Rezart Palluqi
Studenti Gentian po shpejton të mbërrijë në kohë. Seminari për “Demokracinë dhe Kapitalizmin” fillon në orën katërmbëdhjetë. Atij i duhet të hipë dhe zbresë tre herë autobuzin për të mbërritur në adresën e sallës pompoze, ku do të diskutohet dhe mbahen ligjërime rreth sistemit demokratik përballë sistemit kapitalist.
Gentiani e ka lënë të takohet me shkrimtarin R.P tek rruga e Elbasanit, i cili sapo e pa Gentianin mbrapa xhamit të pluhurosur të autobuzit ia bëri me dorë.
-Shpejt se s’kemi kohë- e kujtoi studenti kolegun e tij.
-Hej, qetësohu. Kapitalizmi i egër merr frymë si bretkosë ndërsa Demokracia e shëndetshme merr frymë ngadalë, si një peshk- reagoi shkrimtari R.P.
Studenti nuk u qetësua me përgjigjen e tij.
-Më pëlqejnë filozofitë e tuaja. Por ato paraqiti mbas pak në sallën e bisedimeve dhe jo këtu.
-Filozofitë e mia nuk pinë ujë nëse pjesëmarrësit ose ligjëruesit nxitojnë si ti tani. Nuk ecet përpara nëse të kaluarën, pra brezat e këtij plakushit, i mohon, përbuz, injoron kaq egër- replikoi shkrimtari R.P.
Më në fund shkrimtari R.P hipi në autobus. Ai preferoi të ulej pranë një burri të moshuar, i cili kishte blerë një kuti të madhe me bojë muri.
-Nuk është pak e rëndë kjo kutia këtu për ty xhaxha?- e pyeti shkrimtari R.P.
-Sa gjëra të rënda janë për mua në këtë shoqëri, o bir. Duam s’duam, jemi mësuar të ngrejmë pesha të rënda. Kështu qenka shkruar kjo jetë. Si në rini, si në pleqëri të mbash një thes të rëndë mbi shpatulla. Ndërsa në shoqëritë e tjera kapitaliste, pleqtë ndërohen plot respekt kudo. Ata jetojnë në shtëpi komode, të pajisura me lehtësira nga më të ndryshmet. Në rrugë ata, kur këmbët i kanë braktisur, qarkullojnë me karrige elektrike. Ndërsa unë sot, jam i detyruar edhe pse këmbët më dridhen nga nervi shijatik, sëmundja kockore e orteopozës po m’i hollon krahet si harabel, të mbart pesha të rënda si kjo këtu.
Plaku ia bëri me sy drejt kutisë së rëndë të bojës.
– Ç’të bësh o bir? Njeriu ka nevojë për ripërtëritje- vazhdoi ai, i inkurajuar nga durimi dhe vemendja e madhe e shkrimtarit.
-Më është bërë bajate ngjyra blu e mureve të shtëpisë. Ramë dakord me bashkëshorten time të shtrenjtë, t’i lyejmë muret e shtëpisë tonë plot lagështirë, ngjyrë të verdhë. -Ju besoj jetoni jashtë Shqipërisë?
-Po, po. Pa më thoni të lutem si e spikatët këtë? Unë jam veshur shumë thjeshtë…as kostum…as kollare!
Plaku simpatik qeshi thershëm.
-Durimi yt për të më dëgjuar, gjuha juaj e qetë trupore…
Shkrimtarit R.P i bëri përshtypje të thellë zhbirimi psikologjik i burrit të moshuar.
-Koleg, eja… Mbërritëm. Duhet të zbresim. E vazhdon herë tjetër bisedën me plakushin- i kujtoi studenti, i cili tashmë një këmbë e kishte vënë në tokë, tjetrën në dyshemenë e autobusit.
Shkrimtari R.P edhe pse e dëgjoi thirrjen e studentit, tashmë durimhumbur, nuk reagoi por vazhdoi me ritme të stabilizuara bisedën me burrin e moshuar, i cili po i rrëfehej me mllef rreth sakrificave që kishte bërë për këtë vend, dhe përbuzjen, harresën ‘ç’njerëzore të brezave të sotëm për të dhe tërë brezin e tij.
-Na u bë vonë koleg. Eja se do të bëhemi rezil. Ju andej nga perëndimi më duket se jeni shumë korrektë në takimet që mbyllni?- rikujtoi studenti.
Shoferi, që i kishte ngulur sytë në pasqyrën anësore të autobusit, paralajmëroi studentin të largonte këmbën e djathtë nga hapësira ndarëse e derës së mbrapme të autobusit.
Studenti u bind menjëherë.
Ndërsa autobusi u nis drejt destinacionit të tij, shkrimtari R.P nxorri kokën në dritare dhe i tha studentit: nëse të pyesin për mua thuaji, se unë shkova të ndihmoj një plak të braktisur. Do i sjell kutinë e bojës së rëndë në shtëpi. Thuaji kolegëve se unë e përfytyroj Demokracinë e vërtetë si një nuse e re, inteligjente dhe bukuroshe, e martuar me një plak, muskujsqullur, këmbëdridhur por krenar dhe jo si ky plakushi këtu, i braktisur dhe hidhëruar.
-O njeri i lajthitur! Zbrit tani se më fëlliqe, më bëre rezil. Isha unë ai që u propozova organizatorëve të konferencës për të marrë pjesë ti?- ulëriu studenti duke e ngritur në ajër dosjen ku strehohej ligjërata e tij.
-Mos harro që t’i përcjellësh kolegëve të mi shqiptarë fjalët që sapo të thashë- u përgjigj shkrimtari R.P, tashmë duke e zhvendosur kutinë e rëndë të bojës së plakushit drejt derës së autobusit, i cili edhe pak sekonda po i afrohej stacionit të ardhshëm, ku plaku do të zbriste dhe shkonte në shtëpinë e tij, këtë herë, i shoqëruar nga një shërbëtor dhe vesh njerëzor, krejtësisht i panjohur…