Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me incialet M.G., shtetas turk, i dyshuar për kryerjen e tri veprave penale.
Sipas njoftimit të gjykatës, ndaj tij ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Paraburgimi do të zgjasë deri më 5 qershor 2025.
Gjyqtarja e procedurës, Shpresa Emra, ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme për shkak të rrethanave të rënda të veprave, të cilat dyshohet se janë kryer brenda ambientit familjar, si dhe për shkak të vendosmërisë së të pandehurit për t’i kryer ato.
Po ashtu, është theksuar se i pandehuri nuk ka vendbanim të përhershëm në Kosovë dhe ekziston rreziku i arratisjes, çka justifikon mbajtjen e tij në paraburgim për të siguruar prezencën në procedurat e mëtejme hetimore.
Gjykata ka theksuar se këto janë dyshime fillestare dhe vërtetësia e tyre do të vlerësohet në fazat e mëvonshme të procedurës penale.
Gjykata në Prizren shqyrton kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e vajzës së tij
Në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka filluar seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit për vrasjen e vajzës së tij në Prizren.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për shtetasin turk, i cili dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.
“Seanca për caktimin e masës së sigurisë për këtë rast ka filluar në ora 14:30. Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje ose posedim i paautorizuar i armëve””, ka bërë të ditur zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit M.G., (shtetas turk), për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”, dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari M.G., me datë 06.05.2025, rreth orës 05:30 min, në Rr. “Shote Galica” në Prizren, me dashje privon nga jeta vajzën e tij 15 – vjeçare, me mjet të mprehtë (thikë) të llojit “Bajonetë”, me ç ‘rast e njëjta ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Më këto veprime, i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje theksohet se “i njëjti, me dashje tenton t’i privoj nga jeta vajzën rreth 10 vjeçare, të cilës i shkakton lëndime të rënda trupore”, dhe se “më pas me po të njëjtën thikë e godet edhe bashkëshorten e tij, duke vënë me dashje në rrezik jetën e tyre”.
“Me këto, veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”. Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Personi i dyshuar, me inicialet M.G., sipas Prokurorisë, gjendet në ndalim 48 orësh nga data 06 maj 2025.
Policia e Kosovës të mërkurën në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se një i dyshuar, shtetas i Turqisë, ka sulmuar me mjet të mprehtë dy vajzat e tij, ku njëra prej tyre nuk u ka mbijetuar plagëve dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa, tjetra ka pësuar lëndime trupore. Sipas njoftimit lëndime ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit respektivisht nëna e viktimës si dhe vet i dyshuari.
“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ndërsa e lënduara tjetër është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është në gjendje stabile. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.