Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve, për veprat penale penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe“Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas njoftimit, Prokurori i Shtetit ka kërkuar për dy nga ta ndalimin e ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik, ndërkaq për njërin nga ta ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.
Personat kanë qenë të caktuar nga kryetari i Komunës së Suharekës në menaxhimin e kontratës për “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia – me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht”.
“Nga provat e siguruara rezulton që të hollat në vlerë prej 72,214.74 Euro, janë paguar për operatorin ekonomik, mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihej në kontratë, përderisa në vitin 2022 përpilojnë dokumentacione të rrejshme, ku i pandehuri B.K., në bashkëkryerje me të pandehurin E.Sh., më datë 12.12.2022 përpilojnë dhe nënshkruajnë raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse janë realizuar punimet sipas kontratës përderisa gjendja në teren ka qenë e pa realizuar deri në kohën kur prokuroria së bashku me hetuesit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore në këtë çështje penale, me ç’ rast të njëjtit të gjendur para një situate të tillë, në muajin prill të vitit 2023, në bashkëpunim me personin juridik – Operatorin Ekonomik me qëllim që t’i shmangen përgjegjësisë penale dalin në teren dhe shtrojnë rrugët e ridestinuara, të cilat rrugë nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë rezultojnë me dëme material”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas njoftimit, të pandehurit i kanë shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 8,651.97 euro.
“Ndërsa, i pandehuri B.S., – (personi përgjegjës i personit juridik) dhe personi juridik – Operatori Ekonomik, prej datës 17.05.2022 deri në muajin prill të vitit 2023, në Suharekë, duke vepruar në cilësi të pronarit dhe përfaqësuesit të autorizuar të personit juridik-Operatorit Ekonomik, me dashje shkel procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, me qëllim të përfitimit për vete duke i shkaktuar dëm buxhetor Komunës së Suharekës”, vazhdon komunikata.