12.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Trump fton Putinin në Uashington

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar zyrtarët të ftojnë presidentin rus, Vladimir Putin, në Uashington.

Në një postim në Twitter, Sanders tha se Trump ka urdhëruar këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton, ta bëjë ftesën për në vjeshtë.

Lajmi vjen pak ditë pas samitit të parë Trump-Putin që u zhvillua më 16 korrik, në Helsinki të Finlandës, e që shkaktoi zemërim në SHBA për shkak të dështimit të Trumpit për t’iu kundërvënë publikisht Putinit, për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Ligjvënësit amerikanë dhe zyrtarët e tjerë po ashtu nuk janë informuar ende se për çfarë kanë diskutuar Trump dhe Putin në takimin privat, me vetëm praninë e përkthyesve.

Madje, edhe drejtori i inteligjencës kombëtare i Trumpit, Dan Coats, tha se nuk e di se çfarë ka ndodhur në Helsinki.

Ftesa e planifikuar për në Uashington pritet të shihet si fitore nga Putini, i cili vizitën e fundit zyrtare në SHBA e ka realizuar në korrik të vitit 2007.

Të enjten, edhe Trump, edhe Putin e cilësuan takimin e parë të tyre si sukses, ndërsa fajësuan forcat në SHBA për përpjekje për të minuar arritjet e tyre. Pavarësisht kritikave, Trump tha se e mirëpret edhe një takim të dytë me liderin rus.

Udhëheqësi i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer, e kritikoi menjëherë ftesën e planifikuar.

“Derisa nuk dimë se çfarë ka ndodhur në atë takim dyorësh në Helsinki, presidenti nuk duhet të ketë më ndërveprime sy më sy me Putinin, as në Shtetet e Bashkuara, as në Rusi, as gjetkë”, tha Schumer.

Vizita e fundit zyrtare e një presidenti rus në Shtetet e Bashkuara është bërë në qershor të vitit 2010 nga Dmitry Medvedev, tani kryeministër i Rusisë.

Sipas kritikëve, Trumpit i është dhënë mundësi e mjaftueshme në konferencën e përbashkët të shtypit për të qortuar Putinin, lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane, porse ai ka vendosur të pranojë mohimet e Putinit përballë konstatimeve të agjencive amerikane të inteligjencës.

Trump, më pas, ka thënë se është keqinterpretuar.

Shtëpia e Bardhë tha po ashtu se ka refuzuar propozimin e Putinit që autoritetet ruse të jenë të pranishme në marrjen në pyetje të amerikanëve që i akuzojnë për “aktivitete të paligjshme”. Në këmbim, Putini ka sugjeruar se mund të lejojë qasjen e amerikanëve te 12 rusët që SHBA-ja i akuzon për ndërhyrje në zgjedhjet e saj.

“Ka qenë një propozim i bërë me sinqeritet nga presidenti Putin, por presidenti Trump nuk është dakord me të”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Të mërkurën, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Rusi ka listuar disa amerikanë që dëshiron t’i marrë në pyetje për, siç thuhet, “aktivitete të paligjshme”, përfshirë Michael McFaul, i cili ka qenë ambasador i SHBA-së në Rusi gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama.

“Kjo nuk do të ndodhë”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, për televizionin CBN News . /REL

Më Shumë

MKRS në ditën përmbyllëse të festivalit “Hasi Jehon”: Vendtakim kulturor që sjell trashëgiminë e pasur folklorike

Në Gjonaj të Hasit po mbahet (2-4 maj) edicioni i 35-të i Festivalit folklorik “Hasi Jehon 2024”. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një...

Robin Krasniqi i çeliktë ndaj Jorge Silvas

Robin Krasniqi ka shënuar fitore ndaj boksierit portugez Jorge Silva, në kategorinë gjysmë të rëndë. Krasniqi triumfoi ndaj Silvas, me vendim të gjyqtarëve. Ai ishte më...

Lajmet e Fundit