Në Prizren u mbajt mbrëmja përkujtimore për Kujtim Paçakun

Iniciativa e studentëve të qendrës studentore “Roma Versitas Kosova” për organizimin e natës përkujtimore për poetin dhe profesorin e ndjerë rom Kujtim Paçaku, në Prizren ka mbledhur miq të tij artistë e aktivistë, të cilët në kujtim të tij kanë lexuar poezitë e tij dhe vargjet e dedikuara për të. Madje kanë thënë se përmes poezive të tij e ndiejnë praninë e tij shpirtërore në sallën e kinemasë “Lumëbardhi”.

Por për aktivistët e komunitetit rom nga Prizreni, më e rëndësishmja është se veprat e Paçakut u kanë dhënë pjesëtarëve të këtij komuniteti ndjenjën e ekzistencës, duke trasuar kështu rrugën edhe për të pasur dinjitet.

“Axha Kujtim e bazonte jetën e tij në dy thënie filozofike. E para, është ajo që e dëgjuat nga shkëputja e fjalimeve të tij: ‘Fëmija rom nuk duhet të jetë egoist dhe përveç gjirit, ai duhet ta thithë edhe gjuhën e nënës’. Ndërsa e dyta që shpesh e përsëriste është: ‘Së pari duhet të jesh, pastaj të kesh’. Pas vdekjes së tij ai na dha ndjenjën e të qenit, dhe unë sonte lirisht mund të them se me veprimtarinë e tij ai i dëshmoi botës se ne jemi, e për këtë jam i bindur se do ta kemi, atë për çfarë është munduar ai gjatë gjithë jetës – dinjitetin”, ka thënë Edis Galushi, që njëherësh ka qenë përkrahës logjistik i këtij organizimi.

Në Prizren u mbajt mbrëmja përkujtimore për Kujtim Paçakun

Ka theksuar se me gjithë mungesën e tij fizike, prapëseprapë do të flitet për ekzistencën e tij, shkaku i veprave që i ka lënë si trashëgimi, që nuk janë kontribut vetëm për kulturën rome, por edhe për kulturën kosovare..

Aktivisti tjetër rom nga Prizreni, Nexhip Menekshe, ka thënë se Paçaku pos që ka qenë një bashkëpunëtor i madh, njëherësh ka qëndruar afër emocionalisht me të gjithë ata që kanë kontribuar për integrimin e komunitetit rom.

Kujtim Paçaku, poeti e aktivisti që promovonte kulturën dhe identitetin e komunitetit rom në Kosovë, vdiq më 17 maj në moshën 59-vjeçare, duke lënë prapa vetes një trashëgimi të pasur krijuese në gjuhën rome. Netët përkujtimore për poetin dhe profesorin Kujtim Paçaku do të organizohen edhe në Pejë dhe në Prishtinë nga “Roma Versitas Kosova”

Më Shumë

Vërshimet në Rahovec, institucionet diskutojnë masat e reagimit

Përfaqësues të Komunës së Rahovecit morën pjesë në punëtorinë njëditore me temë “Vërshimet në Rahovec”, të organizuar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent me mbështetjen...

Telex rikthehet në skenë pas më shumë se 15 vitesh në Prizren Rock & Blues Festival

Pas më shumë se 15 vitesh mungesë, grupi legjendar Telex rikthehet fuqishëm në skenë me vokalin unik të Sejat Jakupit. Një nga emrat që ka...

Lajmet e Fundit