Sulmet e qenve endacakë ndaj qytetarëve janë shpeshtuar viteve të fundit. Vetëm gjatë vitit 2020, janë raportuar rreth 30 raste të tilla. Një problematikë e tillë është përmendur edhe në një kabllogram të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Por, cilat janë masat që duhet të ndërmerren për të parandaluar sulme të tilla dhe kur do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje? Flasin nga AUV’i, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve dhe Policia.
Katër anëtarë të një familje në Suharekë, janë sulmuar mesditën e së premtes, në hyrje të banesës së tyre nga një qen i tërbuar. Nga lëndimet që kanë marrë, të katërtit janë detyruar që të marrin edhe trajtim mjekësor.
Një prej të lënduarve është edhe Besart Gegaj, i cili ka rrëfyer për Gazetën Express se si kishte ndodhur i gjithë rasti.
Sipas tij, qeni ishte ngjitur në katin e katërt të objektit dhe e kishte sulmuar vëllanë e tij. Më pas kanë ndërhyrë edhe familjarët e tjerë.
“Qeni ka ardh në katin e katërt të banesës dhe e ka sulmu vëllanë. Edhe kemi qenë katër anëtarë të familjes që kemi ndërhy për mos me u rreziku vëllau, por që na ka sulmu edhe neve”, tregon Gegaj.
Gegaj thotë se për të mos i rrezikuar edhe banorët e tjerë janë detyruar që ta mbysin qenin me një thikë shtëpie.
“5-6 veta e kena kap qenin dhe e kemi ngreh deri në oborr dhe e kemi mbyt meqenëse dojke hala me na hangër”, kishte treguar ai për Express.
Policia: Rreth 90 raste të sulmeve nga qentë endacakë në tri vjetët e fundit
Por, ky nuk është rasti i vetëm i sulmit nga qentë endacakë.
Nga Policia e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se në tri vjetët e fundit janë raportuar rreth 90 raste të sulmeve nga qentë endacakë.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, pa përfshirë muajin dhjetor, janë raportuar 28 raste të tilla.
Rajonet ku ka ndodhur më së shumti sulme të tilla janë ai i Prishtinës dhe Pejës.
E përveç sulmeve nga qentë endacakë, në Polici janë raportuar edhe raste të sulmeve nga qentë me pronarë. Në tri vjetët e fundit janë raportuar 29 raste të tilla.
Ambasada Amerikane në Prishtinë përmend në kabllogram qentë endacakë
Problematika e qenve endacakë është përmendur edhe në një kabllogram të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, të nënshkruar nga ambasadori Philip Konsett.
Një gjë të këtillë e ka bërë të ditur gazetarja e mediumit prestigjioz ‘Politico’, Nahai Toosi.
Në një sërë postimesh në llogarinë e saj në ‘Twitter’, ajo ka shpalosur detaje nga dokumenti, për të cilin Toosi thotë se është nënshkruar nga Kosnett.
Në kabllogram, sipas saj, janë përmendur edhe qentë endacakë, që “mund të jenë agresivë kur janë të uritur”. Për këtë dhe arsye të tjera “stafi i ambasadës shpesh ka ngelur i mbyllur në kohën e krizës së COVID-19”.
Për kabllogramin e Ambasadës amerikane raportuan edhe mediat ndërkombëtare.
Kur do të gjendet zgjidhje për qentë endacakë?
Në dhjetor të vitit të kaluar, nga qentë endacakë ishte sulmuar edhe një grua shtatzënë. Ajo kishte thënë se qentë i kanë shkaktuar plagë në bark dhe në pjesën e këmbëve
E pas këtij rasti kishte reaguar edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili kishte deklaruar se situata me qentë endacakë është alarmante në çdo Komunë të Republikës së Kosovës.
Ahmeti kishte kërkuar që përgjegjësia e plotë për këtë çështje t’iu kalojë komunave ose të shpallet gjendje emergjente për ta trajtuar këtë situatë.
“AVUK ka marr? buxhet 1.3 Milion euro për krejt Kosovën për këtë çështje por sot jemi më keq se që kemi qenë. Ligji kërkon që qentë endacak të trajtohen dhe të KTHEHEN në rrugë. Vetëm veterinari i çertifikuar mund të vendos? për eutanazimin e qenit dhe vetëm në qoftë se është i sëmurë. Përkundër qindra mijëra eurove të shpenzuara edhe nga Komuna kjo çëshjte nuk mund të zgjidhet nga komunat veç e veç. Kjo kërkon strategji gjithëpërfshirëse dhe hapa emergjent tani”, kishte shkruar Ahmeti.
E nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se janë duke trajtuar problematikën e qenve endacakë në gjithë vendin.
