9.3 C
Prizren
E hënë, 21 Prill, 2025

MKRS-ja dha çmimet për letërsi

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të 12-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka dhënë Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet vjetore për letërsi.

Juria profesionale për vlerësimin e çmimeve në përbërje të prof. dr. Hysen Matoshi – kryetar, Adem Zejnullahu, Faik Shkodra, Emin Emini dhe Riza Haziri – anëtarë, kanë vendosur që çmimet të jepen për: Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” t’i jepet Sabile Keçmezi – Basha; Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” t’u jepet Rrahman Paçarizit për romanin “Shtatë udhë” dhe Albina Idrizit për romanin “Përsëri mars”; Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” t’u jepet Xhevdet Bajrajt për veprën “Kur qajnë hardhitë” dhe Nexhat Rexhës për veprën “Duke kërkuar hijen tënde”; Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” t’i jepet Berat Dakajt (Armagedoni) për studimin “Dramat e Qosjes”; Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” t’i jepet Isa Memishit për përkthimin e romanit “Guaska” të Mustafa Halifas; dhe Çmimi për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj “Vehbi Kikaj” t’i jepet Januz Fetahajt për veprën “Libri i përrallave të gjyshit”.

Me këtë rast, në një ceremoni të organizuar në kabinetin e ministres Vlora Dumoshi, e para e MKRS-së u uroi mirëseardhje laureatëve dhe anëtarëve të jurisë.

“Në këtë ditë të shënuar kujtojmë të gjithë ata krijues që me veprat e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë tonë. Jo rastësisht ndarja e çmimeve të letërsisë po bëhet sot në këtë ceremoni të organizuar nga ministria sepse, përveçse po ndajmë çmime të rëndësishme për letërsinë, kulturën dhe artin, përveçse sot po i shpërblejmë krijuesit e letërsisë, po e festojmë edhe përvjetorin e shtetësisë së Kosovës. Sot simbolikisht më takoi mua si ministre që t’i ndaj këto çmime, ndonëse të gjitha punët rreth vlerësimit të tyre i takojnë mandatit të qeverisjes së kaluar ”, tha ministrja Dumoshi.

Duke filluar nga procedurat e hapjes së konkursit e deri te ndarja e çmimeve parashihen me rregullore të veçantë të MKRS-së, e cila procedurë përfshin dhe emërimin e një jurie, e cila rekomandon laureatët e çmimeve.

“Unë si ministre e vlerësoj lart dhënien e çmimeve për letërsi, sepse besoj se duke dhënë këto çmime për çdo vit ne i kontribuojmë edhe stimulimit dhe nxitjes së krijuesve të shkruajnë, të krijojnë dhe ta pasurojnë artin e fjalës sonë të shkruar”, u shpreh ministrja, duke rikonfirmuar se mbetet e përkushtuar të punojë shumë në mbështetjen e të gjitha fushave të kulturës dhe të artit, të krijuesve dhe performuesve për ta avancuar kulturën e Kosovës dhe për ta promovuar vendin.

Kryetari i komisionit vlerësues, Hysen Matoshi, konfirmoi se vlerësimi i jurisë për ndarjen e Çmimit “Azem Shkreli” autores Sabile Keçmezi – Basha është dhënë me motivacionin për punën e saj krijuese në fushën e letërsisë, për një varg veprash që shquhen për prurje të reja si në përmbajtje ideore, po ashtu edhe në format letrare.

Ndërsa për çmimet e tjera juria dha këto vlerësime: Proza “Shtatë udhë” e autorit Rrahman Paçarizi ta kujton rrëfimin biblik për krijimin e botës e të njeriut brenda një jave. Romani “Përsëri mars” i Albina Idrizit ngërthen vlera ideore, estetike dhe artistike; elemente të bollshme realiste, aktuale, madje historike. Përmbledhja poetike “Kur qajnë hardhitë” e Xhevdet Bajrajt shquhet për intonacionin e veçantë ligjërimor e estetik, për krijimin e kodeve dhe figurave poetike me një emancipim të thellë mendimor e emocional. Përmbledhja poetike “Duke kërkuar hijen tënde” e Nexhat Rexhës shpërfaq dramën e individit si reagim artistik përballë bëmave të historisë dhe të aktualitetit. Studimi monografik “Dramat e Qosjes” i Berat Dakajt (Armagedonit) ngërthen një shumësi elementesh dhe premisash të zhvillimit të dramës shqipe në kontestin historik, teoriko-letrar, ideoestetik, filozofik, antropologjik, mitologjik e socio-psikologjik. Romani autobiografik “Guaska” i Mustafa Halifas, shkrimtar sirian, është një ndër veprat lapidare që, nëpërmjet një rrëfimi të çlirët, përshkruan dhunën dhe brutalitetin e pushteteve, rrjedhojat që ia krijon individit të qëndruarit brenda guaskës kufizuese. Tregimet e vëllimit “Libri i përrallave të gjyshit” të Jonuz Fetahajt përshkohen me ngjarje që trajtojnë botën e brendshme të fëmijëve, dëshirat, ëndrrat, mendimet mbi jetën dhe për jetën.

Më Shumë

E treta, e vërteta

“Play-off”-i i ProCredit Superligës vazhdon të prodhojë ndeshje shumë interesante. Sfidat çerekfinale sollën dramë e adrenalinë deri në fund, derisa për tu kualifikuar në gjysmëfinale...

Mot me diell dhe vranësira të shpërndara – temperaturat nga 5 deri në 20 gradë Celsius

Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira te shpërndara. Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperatura minimale do të...

Lajmet e Fundit