Të dielën në fshatin Vlashnje është është bërë varrimi i gjeodetit dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Dardan Hoxhaj, i cili humbi jetën tragjikisht në moshën 42 vjeçare, 5 ditë pas aksidentit rrugor që pësoi më 15 janar të këtij viti, në afërsi të Rinasit në Shqipëri.
Hoxhaj kishte pësuar lëndime të rënda në këtë aksident ku u përfshinë tri vetura, viktimë e të cilit mbeti edhe një 32 vjeçar nga Lipjani. Në emër të familjes, familjari i të ndjerit, Kurtish Hoxhaj, falenderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm për t’i dhënë lamtumirën e fundit Dardanit.
Ai tha se aksidenti kishte ndodhur gjatë rrugës ku Dardani me kolegët e tij ishin nisur për të ndjekur ligjeratat në fakultetin e gjeodezisë në Tiranë.
Dardan Hoxhaj, në tetor të vitit 2023, ishte zgjedhur kryetar i nëndegës së LDK-së në Vlashnje. Pas varrimit, kryetari i degës së LDK-së në Zhur, Eshref Memaj, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka humbur një aktivist të devotshëm me të cilin mund të bashkëpunohej në të mirën e subjektit.
Dardan Hoxhaj në moshën 17 vjeçare bashkë me motrën dhe babain e tij, Sadikun, iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I ndjeri pas vetes la 3 djem dhe bashkëshorten./TV Prizreni/