Zëdhënësi i AUV’it, Lamir Thaçi, i ka thënë Gazetës Express se kanë ndarë 700 mijë euro për trajtimin e kësaj problematike.
“Tani ketë vit, AUV nga projektet e veta ka ndarë 700,000.00 € për trajtimin e kësaj problematike, me këtë buxhet është e paraparë në kontratë qe të zgjasë deri ne muajin Prill 2021. Deri me tani janë trajtuar rreth 5 mijë qen, dhe deri ne fund të projektit parashihet te trajtohen edhe rreth 3 mijë qenë të tjerë nga praktikat veterinare të cilat nuk e kanë shpenzuar gjithë buxhetin sipas kontratës”, ka deklaruar Thaçi.
Tutje, Thaçi ka deklaruar se përgjegjësia për trajtimin e qenve endacakë është e komunave.
“Bazuar ne Ligjin e Veterinarisë 21/2004, Neni 13, Ligjin e Përkujdesjes ndaj kafshëve si dhe aktet nënligjore, përgjegjësi për trajtimin e qenve endacak është e komunave si mandat ligjore. Këtë e dëshmon edhe vetë raporti me rekomandime i ardhur nga institucioni i Avokatit të Popullit:
Kemi hartuar planin e veprimit 2021-2025 për trajtimin e qenve endacak në Kosovë, dokument i cili i është dërguar qeverisë dhe asociacionit të komunave të Kosovës. Aty janë të paraqitura të gjitha informatat mbi zgjidhjen e problemit”, thuhet në përgjigjet e Thaçit.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve: Thirrjet për vrasje masive të qenve janë shumë shqetësuese dhe të gabuara
Për këtë problematikë janë deklaruar edhe nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve. Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express para disa muajsh, nga kjo organizatë kishin thënë se është tërësisht e papranueshme që për shkak të papërgjegjësisë dhe mos gatishmërisë së institucioneve për ta zgjidhur këtë problematikë, të pësojnë qytetarë të pafajshëm.
Nga kjo organizatë kanë thënë se për tu arritur një zgjidhje e qëndrueshme për këtë çështje duhet të bëhet identifikimi dhe regjistrimi i qenve me mbajtës dhe kontrollimi i mbarështuesve ilegalë te qenve, parandalimi i shumimit të qenve endacak përmes metodës KSVL (Kapje, Sterelizim, Vaksinim, Lëshim) dhe vëtëdijsimi i popullatës rreth burimit të problemit të qenve endacak dhe sjelljeve të tyre në rrugë.
Për strehimoret e qenve thonë se nuk janë zgjidhje, meqenëse Kosova nuk ka mundësi as financiare dhe as menaxheriale të mbulojë kostot shumë të larta të funksionimit të mirëfilltë të këtyre strehimoreve, ku mirëqenia e kafshëve do të respektohej plotësisht.
“Vite më pare është provuar menaxhimi i strehimoreve nga disa komuna, mirëpo edhe kjo tentativë ka rezultuar e pasukseshme, duke i shndërruar këto strehimore në kampe të vdekjes së qenve. Edhe nëse tani do ndërtoheshin strehimore të mëdha, prap do të kemi qen në rrugë, ngaqë nuk ndalet burimi i shtimit dhe shumimit të qenve në rrugë (zbatimi i udhëzimeve administrative të cekura më lartë)”, kanë deklaruar nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.
Për qentë që sulmojnë njerëzit ose qentë e tjerë, në këtë organizatë thonë se duhet të largohen nga rruga dhe të gjendet ndonjë strehim për ta ose të eutanazohen.
E për thirrjet e qytetarëve për vrasje masive të qenve, thonë se janë shumë shqetësuese dhe të gabuara dhe se përveç që nuk e zgjidhin problemin, ndikojnë që situata të bëhet edhe më serioze.
“Mirëpo, për të zgjidhur këtë problem në mënyrë permanente, duhet bashkëpunim i të gjitha komunave, sepse nëse vetëm 1 apo 2 Komuna nuk e trajtojnë këtë problem në territoret e tyre, do te ketë efekt negativ në tërë vendin. AUV, Komunat dhe Qeveria duhet të bashkëpunojnë që të zbatohet ligji aktual që ndërlidhet me kafshët shoqëruese, pasi që ka dispozita të qarta edhe për abuzuesit e kafshëve, të cilët direkt ose indirekt ndikojnë në shtim të numrit të qenve endacak, problem ky që po rrezikon jo vetëm mirëqenien e kafshëve, por edhe sigurinë dhe shëndetin publik”, kishin thënë nga kjo organizatë./Gazeta Express