Hetimet për korrupsion dhe dyshime për krim të organizuar në Universitetin publik të Prishtinës (UP) po vazhdojnë. Deri tash më i prekuri ka qen Fakulteti i Mjekësisë, ku janë arrestuar 11 punonjës, kanë mbetur p[a punë 15 asistentë dhe janë bërë shkarkime e suspendim. por nuk përjashtohet mundësia që të preket edhe menaxhmenti aktual.
Të gjitha hetimet dhe dyshimet deri tash janë shfaqur vetëm në nivelin fillestar të hetimeve, por tash dyshimet po avancohen dhe në nivelet tjera. Një grupi i studentëve, kandidatë për doktoraturë, e që pretendojnë së u është shkelur e drejta për studime të doktoratës në UP duke e ndryshuar konkursin me kriteret e tij pas aplikimit, i kanë shkruar një letër liderëve më të lartë institucional të vendit: Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga; Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi; Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja,transmeton Express.
Ata pretendojnë që ndryshimi i kritereve të konkursit ëpr doktoratë, pas mbylljes së tij, jo që është vetëm shkelje ligjore, por ka fyer dhe shkelur edhe dinjitetin e kandidatëve dhe njëkohësisht ka cenuar të drejtat e njeriut.
Më poshtë lexojeni të plotë letrën:
“Përmes kësaj letre po ju drejtohemi lidhur me padrejtësitë dhe parregullsitë që janë bërë në konkursin publik të shpallur nga senati i Universitetit të Prishtinës më 26.09.2013 për regjistrimin e studentëve në studimet e doktoratës për vitin akademik 2013/2014.
Të nderuar,
Në konkursin publik ishin përcaktuar qartë kushtet dhe kriteret si dhe afatet e sakta për aplikim, test të gjuhës, shpallje të rezultateve dhe kriteret e vlerësimit dhe të përparësisë së radhitje. Megjithatë Universiteti i Prishtinës, përkatësisht senati i Universitetit të Prishtinës ka nxjerrë vendimin 2/988 i cili ndryshon kriteret e vlerësimit 2 muaj pas shpalljes së konkursit dhe pasi që ishin dërguar listat e kandidatëve nga komisionet e fakulteteve. Me këtë rast Universiteti i Prishtinës ka bërë shkelje së paku në pikat e mëposhtme:
1. Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk është bërë në kohën e paraparë, por më shumë së një muaj vonesë.
2. Nuk janë marrë parasysh ose janë manipuluar kriteret e vlerësimit që kanë qenë të përcaktuara në konkurs, siç ishin nota mesatare e studimeve paraprake, publikimet në revista shkencore, pjesëmarrja në konferenca shkencore dhe rekomandimet nga profesorët e lëmit përkatës.
3. Është zhvilluar intervistë dhe është vendosur pragu i kalueshmërisë, ndërsa as intervista dhe as pragu nuk ishin pjesë e konkursit publik.
4. Njohja e gjuhës angleze ishte kriter që kishte peshë 30% në vlerësimin e përgjithshëm, por në bazë të konkursit nuk ka qenë kriter eliminues.
5. Vendimi i senatit ka efekt prapaveprues, dhe kjo është shkelje në bazë të ligjeve në Republikën e Kosovës.
Ne kandidatët e prekur nga ky vendim, konsiderojmë se është shkelur rëndë konkursi publik dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shkelje të rëndë paraqet edhe fakti siç ka deklaruar edhe vetë Rektori se kriteret janë ndryshuar për shkak të presionit të ushtruar nga studentët senator. Senati ka rënë nën ndikimin e tyre dhe ka ndryshuar kriteret e konkursit pasi që kanë përfunduar të gjitha procedurat e aplikimit dhe pasi që janë bërë rangimet e kandidatëve prej fakulteteve gjegjëse.
Vendimi i senatit të Universitetit të Prishtinës jo vetëm që ka shkelur institucionin e konkursit publik, ligjet në Republikën e Kosovës, nenin 122 të statutit të Universitetit të Prishtinës, por ka fyer dhe shkelur edhe dinjitetin e kandidatëve dhe njëkohësisht ka cenuar të drejtat e njeriut. Vendimi i Senatit të UP-së 2/988 i datës 26.11.2013, është bërë në mënyrë kundër statusore dhe kundërligjore, pasi që një gjë e tillë bie në kundërshtim me konkursin publik dhe kriteret e konkursit të shpallur më 26.09.2013. Jemi thellë të bindur se ky vendim është nxjerrë për të favorizuar kandidatët e caktuar dhe për të eliminuar kandidatë të tjerë. Si pasojë nuk është aspak e vërtetë se më këtë vendim është ngritur cilësia, por përkundrazi janë eliminuar njerëz që kanë cilësi të njohura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Janë eliminuar kandidatë që kanë studiuar në universitete më famë botërore ose kandidatë me dhjetëra punime shkencore në konferenca ndërkombëtare. Prandaj me këtë vendim mendojmë se i është shpallur luftë cilësisë dhe konkurrencës në UP. Po ashtu me këtë vendim është shkelur edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 47 paragrafi 2 ku thuhet: “Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj” duke mos siguruar mundësinë për konkurrencë të barabartë.
Me gjithë faktin se janë parashtruar rreth 150 ankesa për këtë vendim dhe procesin e doktoratës, Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa i Universitetit të Prishtinës nuk ka marrë mundin që të shqyrtojë dhe të njoftojë kandidatët nëse janë shqyrtuar apo jo ankesat. Si përgjigje kemi marrë se mund të ju drejtohemi institucioneve tjera apo gjykatave.
Për fund, kërkojmë nga ju të nderuar që të përdorni autoritetin e juaj shtetëror dhe të evitohen shkeljet ligjore që janë bërë me këtë vendim dhe si pasojë të na mundësohet regjistrimi dhe vazhdimi i studimeve të doktoratës. Ne nuk kërkojmë asgjë me shumë se atë që na takon në bazë të konkursit, statusit të Universitetit të Prishtinës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës për të cilat kemi luftuar dhe po luftojmë për çdo ditë që të jenë sa më të mira, por gjithsesi që edhe të respektohen. Mbesim me shpresë që letra jonë e hapur dhe e sinqertë do të gjejë mbështetjen e juaj dhe drejtësia të vendoset në vendin e duhur.
Me nderime:
Prishtinë, 27.12.2013
Grupi i studentëve që u është shkelur e drejta për studime të doktoratës”