5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lajmi i madh dhe lajmi i vogël

Fatos baxhakuFatos BAXHAKU

Në 1996-n, në redaksitë e Tiranës, mbërriti një lajm nga një fshat i Myzeqesë. Sipas traditës, që zuri fill asokohe dhe që më pas u shndërrua në një veçori gati krahinore, vajza fare të reja, të trishtuara, të gjendura në një udhëkryq për të cilin nuk i kishte përgatitur kush, të zëna në grackë mes ëndrrave që u hapi befas liria dhe vargonjve me të cilat i lidhte injoranca dhe varfëria, ato nuk gjenin rrugë tjetër shpëtimi veçse vetëvrasjes. Mënyra që kishin zgjedhur ishte gati-gati e tmerrshme: pinin fostoksinë, një helm i fuqishëm, që përdoret për të luftuar minjtë e pamposhtur të arave. Mjekët thonë se vdekja, që pason gati-gati në mënyrë të pashmangshme, është e mbushur me vuajtje të paimagjinueshme. Në rastin për të cilin po flasim, këtë rrugë e kishin zgjidhur në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, në të njëjtin vend – në shtëpinë e tyre prindërore – dy motra. Njëra mbijetoi pas vuajtjesh të llahtarshme, ndërsa tjetra mbylli sytë përjetë. Historia kishte qenë pak a shumë kështu: sikurse është zakon mes motrave, më e vogla i rrëfente motrës së madhe se si kishte rënë në dashuri me një djalë që i kishte premtuar ta merrte shpejt në Greqi, atje ku punonte edhe vetë. Nga ana tjetër, motra i rrëfente planet që po thurte me të fejuarin, i cili edhe ai punonte në Greqi. Të dyja motrat kaluan kështu disa kohë duke pëshpëritur netëve ëndrrat e tyre, deri sa pas muajsh morën vesh një të vërtetë të rëndë: kishin pasur të njëjtin të dashur/të fejuar, që u ishte prezantuar me emra të ndryshëm. Për dy vajza të padala fshati, ky turp ishte i papërballueshëm.

Ky lajm asokohe, ndonëse mbërthente në vetvete shumë gjëra që më vonë do t’i njihnim më mirë më 1997 (mosnjohjen e jetës, naivitetin, babëzinë, etjen për t’u pasuruar nga të tjerët, kapadaillëkun e atij që befas gdhihet bej, mungesën e shpresës, mungesën e kulturës apo të profesionit), u konsiderua si i rëndë, kurioz etj., por ama si lajm i vogël. “Një vajzë myzeqare më tepër që vret veten, e ça pastaj?”. Ndonëse kjo fjali mbase nuk është shqiptuar ndonjëherë, ajo është menduar në të paktën dhjetë redaksi të asokohe. Lajmi i vogël, në fillim u shkrua 30 radhë, një ditë më pas 20, të tretën ditë 10 dhe pastaj u zhduk, sikur të mos kishte ndodhur gjë fare. Përballë politikës që gëlonte asokohe me të madhe, fati i vajzave myzeqare dukej aq i vogël, saqë… Pastaj ato nuk ishin veçse dy bijat e një fshatari të panjohur!

Është e kuptueshme që jo vetëm në media, por edhe në jetën e përditshme do të ketë lajme të mëdha dhe të vogla. Sa më i madh është rrethi i njerëzve që për një motiv apo tjetër – ky mund të jetë ekonomik, kulturor, i pasionit, psikologjik, i formimit, i profesionit e kështu me radhë – aq më i madh quhet lajmi. Dhe kjo është e drejtë, është e drejtë deri në njëfarë pike, sepse mund të ndodhë që për hir të armikut të madh të çdo profesioni, që quhet formalizëm, mund të biesh në grackën e të bërit lajm të madh vetëm me politikë dhe me kronikë të zezë, apo vetëm me VIP-a, duke krijuar përshtypjen se çdo fat tjetër njerëzor, çdo njeri që nuk është i famshëm, madje edhe çdo traditë, apo çdo mendim pozitiv nuk përbëka më lajm. Shembulli më i dukshëm, përpos plot të tjerëve e si ne kemi nisur të harrojmë se jeta nuk është gjë tjetër veçse një tërësi e atyre që në dukje shëmbëllejnë si të vogla, është rasti i atyre që mbledhin hekurishte për t’i shitur për skrap. Këta janë kryesisht të rinj. Në rast se kapet njëri prej tyre duke vjedhur një pusetë të rrugës, ky nuk përbën sigurisht lajm, në rast se kemi fshatarë që sharrojnë aluminet në krah të Rrugës fort të lavdëruar të Kombit, as ky nuk përbën ndonjë lajm, në rast se ndonjë prej tyre e zë korrenti duke vjedhur transformatorin e bakërt, edhe ky nuk na thotë gjë. Në rast se ndonjëri prej tyre gjendet i vdekur nga i ftohti në një pallat në ndërtim në Lushnjë, edhe ky nuk na thotë gjë, mezi përbën lajm, vetëm për hatër të vdekjes. Në fakt, të mbledhur të gjithë bashkë, këto lajme të vogla, mund të përbëjnë ndonjë lajm shumë herë më të madh se sa vizitat e presidentëve apo të kryeministrave, të cilave u kushtojmë kohë e qoka. Të rinj që mbledhin skrap për të jetuar në një vend që pretendon të mbërrijë në Europën e premtuar, thonë plot e plot gjëra: Më e para nga të gjitha kemi të rinj që nuk kanë profesion, së dyti, këta të rinj pronën e përbashkët e shohin si pronën e dikujt tjetër, e treta hajdutllëku i vogël dhe jo puna është preferenca e shumë e shumë të rinjve. Të gjitha këto bashkë përbëjnë një goxha lajm, dhe nuk janë më aq të vegjël sa për të merituar vetëm 5 radhë.

