3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Kuvendi nuk po bën reformë zgjedhore

zgjedhjet5Reforma zgjedhore e ka humbur kuptimin, thonë njohës të proceseve zgjedhore në Kosovë.

Sipas tyre, aktualisht Kuvendi i Kosovës dhe subjektet politike po bëjnë një amandamentim të ligjit ekzistues, kurse fjala reformë ka mbetur vetëm si simbolikë e një punë të nisur tash e tri vjet

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se Kuvendi nuk ka miratuar në fakt vazhdimin apo përfundimin e reformës, por ka miratuar procedurën e plotësim ndryshimit të ligjit aktual për zgjedhjet qendrore.

“Kjo realisht nuk ka të bëjë fare me reformë. Janë pajtuar pothuajse edhe deputetët por edhe klasa politike që nuk mund të flasim për reformë. Edhe ideja që të kemi vetëm plotësim ndryshim të legjislacionit aktual e thotë atë që më reforma nuk ekziston, është cenuar dhe nuk ka pasur një vullnet politik për ta reformuar legjislacionin, i cili më pas do të ndikonte dhe reflektonte edhe në reformimin e sistemit zgjedhor në Kosovë”, ka thënë Selmanaj.

Ndërkohë, edhe analisti Leon Malazogu thotë se tanimë nuk ka kohë që Kosova t’i bëj reformat e kërkuara zgjedhore. Kurse i sheh si të shpenzuara së koti 3 vjet në lidhje me paralajmërimin e përmbylljes së këtij procesi, të cilësuar si reformues.

Ai thotë po ashtu se reforma zgjedhore është keq-interpretuar duke u ndërlidhur me ndryshimet kushtetuese.

Sipas tij, ndryshimet kushtetuese, për të cilat kjo legjislaturë nuk ka konsensus nuk kanë qenë të domosdoshme për të përmbyllur një reformë zgjedhore.

“Mendoj që është keqpërdorur paksa reforma, duke dashur që në kuadër të saj të përvidhet edhe zgjedhja e kryetarit të shtetit në mënyrë të drejtpërdrejtë. Është zhvendosur edhe fokusi i reformës tek zgjedhja e drejtpërdrejtë e kryetarit dhe unë mendoj që reforma ka mund të bëj shumë më tepër në parandalimin e shkeljeve, në përmirësimin e përfaqësimit në Kuvend, çka nuk janë bërë”, ka thënë Malazogu.

Çështja e reformës zgjedhore në Kosovë do të shihet si e nevojshme edhe në të ardhmen, thotë në anën tjetër, Driton Selmanaj.

Ai pret nga legjislatura e ardhshme të tregoj gatishmërinë që me të vërtetë të bëj reforma, pasi që kjo legjislaturë dhe ky lidership, sipas tij, reformën e kanë përdorur vetëm si një mjet për arritjen e qëllimeve tjera politike.

“Nuk është prekur substanca. Do të thotë, të gjitha çështjet të cilat kanë qenë të rëndësishme dhe të cilat në njëfarë mase do të ndikonin në avancimin e demokracisë në Kosovë dhe do ta konsolidonin këtë demokraci, nuk janë trajtuar ose injoruar. Tanimë mund të konkludohet se në Kosovë ideja për reformë të legjislacionit zgjedhor ka ndryshuar”, ka deklaruar Selmanaj.

Pas një debati që zgjati tri vjet, qoftë në parlament apo edhe në takimet e liderëve politik, javën e kaluar ish-Komisioni ‘ad hok’ për këtë reformë, për shkak të përfundimit të mandatit i dorëzoi punën Komisionit për Legjislacion që të dalë me propozime për ndryshimin e ligjit zgjedhor.

Ky Komision është mbledhur sot dhe është zotuar se këto propozim-ndryshime do t’i procedohen Kuvendit për miratim brenda këtij muaji.

Pas përmbylljes së ndryshimeve në ligjin për zgjedhjet qendrore, pritet të hapet edhe debati për kohën.(rel)

Më Shumë

Prizreni përforcon masat kundër zjarreve: Vendosen 40 hidrantë të rinj

Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit ka përfunduar një projekt të rëndësishëm për rritjen e sigurisë në qytet, duke vendosur 40...

A është ky adresimi i Parashqevi Simakut?

Profili në facebook është i krijuar në emër të saj, më datë 16 dhjetor 2024. Në të, këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Parashqevi Simaku, e cila...

Lajmet e Fundit