0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Besa Kokëdhima: Jam ndjerë si për “Tatuazh në zemër”

BesaKokedhima-kengetare“Momentalisht sapo kam përfunduar xhirimet e një klipi të ri. Kam një baladë në bashkëpunim me 2P2. Do të nxjerr një album që titullohet ‘Tatuazh në zemër’”, ka thënë këngëtarja Besa Kokëdhima.

Ka kaluar diçka më shumë se një javë, nga nata finale e edicionit të 15-të të Festivalit “Kënga Magjike 2013”, por duket se një këngë do të mbetet gjatë në pëshpërimat muzikore të atyre që tashmë kanë nisur t’i mësojnë dhe këndojnë refrenin. Kjo është kënga “Tatuazh në zemër”, kënduar nga Besa Kokëdhima, fituese e festivalit të fundit, prodhim i Jon Music dhe Tv Klan, prezantuar me shumë finesë nga kantautori dhe showman-i Ardit Gjebrea, i cili erdhi në këto net të veçanta në shoqërinë e dy vajzave bukuroshe. Është pikërisht Besa, e përzgjedhura e së shtunës në emisionin “Jo vetëm modë” në Tv Klan. Drejtuar nga bukuroshja Floriana Garo dhe nën kujdesin kurativ të drejtorit të programit, Albert Dumani, Besa rrëfen në profilin kushtuar karrierës së saj muzikore, emocionet e një mbrëmjeje të pashlyeshme, ku “Tatuazh në zemër” me shumë gjasa do të jetë tani e tutje një tatuazh në buqetën e këngëve më të dashura shqiptare. Si një artiste me një performancë gjithmonë e në rritje, që po ngjit furishëm shkallët e karrierës muzikore, ajo nuk harron hapat e parë në këngë. “Më duket sikur ka kaluar aq shumë kohë sa nuk e mbaj mend. Kuptohet se jo. Nuk kam nevojë ta mendoj. Besoj se si për shumicën e artistëve, pasioni për muzikën është diçka që zbulohet shumë herët, që shumë e vogël, këndon, organizohesh, mëson këngë. Unë shkoja edhe pak më larg. Çfarë ishin fëmijë rreth e rrotull, krijonim kore”, shkruan Shekulli.

Besa është një këngëtare gjithmonë surprizuese. Me një zë të zi, kumbues që zotëron skenën, ajo cilësohet si suksesi i gjeneratës së re të muzikës shqiptare. “Gjithmonë kur zgjedh një këngë, ose një ide, pasi unë jam aktivisht e përfshirë në proceset e këngëve që zgjedh, gjithmonë i besoj herës së parë që e dëgjoj. Nëse kënga më emocionon, unë përpiqem t’i qëndroj strikte qëndrimit të parë të dëgjimit të këngës, sepse mendoj që veshi mësohet, dhe për aq kohë sa mësohet, ty fillon të të pëlqejë. Më pëlqen të bëj muzikë që më inspiron, që ti e dëgjon dhe ndihesh i gjallë dhe të bën ty të duash diçka. Përgjithësisht pjesën e frymëzimit. Sa herë që lexoj për artistë që më pëlqejnë, kjo është ajo që më inspiron më shumë nga të gjitha, se sa larg kanë shkuar me punën e tyre, se sa të vështirë e kanë pasur”, ka thënë ajo.

Tekstet e këngëve të Besës shoqërohen gjithmonë nga nota idilike. Ato janë këngë lutje për dashurinë, për jetën, thirrje për një botë të pavëmendshme e cila sa vjen dhe bëhet më egoiste. “Unë mendoj që origjinaliteti është e natyrshme te çdokush. Ne të gjithë jemi të ndryshëm. Është gjë tjetër nëse dikush dëshiron t’i shkojë diçkaje që është. Nëse punon me sinqeritet me veten dhe ti je aktiv në proceset e një kënge, automatikisht kënga merr nga ty. Ajo bëhet pjesë e jotja”, është shprehur Besa.

Kënga e parë me të cilën këngëtarja u prezantua në sytë e publikut ishte “Zonja dhe zotërinj”. Një këngë e cila do t’i sillte në vitin 2005 edhe suksesin e parë në festivalin “Mikrofoni i Artë”.

