8.8 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Seksi / Morali

Shkruan: Driada Matoshi

A mundemi me u mësu njëherë e mirë mos me i përzi njana me tjetrën këto dy koncepte kaq diametrikisht të kundërta – pra seksin dhe moralin. Bile qysh edhe po e shihni, me quajt seksin koncept, menjëherë na vjen fjalia si e panatyrshme, e lëre më koncept filozofik, siç mundemi me iu referu moralit.

A mundemi me u ndal një ditë e me mendu seriozisht se çka është njana e çka është tjetra, edhe se pse këto dyja nuk bon kurrqysh me u ngatërru njana me tjetrën, se dojmë më shku posht.

Horë me ka krejt po vazhdojmë me u ba tu u marr me muhabete të ulta shtrati, e tu mos lanë vend e hapësirë për gjana ma qenësore e konstruktive, që kishin me pas vërtetë impakt në jetët tona t’vogla. Në fakt muhabetet rreth shtratit nuk janë krejt të këqija, e gjeneratat duhen me u eduku drejt për krejt sa i përket seksualitetit, ama jo tema kryesore e adoleshentëve me qenë sot, ashtu qysh me ka rastisë me i ndëgju shpesh, se si kur ta mbushin moshën, kanë me e marrë një grua virgjine, dhe se po të mos qëllojë e tillë, ma mirë nuk martohen fare.

Khuuuu, unë sinqerisht kam besu që të paktën temën e virgjërisë e kemi tejkalu dreqi e marrtë. Por jo, ncuk, as që ish rendi i asaj pune bile, edhe fatkeqësisht kjo nyje e lidhun “Seks/Moral” shekuj ma përpara, akoma sot po del të jetë shumë e fortë.

Boll ligjerata e Ëork-shope e trajnime për të rinjtë, me bollëk, kah ta kthejsh kryet, ama besomëni esenca nuk është që të rinjtë t’i mësojmë se si duhet me qenë politikisht korrekt.

“Gjeneratat e reja mësojnë ta përdorin termin gra e jo femra”. Hajde de, qenka zbulu uji i nxehtë edhe një herë. Jo, jo, këta fëmijët e adoleshentë kanë nevojë për seanca terapeutike, e bashkë me terapistin me i rishiku konceptet për jetën, gjininë e kundërt, marrëdhaniet, e të gjitha me radhë, sepse një mendësi e tillë nuk ka qenë as e gjyshit tim.

N’shqiptari e besoj në krejt vendet e pazhvillume, relativisht të prapambetuna apo të sapo dala nga izolimi a diktatura, sporti ma popullor padyshim janë thashethemet rreth jetëve private e intime të njani-tjetrit, cilësimet e kategorizimet e ndryshme krejtësisht banale, që sot nuk i dëgjon vetëm privatisht, por të shfaqen edhe si krytituj në nëpër të gjitha mediumet me rekorde te lexueshmërisë. “Ish i pamoralshëm, po i ndrrojke partneret”. (kështu zakonisht nuk thojnë për meshkujt, përkundrazi në shumicën e rasteve motivohen dhe lëvdohen, përveç kur është në pyetje presidenti, por diçka si “Ish e pamorlashme e kish lanë burrin për dashnorin, e la te fejumin – marre i koftë, ish nda prej të dashurit – s’di çka i koftë”. Jo more zotëri ndërrimi i partnerëve, e lanja e burrit për dashnorin nuk ka të bëjë me moralin, hiq, as edhe një fije, morali e etika janë krejt koncepte të tjera dhe maten me krejt të tjera veprime.

Për ma tepër njerëzit me dy gram tru nuk i marrin si kallëpe të servuara, por i krijojnë dhe i përshtatin ato në bazë të nevojave dhe përgjegjësive individuale, dhe fakti që ne vazhdojmë akoma edhe sot t’i kategorizojmë njerëzit, sidomos gratë, jo në bazë të punës, përkushtimit, çiltërsisë dhe ndershmërisë, por në bazë të sasisë së aktivitetit seksual, është me të vërtetë tragjedi.

Për që është në gjendje një shoqni e tanë me e rrënu një personalitet e me çu deri në fund t’greminës, me ia mbyll tana dyert tu e stigmatizu e linçu, sikur me pas kanë hajni, përdhunuesi, e krimineli ma i madh veç pse ai ose ajo nuk është dakord, ka ndërruar mendje apo nuk vazhdon me apliku ma sistemin monogam si të shumicës, këtë e sheh te ne dhe tek shoqëritë tjera konseravtive si në vendet arabe apo gjetiu, edhe natyrisht aty ku divorcet kushtojnë miliona, në botën e yjeve.

