26.2 C
Prizren
E martë, 17 Qershor, 2025

Isa Osmanakaj dëshmon në gjykimin ndaj Nijazi Kryeziu

Me dëshminë e Isa Osmanakaj, shef i sektorit të prokurimit publik në Komunën e Prizrenit, ka vazhduar edhe të premten gjykimi ku ish-shefi i Urbanizmit në këtë komunë, Nijazi Kryeziu po akuzohet korrupsion.

Nijazi Kryeziu, po akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontratë me televizionin lokal, TV Opinion, për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës  Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari, cili tha se nga shtatori 2013 e tutje është shef i sektorit të prokurimit publik në Komunën e Prizrenit, deklaroi se nuk ka njohuri për mënyrën se si është reklamimi dhe sensibilizimi i qytetarëve për sa i përket procesit të legalizimit të objekteve, porse tha se është në dijeni se për këtë proces ishte themeluar një task-forcë që ka pas qëllim regjistrimin e palujetshmërive me qëllim të legalizimit të objekteve pa leje në Prizren.

Një gjë të tillë, dëshmitari e tha pasi që nga mbrojtësi i Kryeziut, avokati Kujtim Kërveshi u pyet nëse ka njohuri që Komuna e Prizrenit ka aktivitete kontraktore me mediat lokale për sensibilizimin për sa i përket trajtimit të objekteve pa leje ndërtimore.

Avokati Kërveshi e pyeti dëshmitarin nëse pajtohet me konstatimin se kur formohet një task-forcë nënkupton se kemi të bëjmë me një fenomen që kërkon vëmendje të veçantë, me dëshmitarin që u përgjigj duke thënë se numri i objekteve pa leje në Prizren kishte qenë afër 30 mijë.

Tutje, dëshmitari tha se në Komunën e Prizrenit është themeluar edhe Zyra e Thesarit që shërben si filtër i fundit për ekzekutimin e çdo lloj pagese e cila bëhet nga mjetet buxhetore të Kosovës, për çka tha se mendon që kjo zyrë ka bërë ekzekutimet e pagesave për çka është duke bërë fjalë në këtë rast.

Siç tha dëshmitari, zyrtarët e thesarit para se të bëjnë certifikimin dhe aprovimin e pagesave, kontrollojnë lëndët se a i përmbajnë të gjitha elementet e domosdoshme që pagesa të jetë në rregull dhe të ekzekutohet dhe sipas tij, kjo zyre sipas të gjitha gjasave ka konstatuar se dokumentet janë në rregull.

Këto pagesa, vazhdoi dëshmitari, nga raporti i auditorit të përgjithshëm i cili është publikuar në vitin 2016, ka nxjerr në pah se këto pagesa për shërbime të ndryshme janë bërë jo vetëm nga i akuzuari Kryeziu por edhe nga drejtorët e tjerë si dhe nga kryesuesit e asamblesë dhe se i njëjti raport i auditorit, siç tha, ka nxjerr që disa pagesa të drejtorëve të tjerë janë bërë pa u respektuar procedurat e prokurimit.

Po ashtu, dëshmitari tha se kishte marrë pjesë në kolegjiumin e drejtorëve porse nuk kishte pasur të drejtë vote, ndërsa shtoi se nuk i kujtohet se si ka qenë praktika e pagesave nga i akuzuari, por tha se me siguri që ai e kishte vazhduar praktikën e pagesave sikurse kishte qenë edhe ma herët.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Mehdi Sefa, dëshmitari tha se procedura e të gjitha kontratave të cilat dalin nga procesi i prokurimit, varen nga vlera e kontratës dhe mund të zgjasë nga 10 ditë e deri në tre muaj dhe të gjitha ato kontrata, dëshmitari tha se i nënshkruan zyrtari i prokurimit.

Nëse vlera e kontratës për shërbime dhe oferta e tejkalon një vlerë të caktuar atëherë dëshmitari tha se kontratën e nënshkruan krahas zyrtarit të prokurimit edhe Kryetari i Komunës. Në këtë rast, ai tha se bëhet fjalë për kontrata që kalojnë vlerën më shume se 500.000,00 euro ndërsa për rastin konkret, dëshmitari tha se nuk ishte në dijeni për vlerën e kontratës.

Në këtë pjesë të dëshmisë së tij, dëshmitari iu rikthye asaj çka kishte thënë më herët në seancë kur kishte përmendur pagesat e kryera nga drejtorët e tjerë, e ku tha se e kishte pasur fjalën për shërbimet e ofruara nga mediat lokale në Komunën e Prizrenit.

Kur u pyet nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Blerim Mazreku, se shërbimet për transmetim në mediume lokale për nevoja të Komunës së Prizrenit a janë realizuar përmes procedurave të prokurimit, dëshmitari tha se për këtë ishte nxjerrë një vendim nga ana e kryetarit të komunës.

Me vendimin e Kryetarit të Komunës nr.01/11-206073, dëshmitari tha se është miratuar propozimi i kryesuesit për lejimin e shpalljes së tenderit për transmetim të mbledhjes së Kuvendit në të cilin projekt tha se kanë hyrë edhe shërbimet e tjetra të cilat ofrojnë mediat lokale për interes të Komunës së Prizrenit.

Në zyrën e prokurimit, dëshmitari tha se kishte arritur deklarata e disponueshmërisë së mjeteve e cila është kusht për inicim të prokurimit në autoritetin kontaktues dhe numri i prokurimit është 002 për vitin 2017 dhe i tërë procesi tha se është përmbyllur nga zyra e prokurimit më datën 16 dhjetor 2017.

Më tutje, ai theksoi se nuk ka bërë krahasime se për shërbime të njëjta a ka pasur dallime të mëdha në çmimet e ofruara nga operatorët ekonomik nga shërbimet e pranuar jashtë procedurave të prokurimit.

Dëshmitari tha se kontrata e nënshkruar me TV OPINION ishte 9,895 euro për 12 muaj kalendarik dhe në këtë çmim ishte përfshirë transmetimi i seancave të Kuvendit, i mbledhjes së Këshillit për Financa, i ngjarjeve të ndryshme të Komunës së Prizrenit e të tjera ngjarje.

Dëshmitari tha se nuk ka dijeni nëse raporti i auditimit i vitit 2015 kishte pasur vërejtje, pasi për një gjë të tillë u pyet nga avokati Kërveshi.

Prokurori Sefa propozoi që në këtë rast të caktohet një ekspert financiar që të sqarojë nëse kontratat e nënshkruara nga i akuzuari me mediat lokale ishin në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, por ky propozim u refuzua nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi.

Seanca e radhës në këtë rast u caktua të mbahet më, 16 korrik 2021, në ora 09:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, Nijazi Kryeziu po akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapsinor të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 1 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7200 euro. Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së./Betimi për Drejtësi.

Më Shumë

Dështon edhe përpjekja e 30-të e konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Për herë të 30-të sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga...

Edhe Meriton Ismaili vazhdon me Bashkimin për sezonin 2025/26

Klubi i basketbollit Bashkimi ka zyrtarizuar sot vazhdimin e bashkëpunimit me Meriton Ismailin, një ndër lojtarët më të përkushtuar të skuadrës, raporton PrizrenPress. Ismaili do...

Lajmet e Fundit