Një rast tjetër ishin të dhënat që ministri i Punës, Veliaj, deklaroi mbi skemën hajdutërore të përkrahjes sociale. Sipas punës së lavdëruar të ministrit Veliaj dhe të stafit të tij rezultonte se një goxha pjesë e mirë e bashkëqytetarëve tanë prej kohësh shtireshin si të papunë, minimalisht të varfër apo si invalidë. I konfirmuar zyrtarisht, ky është një lajm që duhet të shtyjë në mendime shumëkënd, jo vetëm gazetarët. Kjo do të thotë se një pjesë e mirë e jona mendon se mund të vjedhë gjënë e përbashkët, që na përket të tërëve dhe as Berishën e as Ramën. Ne pra, jemi një popull që vjedhim veten. Edhe ky lajm humbi në hullinë e betejës së përditshme politike.

Sikur të mos kishte qenë patriotizmi dhe vëmendja e qytetarëve dibranë dhe i të gjithë atyre që i mbështetën në Tiranë, edhe lajmi i Radikës apo i Vjosës do të ishte konsideruar i vogël. Matanë kufirit po bëhen gati të na vjedhin lumenjtë, ndërsa ne rrimë të presim deri sa të na vijë njoftimi zyrtar, i cili më pas u dashka kaluar ndër disa komisione sipas ligjeve ndërkombëtare. Meqë ra fjala, kush ka parë një lumë të lindë e di se ai në fillim nuk është veçse një curril i ndrojtur uji, që mezi çan përmes shkëmbinjve apo plisave, në dukje pa asnjë pretendim, por më pas, sa më shumë që ushqehet me të tjerë përrenj e burime të vegjël, vjen e bëhet një gjë e madhe dhe hijerëndë që quhet lumë. Ka ardhur koha që edhe ne t’i vlerësojmë ca më shumë këto burimet e vogla të ujit që i shohim përditë, por që nuk ua vëmë veshin edhe aq shumë. Një lumë e sheh kushdo, të shohësh burimet që e bëjnë atë, kjo është detyrë e disa profesioneve, në radhë të parë e jona.

Përplasja e madhe dhe e kahershme mes lajmit të vogël dhe atij të madh u duk fare shkoqur edhe në raportimet e djeshme mbi 3-vjetorin e 21 janarit të përgjakshëm. Lajmi i madh ishte ceremonia prekëse, marshimi i heshtur, familjarët e të shkretëve, kërkesa për drejtësi nga vetë Drejtësia, shiu që binte pareshtur, portreti i zbehtë i Ramës, lotët e pjesëmarrësve. Karafilat e kuq të lagur… Lajmi i vogël këtë herë mund të përmblidhej në dy pyetje të vetme: Ky vend, i yni, a ka nevojë të përhershme për dëshmorë? Dhe e dyta: A është kaq e thjeshtë në vendin tonë që, nga një njeri i thjeshtë të shndërrohesh befas në një dëshmor? Të dyja, edhe një herë, u konsideruan si pyetje që kërkojnë përgjigje të parëndësishme, pra si lajme të vogla./shqip/

Më Shumë

Green i Yllit, MVP i javës

Quade Green shkëlqeu në javën e 12-të të ProCredit Superligës, duke udhëhequr Golden Eagle Yllin drejt një fitoreje dramatike kundër Bashkimit në Prizren. Me...

Policia shqiptoi 1960 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1960 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Lajmet e Fundit