2.2 C
Prizren
E shtunë, 11 Janar, 2025

Hoti, futbollisti që synon ligat e forta dhe është mes Kosovës e Shqipërisë

Florent Hoti u lind në qytetin e Manchesterit nga prindër shqiptarë nga Kosova e Shqipëria. Hoti ka shumë rrugë për të zgjedhur kur vjen puna për ta përfaqësuar një shtet. Shqipëria ishte e para që e bëri lëvizjen duke e thirrur atë në Përfaqësuesen U-21 së fundmi. Hoti nuk e pati të mundur të udhëtonte për shkak të masave të koronavirusit, ndërsa nuk e ka lënë pa i përmendur opsionet që i ka. Ai ka thënë se mund të zgjedhë edhe mes Kosovës e Anglisë.

“Cilado rrugë që është më e mirë për mua, do ta marrë”, ka thënë Hoti për “Thecourier.co.uk”. “Shqipëria U-21 ka disa lojtarë të mirë të rinj dhe rruga për të luajtur me ekipin e parë është aty – i sheh disa lojtarë të rinj që nuk kanë frikë të luajnë me ta. Dua që edhe unë të luaj në nivelet më të larta, në majat e futbollit. Dua që të luaj në ligat më të forta, në përfaqësuese, të luaj për ekipin A të Shqipërisë ose Kosovës, atje dua të jem”, shtoi Hoti.

Ai thotë se ka mundësinë e zgjedhjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Prindërit e mi ma lejojnë që të luaj për të dyja ekipet”, tregon Hoti për prejardhjen e tij. “Kosova u bë e pavarur në vitin 2008 dhe për këtë arsye unë mund të luaj për të dy vendet. Shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës janë të njëjtë, me të njëjtën kulturë dhe gjuhë. Janë shtete të ndryshme, por jemi të njëjtë. Është pak e vështirë për t’u kuptuar kjo situatë pasi edhe bashkëlojtarët nuk e kuptojnë mirë. Kur e postoj një fotografi në ‘Instagram’ duke i përkrahur të dy ekipet, më thonë të zgjedh njërin. Por, të dyja janë shtetet e mia”.

Florent Hoti në nivelin ekipor u transferua nga Rochdale, që bën gara në divizionet e ulëta të Anglisë te Dundee Unitedi në elitën e futbollit skocez. Këtë lëvizje, Hoti e bëri vitin e shkuar dhe me Dundeen firmosi kontratë dyvjeçare. Transferimi i tij bëri bujë të madhe në Skoci, ndërsa debutimin e bëri në vikendin e shkuar, ndaj Hamiltonit. 20-vjeçari u inkuadrua në mesfushë për 20 minuta, në duelin që ekipi i tij e fitoi në udhëtim me rezultatin 1:0. Megjithatë, ai gjatë gjithë kësaj kohe kishte punuar fort për ta fituar besimin e trajnerit Micky Mellon, që e vlerëson lart futbollistin kosovar. Hoti, i cili e përshkruan veten si një mesfushor me teknikë të madhe, ka qenë i durueshëm mjaft shumë. Hoti u huazua nga tetori i vitit të kaluar deri në fillim të këtij viti në League One te skuadra Forfar Athletic, që është kundërshtari i të premtes në Kupë i Dundee Unitedit, në mesin e 16 skuadrave më të mira në këtë garë. Më herët në këtë sezon, Forfar Athleticu i dha Hotit shijen e futbollit skocez. Pasi refuzoi të mbetet në Spotland për ta vazhduar rritjen e tij, ai është i etur për të arritur sa më shumë.

“Është moment krenarie për mua, sepse kam pritur kaq shumë gjatë dhe e gjithë ajo punë e madhe, brenda dhe jashtë fushës, më jep motivim për të vazhduar”, tha Hoti. “Kur trajneri ma thirri emrin mendova: Ai po më beson për 20 minuta dhe pas ndeshjes isha shumë i lumtur për këtë”.

Megjithatë, Hoti nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq pasi synon të ketë minutazhë edhe në ndeshjet e tjera. Vlerësime pozitive për Hotin ka dhënë edhe vetë trajneri Mellon. Ai ka thënë se Hoti është një futbollist shumë i talentuar.

“Debutimi i tij ishte i rëndësishëm. Kam thënë gjithmonë se ai që e meriton të luajë dhe në momentin që mendojmë se mund të ndikojë në lojën tonë, ai do të luajë. Florenti po troket në derë tash e një kohë të gjatë dhe ia dhurova mundësinë në rastin e parë që e pata. Ai hyri dhe tregoi se është një djalosh premtues. Është shumë i talentuar me të vërtetë”, theksoi trajneri Micky Mellon për Hotin.

Për Hotin do të ishte më e lehtë që ai të qëndronte në Rochdale, vendin të cilin e quajti “shtëpi” për afro një dekadë. Megjithatë, mesfushori me ambicie të mëdha, dhe kalimin te Dundee, e ndjeu si rrugën e duhur për progres në karrierën e tij.

“Kam debutuar në moshën 17-vjeçare dhe kam luajtur disa ndeshje. Mu ofrua kontrata profesionale, por në atë moment nisa të mendoj për ardhjen këtu. Isha shumë i ri kur isha atje, por mendova se është një sfidë të cilën desha ta merrja. Kam qenë në Rochdale që nga mosha nëntëvjeçare dhe i njihja të gjithë. Por më duhej një sfidë e re. Është ndeshja e parë në Premiershipin e Skocisë – ka qenë hapi i duhur për mua”, përfundoi Hoti.

Më Shumë

Veselaj-Gutaj uron nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë shkollor

Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë shkollor. "Me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit...

Disa të dyshuar ia vjedhin portofolin një personi në Prizren

Disa persona dyshohet se ia kanë grabitur portofolin një burri në Prizren. Të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti po hetohet. “GRABITJE- Prizren / 07.01.2025...

Lajmet e Fundit