3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Pro zgjedhjeve nacionale këtë vit

KuvendiKosoves9-21Të gjitha partitë politike në vend, përfshirë edhe atë më të madhen, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) janë të pajtimit që sivjet të mbahen edhe zgjedhjet nacionale, si të parakohshme, së bashku me ato lokale.

Fakti se tri ditë më parë partia e kryeministrit, Hashim Thaçi, nuk ia ka dalë t’i mbledhë as deputetët e vet në Kuvendin e Kosovës, e aq më pak t’i bindë ata të opozitës që të qëndrojnë sall për të krijuar kuorum, gjegjësisht për ta votuar privatizimin e PTK-së, duket se ua ka “mbushur mendjen” subjekteve politike që t’i thonë “po” zgjedhjeve të parakohshme, shkruan Zëri.

Ndërkaq, “dilema” e vetme mbetet nëse zgjedhjet nga të cilat do të dalë përbërja e Kuvendit të ri të Kosovës dhe ajo e Qeverisë, është nëse ato do të mundë të organizohen në ditën kur kosovarët do t’i zgjedhin drejtuesit e kuvendeve komunale dhe kryetarët e tyre – më 3 nëntor.

Zgjedhjet e shpejta, rrezik për demokracinë

Njëri nga ish-drejtuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Mazllum Baraliu, thotë se sipas ligjeve në fuqi, nëse ta zëmë gjatë javës së ardhshme bie qeveria, dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, atëherë ato do të mundë të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale, përkatësisht më 3 nëntor.

Por, Baraliu insiston se është në të mirë të vendit që kjo të mos ndodhë, ngase, siç thotë ai, për të pasur zgjedhje të lira, demokratike e ligjore, atyre duhet t’u paraprijë puna e institucioneve përkatëse së paku gjashtë muaj më parë.

“Teoritikisht dhe juridikisht mundësia ekziston (për datën 3 nëntor) edhe në këtë kohë, nëse ekziston gatishmëria e subjekteve politike, edhe e atyre që janë në pozitë madje, se këto që janë në opozitë nuk janë unike. Mund të ketë zgjedhje të parakohshme edhe mund të zhvillohen”, thotë ai, duke shtuar se secili person që kupton nga proceset elektorale do të ishte skeptik në pyetjen nëse KQZ-ja do t’ia dalë të organizojë zgjedhje të mirëfillta për 45 ditë, veçanërisht, në kohën kur është duke i organizuar zgjedhjet lokale.

Baraliu nënvizon se partitë politike duhet të kontribuojnë që procesi elektoral për zgjedhjet lokale të vazhdojë i tillë çfarë është, ndërsa të bëhen përgatitjet e duhura dhe gjatë vitit të ardhshëm të ketë zgjedhje nacionale.

Më Shumë

Lajmet e Fundit