Për me vizualizu krejt atë çka po du me thanë, po du me fol pak për përvojën tem të parë dhe ultra traumatike kur kam fillu me exploru me gjininë e kundërt, ma thotë mendja si krejt adoleshentët normal të botës në moshën 12 apo 13 vjeçare. Ma thotë edhe sot mendja, e ndoshta kështu diqysh ma ka thanë edhe atëherë, që gjithçka është e natyrshme me pas dëshirë më ju afru një djali, me ja kap dorën e me puth në buzë. Po, ama jo në vitin 97-të, jo në Gjilan, dhe jo në shoqninë tonë.

Unë hala nuk e kam të qartë se sa të paaftë kanë ditë me u tregu e me keqmenaxhu krejt atë situatë, si prindërit, ashtu edhe mësimdhanësit, a masnej krejt shoqnia. More unë veç kam dashtë më puthë atë djalin jo me u martu me të. Po, po, për pak më martuan.

Natyrisht nana nuk e kish leju atë punë kurrë, por në një farë forme një status të tillë ma veshën diqysh si pa naj diskutim të madh, me demek unë a e putha filanin? Po. Eh me shnet e bajsha burrin. Se për me i ra pishman mas naj dite, ose me pas qejf me e ndrru pak shoqninë, ndoshta more veç thjeshtë me e ndrru mendjen, as që bahet llaf. Kurrën e kurrës. Ti në fakt ke mujt me i ba krejt këto, edhe me ndrru mendjen edhe me ndrru shijen, qysh pa i dhanë as pesë pare i kam ba edhe vet, ama çka pason masnej është pak e gërditshme.

Çka pason masnej është arsyeja e këtij shkrimi, është arsyeja e shumë zgjedhjeve që i kam ba në jetë, zgjedhje këto që i konsideroj definitivisht larg ma të mira se drejtimin që e kanë marrë krejt shoqet e shokët, që edhe sot e kujtoj kënaqësinë që e kanë ndje kur më kanë thirr kurvë e më kanë lanë vet me u ul në bankë, është arsyeja e të kuptuarit në çfarë llumi prej shoqërie jetojmë dhe se sa kaq thellësisht na mungon kulturimi.

E kemi këtë qasje kaq t’gabume e kemi qef me i lidhë nyje e me i ngatërru aq fort njana me tjetrën, aktivitetin seksual me personalitetin e njeriut, deri ne atë masë sa nuk e marrim vesh ma se për çka jemi tu fol e çka po dojmë me thanë. I klasifikojmë njerëzit si të denjë apo të pa denjë në bazë të një kriteri krejtësisht joreal dhe të papranueshëm. I etiketojmë njerëzit (në veçanti gratë) me gjithëfarë nofkash, e në mënyrat ma të pasjellshme tu marrë për bazë fakte tepër relative që vijnë si rezultat i disa zgjedhjeve plotësisht personale e të brendshme, të secilit individ në mesin tonë.

Shpesh edhe kur kjo çashtje na imponohet dhe nuk është zgjedhje jona, si në rastin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, e edhe në paqe, ne kemi paftyrësinë t’i mohojmë e ti stigmatiozojmë, për dekada t’i mbajmë fshehur nëpër biruca e t’i helmojmë çdo ditë si minjtë, se mos rastësisht po e qesin kryet ,po flasin, po identifikohen, e po na shkon ftyra. Jau dhifsha ftyrat, sepse një gru e jona duhet me shku ne fund të botës me i gjet krahët e me ardhë në vend të vetin me e denoncu krimin e kriminelët haptazi.

Tash kisha dashtë me e shtru problemin pak ma globalisht e me u mundu me kuptu thelbin edhe rranjët e këtij ngatërrimi. Po kthehemi pak prapa në kohë e po e shohim se çfarë lloj ndryshimi ka mujt me ndodh përgjatë zhvillimit të njërzimit, në cilën periudhë të kohës, dhe arsyen pse kemi nisë me e ba praktikë këtë mënyrë të mendimit. Pse kemi nisë me e sulmu apo me cilësu njani tjetrin në bazë aktivitetit hormonal, numrit të partnerëve e koncepteve individuale mbi marrëdhanjet. Në bazë të studimeve të fundit që kam lexu, njerëzimi ka jetu gogja gjatë në paqe me njëri tjetrin, dhe sipas antropologëve ata kanë ba një jetë jashtëzakoisht të lumtur, afër natyrës, dhe nuk kanë qenë të prirun t’i konsiderojnë gjërat për çfarë ne po flasim si probleme, atëherë kur dashninë dhe aktivitetin seksual e kanë pas mjetin më te mirë komunikimit. Kuptohet që po flasim për një strukturë krejt të ndryshme shoqërore, por esenca është që ne bilogjikisht dhe anatomikisht që nga ajo kohë kemi pësuar ndryshime ekstremisht të vogla. Në fasadë dhe në mënyrën e jetës kemi ndryshuar totalisht, ama nëna natyrë shpesh na thërret dhe na krijohen pastaj dilema dhe konfuzitete nga më të ndryshmet. “A jam ajo çfarë ndjejë apo ajo çfarë thonë se duhet të jem”, dhe ky në fakt është një ndër konfliktet më të mëdha emocionale dhe psikologjike të njeriut modern të këtij shekulli.

