-2.2 C
Prizren
E diel, 24 Nëntor, 2024

Ç’mësuam gjatë pandemisë së Covid-19?

Le ta vlerësojmë për një çast të vetëm periudhën e karantinës duke harruar rrethanat e vështira në të cilat u gjendëm ditëve të para, gjë që nuk na ndodhi në vazhdimësi të kësaj mbylljeje. Le ta harrojmë mendimin që na mundoi, kohën që s’po ecte, vetminë e hidhur, largësinë e të dashurve dhe le të përqendrohemi në anët pozitive të kësaj karantine, në gjithçka që njohëm për vetën (të cilat do të na mbeten gjithmonë të dashura) e për gjithçka që menduam të bëjmë për tjetrin (gjë që nuk kishim menduar ta bënim më parë).

Vetëm një herë le ta udhëzojmë vetën rreth të mirave të kësaj periudhe, me shpresë se sërish do rinjohim vetën e të nesërmen do kemi më shumë gjëra që tjetrit t’i flasim për të.
Le të fillojmë nga mëngjesi kur për një çast të vetëm u zgjuam me dëshirën për të realizuar ëndrrat e për të bërë diçka të mirë për vetën dhe rrethin tonë, kur e pamë derën të mbyllur e brenda dhomës së vogël anëtarët tjerë të familjes, që në pamundësi veprimi, njëjtë si ne, u detyruan të rijnë brenda e ta kalonin kohën (karantinën/pandeminë) ashtu siç s’do të bënin kurrë me jetët e tyre.

A nuk na ngjason kjo me diçka që e kemi lexuar në vepra të ndryshme letrare të shkruara nga Defo, Kamy, Buxhovi, Markezi, Kadare e Bokaçio, por që kurrë s’ kishim menduar se do të bëhej realitet i përditshmërisë sonë? A nuk është kjo gjendje pjesë e historisë botërore që e kaluan shumë të tjerë para nesh me shekuj të tërë, gjë që për imagjinatën tonë ndoshta ngjanë e pamundur? Nëse përgjigjja është një po e madhe, atëherë duhet ta pranojmë faktin që në thellësinë tonë, në skutat më të errëta të shpirtit e kemi të fshehur realitetin: të tejkalojmë çdo situatë të vështirë, gjithë kjo duke qenë në paqe me vetën e duke besuar se si për të gjithë, edhe për ne, e mira rri prapa dere, mjafton që ne të arrijmë t’ia hapim të njëjtën. Kjo hapje do të na dëshmojë se me sukses e kemi tejkaluar murtajën/pandeminë dhe karantinën mbarë njerëzore, gjendje që arriti të prekte të rinj e të moshuar, të pasur e të varfër, burra e gra, pra, çdo qenie që i frikësohet humbjes e që synon një të ardhme më të ndritur.

Nëse ai mëngjes na mbylli brenda e na detyroi të rikthehemi në këndet e shtëpisë që ndoshta edhe i kishim harruar se janë pjesë e saj, në to gjetëm fëmijërinë tonë, atë fëmijën e vogël që brenda nesh kërkonte të rritej e gjithçka tjetër të mbetej e njëjtë: mosha e gjyshit, forca e babait, dora e gjyshes, fytyra e nënës, dita e qeshur e shumë të tjera, të cilat m’u në këto kënde i kishim adhuruar dikur, i kishim bë pjesë të dëshirave tona të zjarrta. Pra, gjetëm atë që është pjesë e dashur dhe e paharruar e gjithsecilit prej nesh.

Për një çast të vetëm na lindi dëshira që m’u në këto hapësira të vogla të zhvillonim dialogët më të ëmbël me të tjerët (me gjyshin, dashurinë e të cilit e kemi ditur gjithmonë se është e pafundme, por jo sa na e fali në këtë periudhë; me babanë, që çdo ditë luftonte me mish e me shpirt të na siguronte kafshatën e gojës dhe gjënë që ne synonim ta blinim; me nënën, vuajtjet e së cilës nuk mund të shlyhen me asgjë, pos me një puthje e me një përqafim të ngrohtë; me vëllanë e vogël, frika e të cilit ishin detyrat shkollore ose me motrën që kërkonte mbështetjen tonë për ta fituar më shumë pikë në gara etj) e monologët më të sinqertë me vetën, për t’ia kujtuar së njëjtës se kjo pandemi do të kalojë e ne nga kjo do të dalim si njerëz të rinj, duke u kapur më fort pas të ardhmes e duke mos harruar pikat karakteristike me të cilat dikur na identifikonin brenda dhe jashtë familjes. Se nga kjo pandemi ne do të mësojmë ta duam më shumë tjetrin/ën, t’ia dimë vlerën lirisë (kur veten do ta quajmë zog, flutur dhe erë), ta përqafojmë më sinqerisht njeriun që do e takojmë, t’ia puthim kokën kur ai/ajo do na mbështetet në kraharor me shpresën se së paku aty do i mbrohen ëndrrat, ose edhe më mirë, ta falim secilin njeri që na lëndoi dje, por që karantina na bindi se edhe fryma e tij/saj vlen e ne duhet ta pranojmë ashtu siç është (më mirë sesa të mos e shohim fare, të mos ia japim dorën edhe për një ndihmë fare të vogël, ose ta humbim përgjithmonë nga jeta).