“Çmimet kanë ardhur më vonë. Në fakt unë ndoshta nuk e pata një këngë që të ishte si të thuash e para dhe që menjëherë unë me të, të bëhesha e njohur. Pata një këngë që bëri presion, që ishte në bashkëpunim me grupin “Produkt 28” që titullohej “Më beso”. Unë jetoja në Angli në atë kohë, dhe nuk e kisha shumë të mundur prodhimin e muzikës. Kënga që pastaj ndezi ka qenë një këngë që ka bërë Genti Lako, “Zonja dhe zotërinj”. Fill pas saj ka pasur disa këngë të tjera. Për një periudhë të caktuar unë punova shumë në Pop Rock dhe çmimi Top Fest 2008, erdhi kur unë kisha 3-4 vite që bëja muzikë intensive”, ka treguar Besa.

Edhe pse në një moshë të re, Besa numëron në repertorin e saj mbi 25 këngë. Përpara se të vendoste mbi kokë kurorën e mbretëreshës së fundit të “Kënga Magjike” ajo është fituese e disa çmimeve prestigjioze. “Unë mund të konsiderohem një artiste që ka marrë pjesë shumë në festivale. I kam preferuar gjithmonë. Katër herë kam marrë pjesë në “Kënga Magjike”. Unë mendoj që një këngë e mirë , që ka një bulëz të mirë, është evidente. Sigurisht një performancë e mirë e përmirëson një këngë, aq më tepër që sot performanca është po aq e rëndësishme sa kënga, ndoshta edhe më shumë, pasi nuk vlen një performancë e mirë e një kënge që nuk sjell asgjë.

Kënga “Pa yllin tënd”, një lirike kushtuar lëndimit, do t’i jepte çmimin “Jon Music” në festivalin “Kënga Magjike 2007”. Me një seri triumfesh gjithmonë e në rritje, “Botën do të ndryshoja”, do të ishte kënga e cila do t’i jepte “Çmimin e Kritikës” dhe vendin e tretë në Festivalin “Kënga Magjike 2011”, këngë e cila do t’i paraprinte çmimit të madh në “Kënga Magjike 2013”. “Për një analogji interesante, gjë që më ka ndodhur tashmë, çmimet e para në festivale më duket sikur kanë ardhur në mënyrë logjike. Në një farë mënyre duket sikur është një kurorëzim i disa viteve punë. Ku sërish fitoj një çmim të madh dhe jam shumë e kënaqur me këtë gjë, jo vetëm sepse fitova, por sepse realisht ndihem e vlerësuar për muzikën që unë bëj dhe pasionin më të cilën unë bëj muzikë. Festivalet e bëra shumë mirë janë të lakmueshme për artistët. Sigurisht pastaj është prestigji, dhe kuptohet që është një bum i rëndësishëm në karrierën tënde. Unë e kam provuar njëherë këtë gjë dhe tashmë më duket se jam në përjetimin e diçkaje të tillë sërish, ndoshta edhe më të madhe”, ka thënë Besa.

Për një çast mendova se humba

Mbrëmja e 30 nëntorit ishte një natë ku përmbysjet e shpeshta i dhanë edhe më shumë emocion në garën për më të mirin. Edhe pse në një moment u duk se fituesi do të ishte dikush tjetër, fati i buzëqeshi Besës, për të veshur skeptrin e fitimtares. Një këngë të cilën në veçanti ajo ia kushtoi nënës së saj. “Jam një natyrë që përfshihem shumë emocionalisht. Përpiqesha të mbaja veten larg mendimeve, që do fitoj, s’do fitoj, si do të ndodhë, kështu që thjesht kisha vetëm besimin tek kënga ime dhe tek ajo që shprehte kënga ime, që ishin afër meje. Dhe gjithçka që mendoja ishte thjesht që si do që të ndodhë, unë jam shumë e lumtur për atë këngë, dhe që ajo këngë ka arritur, e kam sjellë në këtë moment të karrierës sime, sepse kisha nevojë për një këngë të atillë. U gëzova shumë që fitova, sepse në fund, mendoj se edhe u duk, mendova që humba”, ka thënë Besa.

