Në organizim të drejtorit ekzekutiv të spitalit të Prizrenit, Prof. Ass. Dr. Afrim Avdaj, Këshillit Drejtues dhe gjithë punonjësve të Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, të martën, në Amfitetarin e Spitalit është organizuar Akademi Përkujtimore me rastin e ndarjes nga jeta të infermierit, Sefer Karanezi.
Për jetën dhe veprën e Sefer Karanezit ka folur shefi i personelit, Shefajet Berisha, për punën në infermieri ka folur drejtori i Infermierisë, Shyqri Hasani, ndersa për figurën, punën, angazhimin dhe kontributin gati 40 vjeçar të Seferit ka folur drejtori ekzekutiv i spitalit, Prof. Ass. Dr. Afrim Avdaj
‘Seferi ishte njeri i dashur dhe i afërt, ishte profesionist dhe vizionar. Ai me kohë e kishte kuptuar se t’i shërbesh popullit tënd, është detyrë profesionale, humane. Këtë e ka dëshmuar i duke qenë gjithmonë pranë dhe në shërbim të pacientëve, ndërsa ishte shembull edhe i kryerjes së detyrave me përgjegjësi udhëheqëse, duke qenë në pozitën e kryeinfermierit të departamentit të Diagnostikës dhe të laboratorit”, – theksoi drejtori Avdaj.
Kujtime nga puna dhe veprimtaria e Sefer Karanezit ka evokuar dr. Nurishahe Hulaj, në emër të familjes ka falënderuar i biri, Adem Karanezi, ndërsa me flautë ka intrerpretuar Kaltrina Krasniqi, profesoreshë në shkollën e muzikës “ Lorenc Antoni” dhe anëtare e Filharmonisë së Kosovës.
Biografia
Sefer Bahtijar Karanezi lindi më 15 shkurt 1960 në fshatin Shtruzhe. Katër klasat e para të fillore i kreu në vendlindje, ndërsa katër tjerat i vazhdoi në shkollën “Mustafa Bakiu “ në Prizren. Në vitin 1978 kreu shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren. Në vitin 1979 regjistrohet në fakultetin e Biologjisë në Prishtinë. Në vitin 1981 punësohet infermier në fshatin e lindjes, në Struzhe. Aty punoi deri në vitin 1991 prej nga u transferua në Prizren në ambulancën në lagjen “Lakuriq”. Në vitin 1995 masat e dhunshme të pushtetit serb e larguan nga puna. Nga viti 1995 deri në përfundim të luftës në vitin 1999 Seferi vazhdoi angazhimin e tij professional, duke ndihmuar popullatën në forma të ndryshme. Pas përfundimit të luftës, në qershor të vitit 1999 deri në momentet e fundit të jetës punon në spitalin e përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, duke mbajtur edhe pozita udhëheqëse në Departamentin e Diagnostikës.
Në korrik të vitit 2017 fillon keqësimi i gjendjes shëndetësore dhe diagnostifikohet me një sëmundje të rëndë, ndërsa në muajin shkurt 2018 i nënshtrohet edhe një operacioni të rëndë.
Gjendja shëndetësore sa vinte e bëhej edhe më e rëndë. Të dielën e 30 shtatorit 2018, në ora 17.15 pushoi së rrahuri zemra e Sefer Karanezit, duke u ndarë fizkisht nga kjo botë, por duke lënë kujtimet më të mira të kolegut, familjarit dhe prindit shembullor.
Sefer Karanezi është varrosur të hënën në varrezat e qytetit në Prizren. /PrizrenPress.com/