Këngëtarja shqiptare Parashqevi Simaku, ka dalë nga spitali në Nju Jork, ku po kurohej për shkak të situatës së rënduar psikologjike.
Biznesmeni shqiptar, Elton Ilirjani, ka dhënë lajmin e mirë dhe ka shpërndarë në rrjetin e tij zyrtar në Instagram foto të saj.
Ajo shfaqet e qetë dhe duke qeshur në videon e filmuar.
“Surprizë, ia dolëm”, shkruan OIlirjani krahas videos dhe fotos së shpërndarë.
Disa ditë më parë, Ilirjani theksoi se me daljen nga spitali nuk do të thotë se ka kaluar problemi. Ai kërkoi ndihmë për përkujdesjen që i duhet Parashqevisë, pas kurimit në spitalin psikiatrik.
“Rrugëtimi i saj do të rinisë, do shkoj t’ia jap lajmin e mirë që ajo mezi po e pret. Do t’i çoj dhe byrek me spinaq, që ajo e ka shumë qejf. Kjo s’do të thotë se çdo gjë ka kaluar.
Unë e di që kur ajo të dalë, do të vazhdojë me dëshirat e saj, me mënyrën si e shikon të gjithë këtë gjendje, por ne do të jemi aty për ta ndihmuar. Ky ka qenë një muaj me shumë dhimbje, me shpresë, me frikë, por po ia dalim”.
“U bëj thirrje të gjitha grave shqiptare, ato që kanë kohë të lirë, që të mund të na ndihmojnë gjatë akomodimit të Simakut në shtëpinë e saj të re.
Apo për të qëndruar me të gjatë ditës dhe natës, për t’i qëndruar pranë. Do doja ta bëja unë këtë punë 24/7, por kushtet e mia nuk ma lejojnë.
Nuk kam fjalë nga gjithë kjo eksperiencë, ka qenë shumë e bukur dhe shumë lodhëse.Dalja nga spitali nuk do të thotë që ka kaluar problemi, do të thotë që puna fillon këtu”.
Elton Ilirjani, vuri në dukje se të paktë janë artistët shqiptarë që kanë mbështetur dhe ndihmuar financiarisht Parashqevi Simakun. Madje sipas tij, kolegët e brezit të Parashqevisë, kanë ndihmuar më pak se të tjerët.
Teksa thotë se u detyrua të anulojë pjesëmarrjen në Javën e Modës në Kore, Ilirjani shpreson se Simaku do të jetë në rreshtin e parë kur ai të ngjitet në pasarelë gjatë Javës së Modës në New York.