Kthesa ma e madhe e njerëzve përpos revolucionit konjiktiv të trurit, dhe pas periudhës së gjahtarë mbledhësve, ku kemi jetuar duke ndarë gjithçka me njëri tjëtrin, ka ndodhë pikërisht pasi është shpikur prona si koncept. Filozofët dhe mendimtarët bashkëkohorë akoma janë në dilemë nëse kjo shpikje ndër më të mëdhatë në histori të njerëzimit e ka quar atë drejt përparimit dhe zhvillimeve pozitive, apo e ka kthyer prapa, e ka përqarë dhe robëruar.

Unë personalisht mendoj që ky zbulim është fillimi i fundit të njerëzimit e fillimi i ngataltë por i sigurt i zhdukjes së vlerave njerëzore dhe humane. Ky qëndrim më forcohet akoma më shumë kur mendoj për të gjitha koncekuencat që ka sjellë zbulimi i konceptit të pronave private dhe trashëgimisë në raportet tona ndërgjinore. Me gjithë zhvillimet intelektuale e kulturore që kanë pësuar, të cilat janë absolute dhe kruciale për ne, gjatë rrugës luftën e kanë humbur gratë, dhe jo pse ashtu ato kanë dashur por sepse të tilla kushte janë krijuar në rrethanat e reja. Ju mundeni me u hamend e me pyet se çfarë lidhje ka kjo me moralin e mbi të gjitha me seksin. Ka që çuditesh, dhe krejt çka ka ndodhë, d.m.th 10 mijë vite para, e deri sot, na ofendoj apo nuk na ofendoj ka qenë kryekëput fushatë agresive dhe fort intenzive kundër gruas. Kundër emancipimit të saj, kundër daljes së saj jashtë shtëpisë, kundër shkollimit të saj, kundër zhvillimit të saj fizik e mendor. Dhe krejt këto për një arsye ekstremisht të thjeshtë dhe banale, në mënyrë që meshkujt t’i ruajnë pronat e tyre, në mënyrë që ata të jenë të sigurt që pronën e tyre do t’ua trashëgojnë djalit të tyre të vërtetë. Toka jem, gjaja jem, gruja jem(robi jem), fëmijët e mi. Me kalimin e kohës kjo praktikë e re e menduar, e planifikuar dhe ekzekutuar nga meshkujt për meshkujt, në të mirë të meshkujve, është ba stil i jetës, është shëndrru në vlerë e në traditë si familjare ashtu edhe fetare e më pas edhe shtetërore e ligjore.

Me ju dhanë çikave më shumë rol komplikohet situata. Me i çu në shkollë bahen të meçme, me i lan me lexu libra bahen të vetëdijëshme se me çfarë budallenj janë të rrethum, me i emancipu i ha dreqi lypin edhe hise. Mbaja gojën mbyllur.

Prandaj “çikat duhen te rrinë në shtëpi, të jenë të virgjëra kur të shkojnë te burri, mos të dalin prej shtëpisë, dhe të kujdesen për fëmijët. Përndryshe do të quhen të pamoralshme, të poshtra, të këqija, lavire dhe të padenja për të qenë pjesë e kësaj shoqërie të mrekullueshme”.

DRIADA MATOSHI / Autorja është aktore, gazetare dhe drejtuese e kompanisë “Picrra”

Më Shumë

Pensioni po i fyen e poshtron mësimdhënësit e viteve të ’90-a?!

Adem Gavazaj Mësimdhënësit që kanë punuar në vitet e '90-ta në arsimin paralel të Kosovës, tani po shpërblehen me pensione që i poshtërojnë dhe i...

Nesër përurohet Qendra e Re e Mjekësisë Familjare në Mamushë, marrin pjesë Kurti e Vitia

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nesër do të bëhet përurimi i Qendrës e Re e Mjekësisë Familjare në komunën e Mamushës. Në njoftimin e...

Lajmet e Fundit