19.9 C
Prizren
E diel, 11 Maj, 2025

Unaza prej ari e Gjeçovit

Dorian Koçi

(148-vjetori i lindjes të Shtefën Gjeçovit)

Në përvjetorin e lindjes së fratit Shtjefën Gjeçovi ia vlen të kujtosh sesi ky misionar i dijes mblidhte, jo vetëm Kanunin e maleve tona, apo shkruante drama historike për mesjetën shqiptare, por gjurmonte dhe shpëtonte pasuritë arkeologjike të nëntokës sonë.

Ja rrëfimi i At’ Shtjefën Gjeçovit në vitin 1900, sesi e shpëtoi këtë unazë ari, për t’ia kaluar brezave të tjerë të shqiptarëve. Ky rrëfim është shkëputur nga një shkrim i studiuesit Jaho Brahaj, i titulluar “At Shtjefë Gjeçovi. Si shpëtoi kambana e Skënderbeut”, Suplementi Rilindësi, 18 gusht 2013.

“Ishe n’Laç – Sebaste të Kurbinit, si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kërkim të vjetërsinave –përmi t’cillat tash flas, – m’u beh në qelë Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf­it t’Berlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh(!) xuna me ju lëvdue për do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun “Kodër Bogëz” në katund të Laçit – Sebaste.

Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap­çap me me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetërsiena.

Ndër kto sende kishe edhe nji unazë­arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të përmendun, dhe e pveta Dr. Traeger­in, qi t’më diftote kohën e vjetërsienës s’sajë, e ky mu përgjegj: “Kohën e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetërsievet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana për atë unazë”!!

Të falem nderës i thaçë Dr. Traeger­it, me më dhanë 400 napolana s’e shes, por veç deshta me ditë kohën e çmimin e vjetërsies…”.

Unaza nuk u shit. Arkeologu italian L. Ugolini në vitin 1927 e vlerësoi këtë unazë duke e përshkruar e përfshirë në vëllimin “Shqipëria arkeologjike” nga ku i kemi të ruajtura përshkrimin dhe foton e saj. Pas vdekjes së Gjeçovit, unaza e “famshme” ruhej në Muzeumin Françeskan në Shkodër, deri në vitin 1945, pastaj erdhi në Tiranë.

Më Shumë

Ndërprerje të ujit në disa rrugë të Prizrenit për shkak të defektit në gypin kryesor

Banorët e disa lagjeve të Prizrenit janë përballur sot me ndërprerje të furnizimit me ujë, si pasojë e një defekti të paraqitur në gypin...

Shpërthimi në veturën e Hajdarit, 30 ditë paraburgim të dyshuarit

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit B.K. i cili dyshohet të jetë ai që kreu veprën penale duke...

Lajmet e Fundit