9.9 C
Prizren
E enjte, 9 Janar, 2025

Ditë të vështira për Burdushin në burg : Si tentoi të vetëvritet dhe shpëtoi pa asnjë lëndim “mjeku popullor”

Ushtroi “profesionin” e mjekut popullor për vite të tëra pa u penguar. Por, që nga nëntori askush nuk ka marrë rrugën për në shtëpinë e Hysri Peqanit, i njohur si Burdushi. Ai u arrestua po atë muaj, pas bastisjes që u krye në shtëpinë e tij. Por, jeta në qeli, duket se është bërë e padurueshme për Burdushin.

Para rreth një muaji, ai kishte hyrë në grevë urie, derisa javën e kaluar ai ka tentuar që t’i japë fund jetës, duke përdorur çarçafin e shtratit.

Mëngjesi i 25 shkurtit të këtij viti nuk ishte edhe aq i këndshëm për të burgosurit dhe zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Rreth orës pesë të mëngjesit, ata u zgjuan me një zhurmë që vinte nga njëra prej qelive.

Brenda asaj qelie ndodhej Hysri Peqani, i njohur në popull si Burdushi. Po atë ditë, Burdushi kishte tentuar t’i japë fund jetës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku është duke u mbajtur për më shumë se dy muaj.

Ai në shenjë pakënaqësie kundër vendimit të Gjykatës pas grevës së urisë, ka tentuar që të bëjë vetëvrasje, duke përdorur çarçafin e shtratit.

Por, me të dëgjuar zhurmën në dhomën e Burdushit, zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe e kanë parandaluar atë të bëjë një gjë të tillë.

“Me datën 25.02.2019, rreth orës 05:00 të mëngjesit, i paraburgosuri H.P. ka tentuar të bëjë vetëvrasje, me ç’rast si mjet ka përdorur çarçafin e shtratit, i cili është në dhomën e tij. Mënyrën e tentim-vetëvarjes e ka bërë duke e lidhur çarçafin për TV të cilën, po ashtu, e ka në dhomë. Pasi që është dëgjuar një zhurmë në dhomë, zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe kanë parandaluar një tentativë të tillë ende pa filluar (d.m.th. në fazën fillestare)”, ka thënë Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi për Gazetën Express.

Thaçi ka thënë se Burdushit i është dhënë ndihma mjekësore dhe se është konstatuar që nuk ka kurrfarë lëndimesh.

“Të paraburgosurit në fjalë i është dhënë ndihma mjekësore dhe është bërë kontrolli mjekësor, me ç’rast është konstatuar se nuk ka kurrfarë lëndime, por përveç shqetësimit dhe frustrimit”, ka deklaruar ai.

Shenja të pakënaqësisë ndaj vendimit të Gjykatës, Burdushi kishte shfaqur edhe më herët. Ai kishte hyrë në grevë urie, derisa i ishte përkeqësuar gjendja.

Ndryshe, Burdushi është arrestuar nëntorin e vitit të kaluar pas një bastisje që ishte kryer në shtëpinë e tij.

Nga ajo shtëpi u morën armë, plumba, telefona e madje dhe videoincizime nga brenda dhomës ku Peqani mbante seanca me pacientë.

Siç mëson Gazeta Express, Burdushi në mënyrë të fshehur kishte xhiruar të gjithë ata persona që janë drejtuar të ai për ndihmë, e të gjitha këto janë të ruajtura e në dorë të prokurorisë.

Aty u gjetën gjithashtu edhe armë, të cilat iu kishte skaduar afati i lejës dhe një numër i madh i plumbave.

Bastisja fillimisht ishte kryer nën dyshimet fillestare për dy vepra penale, shmangie nga tatimi dhe për veprën penale të mashtrimit.

Por, pas bastisjes dhe provave të gjetura, ndaj Burdushit, tashmë Prokuroria e Prizrenit, po heton në drejtim të 4 veprave penale.

Sipas Prokurorisë, Peqani dyshohet për veprat Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “Shmangia nga tatimi”, “Mashtrim” dhe “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, që mund t’i kushtojnë atij deri në 12 vjet burg, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata atij ia ka ndaluar edhe ushtrimin e profesionit për tri vjet. Këtë vendim Gjykata Themelore e Prizrenit ia ka shqiptuar si dënim plotësues, pasi e gjeti fajtor për veprat penale të mashtrimit dhe e dënoi me 1 vit burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Peqanit iu shqiptua “Dënim plotësues ku i ndalohet ushtrimi i profesionit, veprimtarisë së pavarur dhe i detyrës së caktuar në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

E së fundi, atij i është sekuestruar dhe ngrirë edhe pasuria në vlerë rreth 3 milionë euro.

Sipas prokurorisë ngrirja e përkohshme e aseteve dhe sekuestrimi është realizuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj të pandehurit Hysni Peçani.

“Prokuroria Themelore në Prizren, në bazë të informacioneve dhe dëshmive të arsyeshme, si dhe, në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Prizren dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar ngrirjen e përkohshme dhe sekuestrimin e aseteve në vlerë rreth 3 milionë euro në dy raste të ndara në Prizren”, thuhet në njoftim.

Shuma e përgjithshme e aseteve të ngrira dhe të sekuestruara në këtë rast arrin vlerën rreth 2 milionë e 600.000 euro./Gazeta Express/

Më Shumë

Lajmet e Fundit