndan femrat, në ato të shtëpive publike, në ato të lehtat (mendjelehtat) dhe në ato vështirat. Lasgushi, mund të duket disi donzhuan pas këtij përshkrimi, por, poeti i dashurisë, di të jetë edhe kështu…!
A është paragjykues? Apo, i zhveshur nga paragjykimet, ai përshkruan ç’ka parë e ç’ka ndjerë?! Të vërtetat, herë-herë janë të rënda, por klasifikimet shpesh janë gur mase.

Letra
“Tre soj janë gratë për njerës si ne të dy. Filloj nga soji më i errët dhe ngrihem gjer në dritën e vërtetë të diellit.
Pik’së pari, janë gratë e trupit, të cilat i mjeri element animal i jetës s’onë, i ka nënë urdhër të tij me anë të një grushti banknotash. Këtyre s’mund t’u flasish për donjë gjë të bukur, sepse as shpirti i tyre s’është bërë për ashtu, as që kanë kohë për të humbur me të tilla marrëzi artistike. Me 5 minuta marrëveshje, trupi i tyre i rrëgjuar ngjitet pas trupit t’onë për 10 minuta dhe pastaj ç’qitet përnjëherësh në vetëm njëzë minutë.

Në pikën e dytë vijnë ato soj çupash të paqme nga trupi po të prishura nga mendja, të cilat elementi animal së bashku me shpirtin e lumturuar i fiton jo me anë të një doze të hollash, po me një tufë fjalësh – desha të them lulesh dhe të ëmblash. Pas 5 pare dërdëllimi të hijëshmë krahët, sytë, buzët dhe gjiri i tyre i paqmë na falen për 1 minutë dhe nuk vijnë në vete përveçse pas 10 minutash psherëtimi të ëmbël ose zembrimi pa dashje…

Në pikën e tretë dhe në atë më të lartën, dua të them në dritën e vërtetë të djellit, të jetës, dhe të së vërtetës qëndrojnë vashat e paqme nga trupi dhe nga shpirti. Këto janë të pakta. Një njohje me to bën prej një shtaze një njeri; një fjalim me to, bën prej një njeriu një talent; një miqësi me to bën prej një talenti një gjeni. Këto nuk bjenë, po JANË në zotërim d.m.th. në MIQËSI të shpirtit t’onë më një minutë, nuk ndahen as dhjetë jeta, dhe rrojnë në zemrën e botës një përjetësi”./BW/

Më Shumë

Kastrati raporton për projektet kryesore në takimin me qytetarët

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka mbajtur sot takimin e dytë publik për vitin 2024, ku prezantoi projektet e realizuara dhe ato...

Totaj raporton për punën njëvjeçare, veçon gjithëpërfshirjen dhe përmbushjen e kritereve për Grantin e Performancës

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj të hënën ka mbajtur takimin e dytë publik me qytetarët, me ç’rast para të pranishmëve ka raportuar...

Lajmet e Fundit