Kryeministri rikujtoi ndër emocione krenarie dhe pikëllimi se Krusha e Madhe ka qenë dhe është e tillë pikërisht për shkak të kontributit të veprimtarit Ukshin Hoti.

“Sot, baca Ukë, profesor Ukshin Hoti mbush 80 vjeç. Fakti që mosha 80 vjeçare tregon se do të mund ta kishim ende në mesin tonë, na mbush edhe me pikëllim edhe me trishtim. Por, në anën tjetër jemi përplot krenari dhe nder që kombi ynë, që vendi ynë ka veprat e tij, të një njeriu, i cili veprën e bëri jetë edhe jetën e bëri vepër”, u shpreh ai.

Duke shprehur lavdi për Ukshin Hotin dhe të gjithë dëshmorët e martirët e kombit tonë, ai tha se duhet t’i rilexojmë, t’i ndjekim, dhe t’i bëjmë veprim e praktikë mësimet e tij, në mënyrë që mungesa e tij fizike, të mos jetë asnjëherë mungesë shpirtërore.

Në Shtëpinë Muze të Prof. Ukshin Hotit, kryeministri Kurti ishte nën shoqërinë edhe të veprimtarëve të tjerë të cilët njohën personalisht Hotin dhe nga atje panë edhe punimet e zhvilluara me intensitet në atë ambient.