Në këtë gjendje ne mësuam se, ndonëse hapësirat e shtëpisë janë të vogla, të mëdha i kishin zemrat njerëzit që frymonin në to, gjithë kjo duke mos vazhduar ta quajmë shtëpinë “qeli burgu” ose “kornizë pikture”, sepse secili lufton për një fole të ngrohtë, brenda së cilës tejkalon më me lehtësi të papriturat shoqërore e natyrore. Se në to e shijuam ndryshe mëngjesin që më nuk na zbardhi në rrugën drejt punës ose shkollës dhe mbrëmjen që nuk na kapi kafeneve ose në parkun më të afërt, duke ia pohuar zëshëm vetës dhe të tjerëve, se të gjitha gjërat madhështore që i kishim kërkuar jashtë, i kishim pasur brenda, bashkë me të përsosurën e simpatiken, por që ishte dashur të na vinte një kohë si kjo e tanishmja, që ne të njiheshim me çdo gjë që kurrë s’do të arrinim ta gjenim atje ku mendonim se mund të ishte.

Në këtë gjendje ne u mësuam ta ruajmë vetën e të bindemi se fryma jonë dhe e gjithsecilit duhet të mbahet larg gjërave të dëmshme dhe se e njëjta vlen më shumë se gjëja pas së cilës çdo ditë rendnim të gjithë. U bindëm se është e vërtetë thënia: “Shtëpi e ëmbla shtëpi”, jo se brenda saj në këtë periudhë më tepër se herët tjera na priti aroma e kafjallit me lule të freskëta mbi tryezën e përbashkët familjare, aroma e gjellës përgatitur me dashuri ose shija e mrekullueshme e një ëmbëlsire, të cilat na kishin munguar për një kohë të gjatë e që çdo ditë i zëvendësonim rrugëve të botës, por se brenda saj, ne gjejmë zërat më të dashur e më të ëmbël të jetës sonë, që edhe në këtë rrethanë na frymëzuan të jetojmë, ta shohim jetën më ndryshe e të luftojmë ta mbrojmë atë që kemi dhuratë jetësore (frymën).

Këta zëra na udhëzuan të lexojmë veprat që ia kishim premtuar vetes në një të kaluar të largët e për të cilat gjyshit çdo ditë e më shumë i shtohej mërzia që nuk po i prekte kush me dorë që nga koha kur ai mbylli karrierën si mësues; na frymëzuan ta duam vetën e të jemi më optimistë për çdo rrethanë që do të vijë në të ardhmen, duke u mbështetur në forcën e përbashkët, ngase këtë forcë përralla e kamotshme na e ka ngulitur thellë në kokë, e për të njëjtën sot kemi falënderimet më të sinqerta.

Thonë se gjithçka që vjen ka edhe një ikje, një largim ose edhe një arratisje pa i lënë fjalë dikujt. Thonë se çdo gjëje i vjen fundi, i shteron jeta dhe humbet në horizontet laramane. Sot, kur me pandeminë luftuam të gjithë dhe nëse gjithçka kaloi pa humbur një njeri të dashur, pa humbur vendin e punës ose pa ndjerë vetminë deri në thellësi shpirti, atëherë duhet ta pranojmë këtë periudhë si më të rëndësishmen në jetën tonë, gjithë kjo duke u mbështetur në rinjohjen e vetës dhe të afërmve tanë, të cilëve do t’u kushtojmë një rëndësi më të madhe në vazhdimësi të jetës dhe sa herë që dikush do e përmend të kaluarën ne do i themi se atë koha njoha veten, familjen dhe këndet e shtëpisë; atë kohë vetes sime ia fala kohën më të madhe e si kthim mora dëshirën për të jetuar ende.

Shkroi – Adelina XHAFERI

Më Shumë

Prizreni fillon përgatitjet për festat e fundvitit/ Totaj me shaka: Do bëhet më mirë se Prishtina!

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj në emisionin e mëngjesit ka njoftuar se qyteti i Prizrenit ka filluar pregaditjet për festat e fundvitit. Ai ka thënë...

Vetaksident në rrugën Malishevë-Arllat

Një vetaksident është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Tërpezë, rruga Malishevë-Arllat.Si pasojë një person ka pësuar lëndime trupore.     Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i...

Lajmet e Fundit