22.8 C
Prizren
E martë, 8 Tetor, 2024

KDI: Të funksionalizohen Komitetet për Komunitete në komunën e Prizrenit dhe Dragashit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë një konferencë për media sot ka publikuar të gjeturat nga monitorimi i punës së Komiteteve për Komunitete në komunën e Prizrenit dhe Dragashit.

Naim Cahanaj nga KDI ka theksuar problemin e mos funksionimit të Komiteteve për Komunitete në komunën Prizrenit dhe Dragashit në aspektin e përmbushjes së detyrimeve të tyre ligjore. Sipas tij, “Komiteti për Komunitete në Prizren, që nga konsituimi i tij me datë 15 mars 2018, ka mbajtur vetëm dy takime, derisa Komiteti për Komunitete në Komunën e Dragashit gjatë këtij viti ka pasur aktivitet më të shtuar duke mbajtur 4 mbledhje gjatë kësaj periudhe. Për shkak të dështimit të tyre për të përmbushur detyrimet e tyre ligjore komunitetet pakicë mbeten të privuar në trajtimin e çështjeve dhe interesave të tyre në proceset vendimmarrëse”.

Kurse Almedin Fejza nga KDI, ka vazhduar me të gjeturat tjera dhe mos respektim të ligjeve nga komitetet. “Përveç mos përmbushjes së obligimeve që rrjedhin nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale, Komitetet për Komunitete në dy nga komunat e monitoruara, nuk kanë respektuar edhe ligjet tjera sektoriale duke përfshirë ligjin për barazinë gjinore si dhe ligjin për përdorimin e gjuhëve zyrtare”. Sipas tij “mos respektimi i gjuhëve zyrtare gjatë thirrjeve të mbledhjeve, mungesën adekuate të përkthimit gjatë seancave të mbajtura, mos përfaqësimi i kuotës gjinore, janë vetëm disa nga aspektet negative që kanë përcjellë punën e komiteteve në këtë periudhë”. Komiteti për komunitete në Dragash përkundër vlerësimit të ligjshmërisë nga ana MAPL-së, që përbërja e komitetit është në kundërshtim me ligjin për barazinë gjinore, vazhdon të jetë me këtë përbërje.

Duke specifikuar rendësin e Nënkryetarit për Komunitete ai me tutje theksoi se “mos zgjedhja e Nënkryetarit për Komunitete në komunën e Prizrenit paraqet një hendek dhe boshllëk në përmbushjen e kritereve ligjore sa i përket përfaqësimit të interesave të komuniteteve pakicë në këtë komunë”.

Me qëllim të fuqizimit të komuniteteve dhe përfaqësimit të tyre në institucionet lokale, KDI rekomandon Kryetarin e komunës së Prizrenit që të evitojë sa më parë çështjen e mos zgjedhjes së Nënkryetarit të Komunës për Komunitete. Po ashtu, rekomandon Kryesuesit e Kuvendeve të Komunave të Prizrenit dhe Dragashit të ndërmarrë masat adekuate në ngritjen e nivelit të punës së Komiteteve për Komunitete, bazuar në përgjegjësitë dhe obligimet ligjore që rrjedhin në kuadër të funksionalizimit të këtyre mekanizmave.

Njëkohësisht, kërkon nga përfaqësuesit e subjekteve politike të komuniteteve pakicë si dhe kryesuesit të Komiteteve që të ngrisin angazhimin e tyre në këto mekanizma si dhe të rrisin përgjegjshmërinë e tyre në drejtim të përmbushjes së interesave të komuniteteve pakicë në komunat përkatëse.

Më Shumë

Mbi 2132 gjoba trafiku për një ditë në Kosovë

Policia e Kosovës ka shqiptuar 2132 gjoba trafiku gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Gjithashtu janë regjistruar 56 aksidente trafiku, nga to një me...

Prokuroria e Prizrenit mban ligjërata vetëdijësuese në shkollat e Prizrenit

Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht dy prokuroret nga Departamenti për të Mitur, Sahide Sefa dhe Merita Kurtishi-Gaka, kanë realizuar ligjërata vetëdijësuese në shkollën Sh.F.M.U....

Lajmet e Fundit