Mbrojtja thotë se i mungojnë disa shkresa të lëndës, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-inspektorit të Prizrenit

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën është shtyrë gjykimi për korrupsion ndaj të akuzuarit Nexhmedin Musliu, për shkak se mbrojtësja e tij, avokatja Valbonë Morina ka kërkuar shtyrjen e seancës pasi që nuk i kishte disa shkresa të lëndës.

I akuzuari Musliu, po ngarkohet se asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke i sjellë përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan”, të Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Së fundi e kam marrë autorizmin dhe më mungojnë disa nga shkresat e lëndës. Revokimi i avokatëve paraprak është bërë në muajin 13 korrik 2022, dhe nuk kam mundur të bëjë asnjë veprim ligjor”, tha avokatja Morina.

Lidhur me propozimin e mbrojtjes, kundërshtime nuk ka pasur prokurorja Arjana Shajkovci si dhe përfaqësuesi i autorizuar i Komunës së Prizrenit, avokati Blerim Mazreku.

Mungesa e kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance bëri që ajo të shtyhet, kurse e radhës është caktuar të mbahet më 10 gusht 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, të përpiluar më 14 janar 2020, Nexhmedin Musliu po akuzohet se prej nëntorit 2014 e deri në maj 2016, si inspektor i ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj.

Sipas aktit akuzues, Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, por i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje të bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, Planin Zhvillimor Urban të komunës dhe lejeve të ndërtimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj u kanë mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.

I pandehuri Musliu, sipas aktakuzës, asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke i sjellë përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan”, të Prizrenit.

Ndryshe, Nexhmedin Musliu është i akuzuar edhe në disa raste të tjera, që lidhen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Amarildo Bakaj demolon Ivanoviqin – fitore me nokaut në raundin e dytë

Boksieri shqiptar Amarildo Bakaj ka dhuruar një paraqitje mbresëlënëse në MHP Arena të Ludwigsburgut, duke e mposhtur me nokaut teknik në raundin e dytë...

Banorët nisin të mblidhen për protestë – Pacolli iu tha se do të diskutojë me ta për laurën në rrugën për në Prevallë

Disa qytetarë kanë nisur të mblidhen për të protestuar kundër vendosjes së laurës në rrugën Prizren–Prevallë. Në disa pamje të publikuara nga mediumi lokal, RTV...

Lajmet e Fundit