3.8 C
Prizren
E shtunë, 16 Nëntor, 2024

“Kroi i lotëve”/ Historia e Gorozhupit të Hasit dhe pasojat e kufijve të hekurt

Babë Maliqi, nga brezi kufitar në Shqipëri, kishte shkuar në Prizren në pazar. Ai nuk dinte se atë ditë të vitit 1947 do të blindohej kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ai mbeti në Prizren dhe kurrë nuk mundi më të kthehej në shtëpinë e tij në lagjen “Pogaj”, ku i mbeti “jetim” për së gjalli i biri, Halili. Maliqi vdes në Prizren, ndërsa Halili kurrë nuk ia gjeti varrin.

Fshati malor Gorozhup, i Pashtrikut të Hasit, ka histori të dhimbshme. Në vitin 1912, fuqitë e mëdha copëtuan tokat shqiptare, duke e vendosur kufirin Kosovë-Shqipëri në mes të fshatit Gorozhup, e që u nda në dy fshatra: Gorozhupi i Shqipërisë, që mbeti në Shqipëri, dhe Gorozhupi i Kosovës, që mbeti në Jugosllavi. Kufijtë e hekurt dhe regjim totalitar shteti jugosllav vendosi në vitin 1947, duke vendosur aty karakollin dhe kazermat dhe duke i dhënë fund lidhjes tradicionale të Gorozhupit.

Kështu, pas vendosjes së kufirit të hekurt dhe dhunës ndaj popullatës, shteti komunist i Jugosllavisë vuri rend vdekjeprurës në tërë zonën kufitare të Gorozhupit, duke neutralizuar disa kilometra male dhe tokë pune, që u kishte shërbyer banorëve vendës, edhe pse ishte tokë kodrinore-malorë në mes të fshatit të ndarë Gorozhup.

HISTORIA E DHIMBJES…

Ndarja e Gorozhupit, megjithatë, e ka historinë e vet të dhimbjes. Historia nuk është shkruar e tëra te karakollët serbojugosllavë në krye të fshatit, por është shkruar pikërisht në luginën mes dy Gorozhupëve, aty ku ishte kroi i përbashkët i të dy lagjeve të fshatit, por që e ndante kufiri shtetëror. Kështu, kroi u bë i rëndë për të mbushur ujë, sepse edhe uji i pijes u mor nën diktaturën ushtarake të regjimit. Ishin mbi dy kilometra rrugë të vështira për ecje nga karakolli i ushtrisë jugosllave deri te kroi në luginë, rrugë që duhej kaluar për çdo ditë dhe, për më keq, kjo rrugë nuk do të mbetej vetëm një rrugë gurësh nëpër luginë, por ferr jete për banorët që duhej të merrnin ujë në krua, si burim jete të përditshme, meqë uji në Has ishte i pakët dhe vështirë gjendej.

Me vendosjen e kufirit ndërshqiptar, kullotat ishin kufizuar dhe reduktuar dhe me kilometra zonë rurale të shkurreve kodrinore-malore ishin braktisur nga urdhri dhe prania e ushtrisë serbo-sllave. E, kjo e vështirësoi tej mase jetën e fshatarëve të Gorozhupit, duke humbur shumicën e burimeve ekzistenciale të jetës së banorëve të fshatit.

Marketing

Shitet banesa me çmim të volitshëm në Prizren

TELAT GJEMBORË TMERRONIN…

Më i moshuari i fshatit, Mehmet Tana, në kohën kur e vizituam fshatin Gorozhup, tregon më së miri historikun e këtij fshati. Ai për revistën tonë, “Kosovarja”, tha se atëbotë, për ta bërë edhe më të vështirë jetën e fshatarëve në të dy anët e kufirit, ndodhën shumë gjëra dramatike.

“Së pari, u vendosën tela gjemborë në kufi dhe ata u bën të pakalueshëm. Nja një kilometër e gjysmë nga shtëpia ime, e që është më e largëta në fshat, u ndërtua kazerma ushtarake dhe karakolli në kodër, prej nga vëzhgohej e tërë hapësira nga ana e Shqipërisë. Objektet ushtarake u ndërtuan në lagjen ‘Martinaj’, pronarët e të cilit vend janë pikërisht mjeshtrit e gatimit të njohur sot në Prishtinë me emrin ‘Furra e Qerimit’. Kemi vuajtur shumë sa nuk mund të shpjegohen të gjitha detajet. Këtu ka ndodhur aksioni për mbledhjen e pushkëve në vitin 1956, me çka u rëndua edhe më shumë jeta e fshatarëve të Gorozhupit. Kur filloi aksioni i armëve, porosia për ne u bë e qartë: Duhej ta braktisnim fshatin dhe të lenim hapësirë të lirë malore për forcat serbo-sllave. Duhej të iknim për të mos e parë lagjen ‘Pogaj’ të Gorozhupit që mbeti në Shqipëri, e që ishin vëllezërit tanë hasjanë.”

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

VRASJET PA PARALAJMËRIM…

Kishim pasur një histori, çdo gjë të përbashkët. Por, me vënien e kufirit përmes Gorozhupit, çdo gjë u bë e huaj për ne. U pamundësua kalimi kah ta dhe këndej dhe kushdo që u kap në mes dy fshatrave u vra pa asnjë shpjegim. Edhe bagëtia që vinte nga mali po të depërtonte në anën tjetër vritej mizorisht, sepse kjo zonë kufitare mori epitetin “Zonë ushtarake rreptësisht e ndaluar!”.

