8.9 C
Prizren
E shtunë, 28 Mars, 2026

Mesazhet e BE-së janë shumë të qarta

Edita TahiriZëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se Ivica Daçiq në Beograd po e thotë krejtësisht të kundërtën e asaj që po punon në Bruksel. Sipas saj, BE-ja po ia bën të qarta mesazhet Serbisë, se nuk mund të hyjë në këtë Union pa e njohur Kosovën.

Qëndrimi i kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, lidhur me shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, nuk përputhet me angazhimin e tij në bisedimet në Bruksel. Kjo është përgjigja që zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri i bën kryeministrit serb lidhur me “ofertën” që ky i fundit e ka bërë pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për shkëmbim territoresh me Kosovën.

Në një intervistë për “lajmi.net”, Tahiri ka thënë se të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen përmes të dialogut në Bruksel.

Ajo ka thënë se vetë angazhimi i palës serbe në dialog tregon se në fund të procesit do të ketë njohje reciproke mes dy shteteve.

“Është një diskrepancë e plotë mes deklaratave kontraverse e të kohëpaskohshme të z. Daçiq dhe angazhimit që ai dhe Qeveria e Serbisë e bëjnë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.. Qëndrimi ynë lidhur me këto çështje është se procesi i dialogut të Brukselit duhet përfundimisht të rezultojë me njohjen reciproke të dy shteteve, pra që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të realizohet normalizimi i plotë”, ka thënë zëvendëskryeministrja Tahiri.

Tahiri, e cila njëherit është edhe shefe e delegacionit të Kosovës për bisedime teknike me Serbinë, ka kritikuar kryeministrin serb se përmes këtyre deklaratave po dëshmon se ende vazhdon të merret me politikat e vjetra të Serbisë. “Deklarata e tij lidhet më tepër me politikat e vjetra të Serbisë, ndërkohë që Ballkani po jeton realitetin e ri të lindjes së shtatë shteteve të reja, përfshirë edhe shtetin e Kosovës, nga procesi i zhbërjes së ish-Jugosllavisë”, ka thënë Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se Serbia nuk mund të ketë perspektivë evropiane, pa e njohur pavarësinë e Kosovës.

“Serbia e ka parasysh se nuk mund ta sigurojë perspektivën evropiane pa e njohur Kosovën dhe për këtë unë mund t`ju them që mesazhet e Bashkimit Evropian janë gjithnjë e më të qarta se vendet duhet të kenë fqinjësi të mirë me shtetet përreth, nëse dëshirojnë të bëhen pjesë e BE-së. Prandaj, unë jam e bindur që Serbia do të shkëputet nga politikat e së kaluarës dhe do ta pranojë realitetin në kuadër të së cilës Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran”, ka thënë Tahiri.

Më Shumë

Aksidentet me fatalitet në Prizren, nis task-forca për sigurinë në trafik

Tre të rinj vdiqën në aksidente trafiku dhe dy të tjerë pësuan lëndime të rënda trupore vetëm gjatë javës së kaluar në Komunën e...

Suharekë, homazhe në kujtim të viktimave të familjes Berisha

Në përkujtim të një prej ngjarjeve më të dhimbshme të luftës në Kosovë, sot u zhvilluan homazhe në nder të viktimave të familjes Berisha....

Lajmet e Fundit