Universiteti “Ukshin Hoti” ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurt dhe Dokumentar (DokuFest). Marrëveshja është nënshkruar të hënën në mes të Rektorit të UPZ-së, Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj dhe znj. Linda Llula Gashi drejtoreshë e DokuFest.
Në thelb të marrëveshjes është bashkëpunimi në organizimin e përbashkët të shkollës verore ndërkombëtare në Prizren.
Ndërkaq, në kuadër të kësaj marrëveshje, UPZ pranon të shfaq filma dokumentar enkas për drejtimet e fakulteteve të UPZ, që do të bazohet në metodologjinë e DokuFest dhe në përputhshmëri të plotë me objektivat strategjike të arsimit të lartë në Kosovë, e që nxisin punën kërkimore-shkencore, artistike dhe inovacionit të universitet.
DokuFest dhe Universiteti “Ukshin Hoti” pajtohen që të bashkëpunojnë gjate procesit të hartimit të programeve të caktuara studimore në kuadër të UPZ.
DokuFest dhe Universiteti “Ukshin Hoti” pajtohen që për nevoja të tyre të shkëmbejnë ekspertë dhe përvojat e tyre në fushat e caktuara, që kanë kapacitete dy palët.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje të bashkëpunimit është zgjerim i bashkëpunimit mes DokuFest dhe UPZ, të cilët kanë pasur bashkëpunim të frytshëm deri më tani, në kuadër të projektit “Prezantimi i qasjeve të reja në edukimin shoqëror II”, i cili është realizuar me sukses bashkë me partnerët rajonal dhe ndërkombëtar.
Në takim ishin edhe Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ngritje të cilësisë, Prof. Ass. Dr. Soner Yildirim, dhe Prof. Ass. Dr. Kushtrim Braha, i angazhuar në ngritjen e kapaciteteve të UPZ-së, i cili ka kontribuar edhe në konceptimin e shkollës verore ndërkombëtare në universitetit.
DokuFest, Festivali Ndërkombëtar i Dokumentarëve dhe Filmit të Shkurtër, është festivali më i madh i filmit në Kosovë. Çdo vit, festivali sjell kinematë dhe vendet e ekspozimit të ekranit, rreth qendrës historike të qytetit të Prizrenit një përzgjedhje prej më shumë se 200 filmave të zgjedhur me dorë nga e gjithë bota.