Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë. Kështu ka theksuar kryeministri Kurti gjatë ligjëratës së hapur para studentëve dhe profesorëve në Universitetin DePaul në Illionis të SHBA-së.
Ai e vizitoi këtë universitet me ftesë të Katedrës së Albanologjisë “Hidai Eddie Bregu”.
Ai tutje ka thënë se përpjekjet e Kremlinit për të përdorur Kosovën si një precedent për veprimet e Rusisë në Ukrainë, nuk janë gjë tjetër veçse një gënjeshtër, pasi nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, dhe se krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.
“Kjo tregon një shpërfillje të plotë për të drejtën ndërkombëtare dhe për përgjegjësinë për të mbrojtur normat jetike ndërkombëtare që synojnë të sigurojnë që komuniteti ndërkombëtar nuk do të dështojë më kurrë në ndalimin e krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”.
Tutje, kryeministri Kurti ka thënë se 23 vite pas intervenimit të NATO-s, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.
“Kosova është historia e suksesit demokratik të rajonit dhe për këtë arsye duhet të mbështetet që të bëhet anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, ka nënvizuar ai.
Sipas tij zhbërja e progresit në Kosovë do të ishte fitorja e vetme e madhe që Putini do ta dëshironte.
“Kjo është edhe arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij ndaj vendit tonë”, ka shtuar kryeministri Kurti.
Duke folur për sulmin dhe invazionin e paprovokuar që Federata Ruse po bën ndaj Ukrainës, i pari i ekzekutivit tha se imazhet nga kjo luftë për shqiptarët e Kosovës janë veçanërisht të dhimbshme.
“Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojnë dhe vrasin pa dallim; Kufomat e djegura dhe varrezat masive janë imazhet dhe vuajtjet e Kosovës njëzet e tre vjet më parë dhe të Ukrainës sot”, tha kryeministri, duke shtuar se kjo është arsyeja pse Kosova ka treguar solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj që nga dita e parë e sulmit. “Ne ishim të parët që iu bashkuam sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Federatës Ruse. Ne nuk hezituam të shprehim gatishmërinë tonë për të pranuar deri në 5,000 refugjatë dhe ofruam strehim dhe hapësirë pune për 20 gazetarë ukrainas, prej të cilëve zonja Lyudmila Makey tashmë është banore e Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës”, është shprehur Kurti.
Në përmbyllje të ligjëratës, kryeministri Kurti tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës dhe se lidhja ndërmjet tyre është e fuqishme edhe për shkak se ndajnë vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë dhe bindjen e thellë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe duhet të kenë të drejtë të barabartë për të kërkuar lumturinë, lirinë dhe autonominë për të ndjekur të vërtetën.RTKLIVE