Po ashtu, duke shpjeguar detajet dhe ngjarjet e rënda në mes dy kufijve, Mehmet Tana thotë: “Çdokush që kapej në mes dy kufijve vritej, ndërkohë që ne kishim miqësi me ta dhe ata me ne. Mbetëm të izoluar, duke mos e takuar më mikun-mikun, fqinjin-fqinjin dhe duke u parë nga largësia vetëm te kroi i fshatit. Aty mbushnim ujë kur e kishim orarin e caktuar në prani të ushtarakëve të të dy anëve kufitare. Një numër i madh vrasjesh të banorëve të këtushëm dhe të të tjerëve që nuk i njihnim, bëheshin në kufi sa herë që i duhej pushtetit të bënte vrasje politike ose të montuara, apo sa herë i duhej ta ekzekutonte dikë që e konsideronte armik të shtetit. I merrnin dhe i qonin te kufiri. I linin afër ndonjë torbë me gjëra, në mënyrë që të arsyetonin vrasjen kinse ka dashur ta kalojë kufirin ilegalisht.”

SI U LIKUIDUA NË KUFI SALIH TEJECI?

Nga fshati ynë njihet rasti i Salih Tejecit, të cilin e kanë likuiduar në kufi. Ishte 45 vjeç. Thanë se e kishin zënë duke dalë në Shqipëri. Ne e dinim se kjo nuk ishte e vërtetë, por nuk guxonim të flisnim, sepse na priste e njëjta gjë edhe neve… Po në këtë kufi është ekzekutuar edhe Rrustem Martinaj, nga i cili sot janë familjet e furrave të njohura “Qerimi” në Prishtinë. Ne jemi çliruar vetëm pas çlirimit të Kosovës, sepse shumëkush nuk e di se ç’është zullumi dhe si ishte të jetosh në kufi… Prandaj, ne i jemi gëzuar çlirimit të Kosovës më shumë se kushdo tjetër.”

KROI I LOTËVE

Kroi që me shekuj kishte ofruar banorëve të Gorozhupit, u bë kroi i ndarjes dhe i lotëve. U bë edhe mollë sherri ndërmjet dy ushtrive të dy shteteve në kufirin ndërshqiptar, ku vëllai me vëllanë nuk guxonte të fliste, madje nuk guxonin as të përshëndeteshin.

Mejdiu, mbi 40 vjeç, tregon se si e mban mend këtë rrugë të përditshme kur me vëllanë më të madh bartnin ujë me gomar. “Ishte rrugë e vështirë dhe e bënim përditë. Me ne ndodheshin ushtarët kufitarë edhe gjatë shkuarjes, por edhe gjatë kthimit,” thotë Mejdiu. Tutje ai tregon se si duhej t’i linin gomarët në lëndinë për të ngrënë bar, teksa u vinte radha të merrnin ujë. Kjo bëhej për të mbajtur rendin te kroi, ku mund të shkonin vetëm dy nga dy. Dhe, po të fliste kroi, do të tregonte çudira…

HALILI KURRË NUK IA GJETI VARRIN BABA MALIQIT

“Në ditën e mbylljes së kufirit, Maliq Morina kishte shkuar në treg në Prizren,” tregon Halil Morina, biri i Maliqit, i cili e la “jetim” për së gjalli. Halili tash është më i moshuari i Gorozhupit nga lagjja “Pogaj”. Ai, duke treguar historinë e ndarjes së fshatit, thotë se kufiri e ndau me babanë. Ai mbeti në Prizren, ndërsa babai në fshat, në pjesën e Shqipërisë. Halili u rrit pa baba që nga mosha pesë vjeçare.

“Babai mbeti në Prizren, meqë kishte shkuar në pazar. Po atë ditë u mbyll kufiri dhe ai mbeti atje. Kurrë më nuk e kam parë babanë tim, e as ai mua. Ka vdekur dhe nuk ia di as varrin. Për vdekjen e tij kemi mësuar nga një grua e fshatit Vlane. Te kroi, ajo u ka thënë grave që mbushnin ujë se kishte dëgjuar se kishte vdekur Maliq Morina,” thotë Halili.

Sidoqoftë, historia e Gorozhupit është e dhimbshme. Por, shyqyr Zotit, kjo tashmë i mbetët së kaluarës dhe sot endemi lirshëm këndej e andej kufirit..S. Krivaça

https://kosovarja-ks.com/revista/2024/Kosovarja_06.pdf

 

Marketing

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

Më Shumë

Pejanët fitojnë në Prizren

Peja shënoi fitore ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultat 69:85 (22:25, 20:22, 14:18, 13:20), në javën e nëntë të ProCredit Superligës së Kosovës në...

MASHTI vendosë: Doracakët largohen nga përdorimi, i rishikojnë ekspertët

Doracakët e miratuar katër vite më parë për “Edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues", do të largohen nga përdorimi e do të rishikohen nga ekspertët. Kështu...

Lajmet e Fundit