Tri ditë pas raportimit të Insajderit lidhur me tentimin e Bankës Tregtare Kombëtare (BKT) për t’ia shitur në mënyrë të dyshimtë shtëpinë e hipotekuar 54-vjeçarit nga Prizreni, Sali Shehut, Prokuroria Themelore në Prizren ia ka bllokuar bankës mundësinë e shitjes së pronës.
Shehu ka ngritur padi dhe ka deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren vitin e kaluar. Ai akuzon institucionin bankar se ia falsifikoi nënshkrimin në dokumente me qëllim shitjen e shtëpisë së hipotekuar prej tij në vitin 2009.
Madje, BKT inicoi procedurë përmbarimore ndaj Sali Shehut dhe katër bashkë-kredimarrësve të tjerë – familjarë të 54-vjeçarit – me arsyetimin se ata nuk i janë përmbajtur aneks-kontratës për riprogramimin e kredisë që dyshohet të jerë falsifikuar nga zyrtarët e bankës në vitin 2015.
Megjithatë kur pritej që shtëpia e hipotekuar prej Shehut të shitej në ankandin e dytë publik, të mbajtur të hënën, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka marrë vendim sot që t’i ngrijë asetet e hipotekuara të Sali Shehut për 72 orë dhe ka parashtruar kërkesë në Gjykatë për lëshimin e urdhrit ndalues.
Në një prononcim për Insajderin, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala ka thënë se për kërkesën e tyre janë njoftuar edhe Agjencia e Kadastrit në Komunën e Prizrenit dhe përmbaruesi privat Rushit Hoxha.
“Ne kemi marrë urdhër për ngrirje të përkohshme të aseteve për 72 orë dhe kemi parashtruar kërkesë në gjykatë për lëshimin e urdhrit ndalues. Po e presim çka do të vendos Gjykata lidhur me kërkesën tonë”, ka thënë Shala për Insajderin. “Për urdhrin tonë i kemi njoftuar edhe përmbaruesit edhe Agjencinë e Kadastrit për të ndaluar çfarëdo shitje apo tjetërsim të pasurisë”.
Ndërkaq, Taulant Hodaj, avokati që përfaqëson Sali Shehun në këtë rast, është shprehur se në ankandin publik të mbajtur të hënën, BKT tentoi ta merrte pronën meqë nuk kishte ofertues të tjerë.
Padi ndaj BKT-së – akuzohet se falsifikoi nënshkrimin e qytetarit për t’ia marrë shtëpinë
“Ankandi i dytë dhe i fundit ka qenë i caktuar për të hënën. Unë isha prezent si përfaqësues i kreditorit dhe i kërkova përmbaruesit privat që ta shtyjë seancën për arsye se për rastin kanë filluar hetime. Përmbaruesi nuk e pranoj këtë kërkesë dhe vazhdoj me ankandin e dytë dhe banka e shqyrtoi rastin dhe ata vet kërkuan ta marrin pronën pasi nuk kishte ofertues të tjerë”, u shpreh Hodaj në një bisedë telefonike me Insajderin.
Mirëpo, përmbaruesi privat, Rushit Hoxha, e mbylli seancën pa vendosur lidhur me fatin e shtëpisë së hipotekuar.
“Pastaj pasi nuk e miratoi kërkesën time për shtyrje, unë kërkova përjashtimin e përmbaruesit, ndërkaq ai mori një vendim kësisoj: ankandin e mbylli por vendimin për miratimin e shitjes së shtëpisë tek banka nuk e mori. Tha që do ta marrë këtë vendim pas seancës”, u shpreh avokati Hodaj.
Siç ka raportuar Insajderi të dielën, në kallëzimin penal të deponuar kundër BKT-së thuhet se Banka Kombëtare Tregtare dhe dy përfaqësuesit e saj, F.M. dhe Z.G., dyshohen për kryerjen e veprave penale: Falsifikim i Dokumentit, Keqpërdorimi i Autorizimeve Ekonomike dhe Mashtrimi ose Dëmtimi i Kreditorëve.
“Ekziston dyshimi i bazuar se F.M dhe Z.G në cilësinë personave përgjegjes – përfaqësuesve të BKT-së si kredidhënëse, me datë 30.01.2015 në lokalet e BKT-së në Prizren pas një marrëveshjeje paraprake në mes tyre, kanë përpiluar në mënyrë të plotë Aneks- kontratën për ri-programimin e kredisë”, thuhet në kallëzimin penal që avokati Taulant Hodaj dorëzoi në Prokurori më 30 nëntor të vitit të kaluar.
Kallëzimi penal ngrit dyshime se BKT dhe përfaqësuesit e saj kanë falsifikuar qëllimshëm dokumentet e Sali Shehut.
“[…] kanë bërë hartimin e plotë të aneks- kontratës duke i caktuar vet kushtet e kontratës dhe të njëjtit me dashje që BKT të përfitojë kundërligjshëm dobinë pasurore, kurse debitorëve (palës kredimarrëse – bashkredimarrësit dhe garantuese) t’iu shkaktohet dëm, kanë falsifikuar nënshkrimet e debitorëve”, pohohet në kallëzimin penal. /Insajderi.com