Projekti i sheshit “Shatërvan” në Prizren deri më tani ka shpenzuar rreth 2 milionë euro. I gjithë projekti i nënkalasë ishte paraparë të përfundojë me 3 milionë euro. Por, për të përfunduar të gjithë Zonën Historike të Prizrenit duhen mjete të tjera, që priten të sigurohen nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në vitin 2025.
Pas disa punimeve që janë kryer në sheshin “Shatërvan” të Prizrenit, ka filluar edhe heqja e shtyllave elektrike, pasi i gjithë rrjeti shpërndarës elektrik dhe kabllovik është sistemuar nën tokë.
“Është një hap në drejtim të përmirësimit të kualitetit të jetës së qytetarëve, krijimit të një ambienti më të këndshëm, më të mirë dhe besoj se përveçse për qytetarët e Prizrenit, do të jetë një ambient interesant edhe për vizitorët të cilët vijnë nga komunat e tjera, por edhe nga shtetet e tjera. Komuna do të vazhdojë me përkushtimin e vet për të gjetur rrugë e mundësi që këtë punë që po e bëjmë në Shatërvan ta bëjmë edhe në pjesë të tjera të qytetit, kryesisht rreth unazës, në mënyrë që edhe në pjesë të tjera të qytetit të realizojmë një projekt të tillë”, tha Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit.
Për projektin e sheshit “Shatërvan”, Drejtoria e Shërbimeve Publike kishte ndarë 3 milionë euro, por duhen ende mjete që të përfundojë Zona e Parë Historike e Prizrenit.
“Normalisht që me këtë kontratë nuk mund të përfundon zona komplet se është Zona e Parë Historike, dhe Drejtoria e Shërbimeve publike, shumë shpejt gjatë fillimit të vitit 2025 do të hapë edhe një kontratë të re dhe nuk do të ndalemi me kaq. Mendojmë që edhe në vitet në vijim, do të bëjmë investime si me heqjen e kabllove, ashtu edhe me shtruarjen e kalldrëmit”, tha Çelë Lamaj, drejtor i Shërbimeve Publike në Prizren.
Punimet në “Shatërvan” nisën në muajin mars, ndërsa bizneset dhe gastronomët patën vështirësi në punën e tyre. Ata kanë kërkuar nga komuna që të ndihmohen për t`i balancuar humbjet.
“Besoj që ata do të na kuptojnë, ne e kemi përpiluar tekstin tek të gjitha humbjet e vonesat, konkretisht do t’i prezantojmë, besoj që atëherë do të hasim në mirëkuptimin më të mirë të mundshëm”, tha Ilir Shala nga Shoqata e Gastronomëve të Prizrenit.
Autoritetet komunale thonë se deri në fund të muajit nëntor, pritet të përfundojnë punimet në sheshin “Shatërvan”, në rrugën “Shuaip Spahiu” dhe në kalldrëmin e ndriçimin e rrugës së kalasë së qytetit./RTK/
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”