13.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Papa Françesku: Shën Nënë Tereza e mirësisë…

Papa: Nënë Tereza ishte e mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit, dashuri e dhuruar, larg ideologjive. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e të varfërve, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!

Sot në 110-vjetorin e lindjes se Ganxhe Bojaxhiut, po rikujtojmë fjalët që Papa Françesku tha në Vatikan, më 4 shtator 2016, për Nënë Terezën, duke e shpallur Shenjte, duke ngritur lartësinë e shenjtërisë që pati jeta dhe vepra saj.

Mbrojtëse e jetës

Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse e mëshirës hyjnore, gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje.

Gjithnjë përkrah më të ligështit, të palindurit…

U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ia njohur dinjitetin, që ia jep vetë Zoti;

…e gjithnjë kundër krimit të varfërisë

E ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre.

Mëshira për të ishte kripë e dritë

Për Shën Terezën, mëshira ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.

Misioni i saj nuk ka nevojë për fjalën tonë, flet vetë

Misioni i Shën Terezës në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër.

Ishte e është model i shenjtërisë

Figura simbolike e kësaj gruaje e rregulltareje mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit!

Nënë Tereza, dashuri e dhuruar, larg ideologjive

Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje.

Shenjtja e buzëqeshjes, gjuhë ndërkombëtare

Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Saj

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Nënë Terezës e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë.

Nënë Tereza hap horizontet e gëzimit e të shpresës

Buzëqeshja e Shën Terezës hap horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri! (radio vatikani).

Disa fakte thelbësore të një jete kushtuar Zotit, Dashurisë dhe Jetës

Nënë Tereza ishte një misionare katolike e devotshme, që gjithë jetën ia kushtoi të varfërve dhe të sëmurëve. Ajo shpëtoi mijëra njrëz nga uria dhe ndihmoi me mjekime shumë e shumë të tjerë, duke bërë edhe mrekulli për të cilat, Vatikani më 4 shtator 2006 e shpalli Shën Tereza. Nënë Tereza vlerësohet sot, si një nga gratë më të famshme dhe më me ndikim të shekullit 20-të, në të gjithë botën.

Me misionin e saj, Nënë Tereza kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, së bashku me motrat misionare mjekuan 960 mijë të sëmurë në 213 streha për njerëzit në nevojë. Ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 mijë viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 të moshuar të braktisur në 20 azile. Nënë Tereza, birësoi 160 fëmijë ilegjitimë dhe të braktisur.

Nënë Tereza ishte shqiptare katolike që lindi në Shkup. Por, shumicën e jetës e kaloi në Indi, si pjesë e misionit që ngriti në ndihmë të personave në nevojë. Ajo, asnjëherë nuk e mohoi orgjinën e vet. Vlerësohet si lapidare, deklarata pas pyetjes së gazetarëve, se nga ishte Nënë Tereza. “Me gjak jam shqiptare, me shtetësi jam indiane dhe me zemër i përkas Jezu Krishtit”, – u përgjigj ajo.

Nënë Tereza, mori 9 çmime të rëndësishme në jetën e vet. Më i rëndësishmi ishte çmimi “Nobel për Paqen” më 17 tetor në vitin 1979, prej nga mori afërsisht 1 milionë dollarë dhe të gjitha i dha për të varfrit. Ndërkohë, ajo është vlerësuar edhe me çmimin “Damian Dutton”. Në vitin 1962, ajo mori çmimin “Ramon Magsaysay”. Në vitin 1973, mori çmimin “Templeton”. Në vitin 1978, çmimin “Balzan”. Në 1980-ën mori çmimin “Bharat Ratna”. Në vitin 1985, mori çmimin “Medal of Freedom”. Në ’96-ën u nderua me vlerësimin “Qytetare Nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Në vitin 1996, u nderua si “Qytetare Nderi i Kosovës”. Për nder të shenjtores, shteti shqiptar jep një dekoratë të veçantë me emrin e saj.

Familja e Nënë Terezës jetonte në Tiranë dhe këtu ndërruan edhe jetë. Varret e nënës së saj Drane dhe motrës Age, ndodhen në varrezat e Sharrës në Tiranë.

Nënë Tereza, nuk arriti të takonte nënë e vet, Drane, për 45 vjet. Diktatori Enver Hoxha refuzoi vizitën e saj në Tiranë, kur e ëma ishte sëmurë rëndë dhe në pleqëri të thellë. Për këtë ndërhyri deri presidenti i Francës Charles De Gaulle dhe Zonja e Parë e Amerikës Jasqueline Kenendy, e megjithatë, Hoxha nuk pranoi. Dëshmitarë të kohës kanë shkruar se për herë të parë, e kanë parë duke qarë. “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër, përpos të na shohë edhe një herë”, – mësohet të ketë thënë Nënë Tereza.

Më 14 deri në 17 gusht 1989, Nënë Tereza vizitoi për herë të parë, Shqipërinë. Regjimi komunist nuk ishte rrëzuar ende e megjithatë, shpirtgjerësia e saj ishte e tillë, që ajo i kishte falur gjithë çfarë i kishin shkaktuar familjes së saj, diktatori Hoxha. Ajo madje, takoi edhe të venë e diktatorit Nexhmije Hoxhën dhe vendosi një tufë me lule në varrin e diaktorit Hoxha.

Nënë Tereza ishte mike me një tjetër ikonë të bamirësisë, princeshën Lady Diana. Nuk kanë qenë të rralla kronikat e stacioneve më presitgjoze televizive në botës, që të dy gratë më të famshme të kohës, kryesonin nisma bamirësie në botë dhe sidomos, për kundërshtimin e abortit. Për ironi të fatit, të dy këto gra vdiqën në vitin 1997.

Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, ka bërë vlerësimin më të bukur për Nënë Terezën. Ai është shprehur: “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Me vdekjen e Nënë Terezës, bota humbi njërin prej gjigantëve të epokës sonë, që ishte në të njëjtën kohë një frymëzim dhe një sfidë për të gjithë… Mbretërit, mbretëreshat, presidentët, kryeministrat, partiakët dhe papët vijnë dhe ikin. Po ashtu edhe fituesit e çmimit “Nobel”, por Nënë Terezë, do të ketë vetëm një. Ajo jetoi brezin tonë, në shekullin tonë dhe ne i jemi mirënjohës për këtë.”

Nënë Tereza është autore e shumë thënieve, postualeteve dhe këshillave. Më e famshja është: Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por, ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Më Shumë

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullën postare me temën “Kalaja e Prizrenit”

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim pullën e re postare me temën “Kalaja e Prizrenit”.     “Ky emision është një...

Ndeshja Zvicër-Kosovë shtyhet për shkak të motit të keq

(I plotësuar) Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar se ndeshja e planifikuar ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, e cila duhej të zhvillohej sonte në...

Lajmet e Fundit