2.8 C
Prizren
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

184 vite nga lindja e ideologut të Rilindjes Kombëtare, Abdyl Frashërit

29 gushti, shënon 184 vjetorin e lindjes së atdhetarit shqiptar, Abdyl Frashërit, shkruan KultPlus.

Abdyl Frashëri ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 Gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.

Ishte i biri i Halit beut dhe Emine hanëmit. Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahori.

Ai u shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare.

Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.

Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stambollit).

Sipas tij zgjidhja më e përshtatshme (ne përkohëshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.

Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.

Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm.

Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Më Shumë

Hapet çerdhja e re publike në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka përuruar sot çerdhen e re publike në lagjen "Ortakoll" të Prizrenit, një investim...

Kryetari i Malishevës premton mbështetje për GLV “Llapusha

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka zhvilluar një takim pune me drejtuesit e Grupit Lokal të Veprimit (GLV) “Llapusha”, të prirë nga...

Lajmet e Fundit