16 C
Prizren
E enjte, 3 Korrik, 2025

198 vite nga lindja e poliglotit, shkrimtarit dhe publicistit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës

Sot janë bërë 198 vite nga lindja e shkrimtarit, poetit, poliglotit dhe publicistit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës, shkruan KultPlus.

Pashko Vasa u lind në Shkodër më 17 shtator 1825 dhe ishte i biri Mhill (Hilë) Gjokë Vasës dhe Drande Gjergjes.

Mësimet e para i kreu në vendlindje. Më pas shërbeu si sekretar i konsulatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij dhe të zhvillohej si poliglot (njohës i shumë gjuhëve të huaja) në italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht. Ai poashtu kishte njohuri në anglisht e serbisht dhe më vonë mësoi edhe arabishten.

Së bashku me figura të tjera kombëtare në Stamboll, si Hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull «L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise». Ishte anëtar i Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip.

Ai qe pjesë e parisë së bashkësisë shqiptare në Stamboll në mbështetje të Lidhjes së Prizrenit, më 20 qershor 1878 qe firma e parë në një memorandum dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare:

«[…] Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj. Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. […]»

Pashko Vasa vdiq në Bejrut, më 29 qershor 1892.

Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u atdhesuan dhe tani prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës./KultPlus.com

 

Më Shumë

Dy aksidente brenda gjysmë ore në Prizren

Dy aksidente trafiku kanë ndodhur në dy vende të ndryshme në Prizren brenda gjysmë ore. “Kanë qenë dy aksidente rreth orës 16:00 dhe 16:30. Në...

Djali i dëshmorit, Florenti, përjashtohet nga konkursi – kompania kërkon diplomë të shkollës së mesme, injoron atë të fakultetit

Florent Maçkaj, djali i dëshmorit Selver Maçkaj, ka ngritur publikisht akuza për përjashtim të padrejtë nga një konkurs i brendshëm pune në Kompaninë Rajonale...

Lajmet e Fundit