Në morinë e këngëve këngëtarja dallon dy, edhe pse këngët e saj i quan si gishtat e dorës, ku e ka të vështirë të thotë se kë do më shumë apo më pak. Përgjithësisht të gjitha këngët i kam dashur që kur i kam zgjedhur dhe të gjitha kanë një gjë të veçantë, të mirë, mirë po janë disa që spikasin. “Tatuazh në zemër” është një këngë që e dua jashtëzakonisht shumë. Dhe është hera e dytë që ndihem kështu, për një këngë në jetën time. Herën e parë jam ndjerë me “Engjëjt vrasin njëlloj”. Kur e kam përfunduar këtë këngë, jam ndjerë si për “Tatuazh në zemër”. Kështu që jam shumë e lumtur, pasi mund të ndodhë, që t’i të fitosh festivalin, me një këngë që nuk është përfaqësuese për ty. Sepse jo gjithmonë e ke në dorë”, është shprehur Besa.

Por Besa nuk ishte triumf vetëm në këngën që solli, por edhe në lukun me të cilin veshi këtë lirikë të ndjerë. Ku edhe këtë herë nuk mungoi elementi i befasisë. “Unë jam një natyrë që jam në evoluim të vazhdueshëm. Dhe kjo gjë reflektohet në gjithçka, si në muzikë, gjithashtu edhe në luk. Pjesën më të madhe të rasteve, lukun e shikoj shumë të bashkëngjitur me muzikën dhe sigurisht që ia përshtat këngës. Tatuazhet në fakt ishin “Hëna”, që janë të njohura në botë. I përkasin kulturës aziatike, orientale, dhe që përgjithësisht përdoren në rituale martesore etj. Unë i pëlqeja shumë. Kisha vendosur ta bëjë këtë gjë. Nuk e dija që do ishte kaq e vështirë. Mendoja se do ishte diçka e thjeshtë, por nuk ishte aspak. U deshën orë e orë, ku punuan shumë njerëz, sepse janë të gjitha të punuara në detaj. Ndoshta dikush më ka pyetur: “A janë të stampuara?” Do të doja shumë të ishin, por nuk janë. Veshjen unë e kam ideuar vetë, por e kam realizuar në bashkëpunim me një stiliste të re shqiptare, me të cilën punoj shpesh dhe më pëlqen, që quhet Ledia Papamihali”, ka treguar Besa.

Albumi i ri

Një karriere muzikore e cila pritet t’i japë shumë publikut. Besa së shpejti pritet të nxjerrë albumin e saj të ri. Nuk kërkon të japë shumë detaje, por që tani premton se do të kemi të bëjmë me një tjetër risi po aq të suksesshme sa këngët e mëparshme. “Momentalisht unë sapo kam përfunduar xhirimet e një klipi të ri, bashkëpunim të cilin e kam cekur shumë pak. Kam një baladë, në bashkëpunim me 2P2. Jam shumë entuziaste për atë këngë. Në fakt është momenti për ta anonçuar, që unë do të nxjerr një album që titullohet “Tatuazh në zemër”. I cili do të ketë single, pikërisht këngën kryesore që fitoi “Kënga Magjike 2013”. Dhe pse jo së shpejti do të publikoj një të dytë. Kam frikë të jap data, por shpresoj që gjithçka të jetë gati pas një muaji. Dhe pas fitores në “Kënga Magjike” është koha për pushime, ku Besa ka planet e saj. Është periudha ime e preferuar e vitit. Absolutisht e dashuroj këtë moment dhe mezi po pres Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Pastaj do të iki diku në dëborë. E bëjmë zakonisht dhe ku i dihet ndoshta mund të shkojmë në ndonjë fshat të vogël të Haidit në Austri”, ka thënë Besa Kokëdhima.

Më Shumë

Vlerat e urave të Prizrenit shpalosen me publikime të ndryshme

Vlerat e urave të Prizrenit janë shpalosur përmes publikimeve të shoqërisë civile, por edhe të autoriteteve komunale.   Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” të hënën ka...

KBF Bashkimi shpallet skuadra më e mirë e vitit 2024 në konkurrencën e femrave

Në ceremoninë Laureatët 2024, KBF Bashkimi u shpall skuadra më e mirë në konkurrencën e femrave për vitin 2024. Ky çmim nderon përkushtimin dhe...

Lajmet e Fundit