3.5 C
Prizren
E diel, 18 Janar, 2026

Jetëshkrim për nënën time

Nga Murat Gashi
Kur erdha në këtë botë, vetëm qaja me lot.Nuk dija asgjë — qaja si çdo fëmijë që sapo njeh frymën e parë.Por duart e nënës i ndjeja të ngrohta mbi kokën time, në faqe, në trupin tim të njomë.Zëri i saj i ëmbël, buzëqeshja dhe dashuria më dukeshin si dhuratë e Perëndisë.Vit pas viti, e doja nënën dhe ajo më donte mua — ashtu siç di vetëm nëna ta dojë fëmijën e saj.Si foshnjë nuk e dija ç’është nëna, por çdo fjalë e imja asaj i dukej mrekulli.
Çdo hap, çdo belbëzim, çdo buzëqeshje ime ishte gëzim për të.Më fliste gjithmonë për të mirën, përpara se të më përkundte në djep apo të më shtrinte në shtrat.Kur më merrte në gjirin e saj të ngrohtë, më këndonte ninulla.Unë nuk e kuptoja, por sytë e mi shikonin një nënë të shenjtë — dhe ajo shikonte engjëllin e saj.Kush e di të nesërmen?Kush e di jetën dhe rrugën e saj? Vetëm Ai që na krijoi i di qëllimet tona.Unë nuk e dija çfarë më priste, siç nuk e di asnjë fëmijë tjetër.
Unë dija vetëm dashurinë e nënës — dhe nëna njihte vetëm dhimbjen e fëmijës së saj.
Ishte dimri i fundit.Janari, kur gjoksi i nënës s’do të më ngrohte më.Në atë kohë kisha motrën time të madhe Mihrien, shtatë vjet më të madhe, vëllain Hamdiun katër vjet më të madh dhe babain tim, Veliun.Mbaj mend shtëpinë tonë dykatëshe, të gjatë, me gjashtë dhoma dhe çardakun prej druri.Dritaret merrnin dritën e diellit nga jugu dhe perëndimi, dhe dhomat mbeteshin të ndriçuara deri në muzgun e mbrëmjes.Mbaj mend atë ditë dimri të fortë, kur dëgjova britmën e nënës.Mbaj mend qilimin kuqezi, të qëndisur me figura shqiponjash, për të cilat më vonë gjyshja Gjyle do të më tregonte kuptimin.Mbaj mend krevatin e hekurt të nënës, pranë murit të dhomës.
Nëna shpesh vuante nga mushkëritë dhe shtrihej për kurim në spital, nën kujdesin e doktor Daut Mustafës.
Shpesh, bashkë me të isha edhe unë.Qielli i fëmijërisë më dukej i pastër, bora e bukur, loja e pafajshme.Më vonë kuptova se ato pamje ishin vetëm hija e një dhimbjeje që po afrohej.
U bëra jetim pa e kuptuar ç’është jetimëria.Malli për nënën u rrit bashkë me mua: mungesa e gjoksit të saj të ngrohtë, fjalët e ëmbla, këngët e djepit, këngët e fushës e të maleve.Të gjitha këto më vonë do t’i dëgjoja nga të tjerët — nga gjyshja, daja, motra, vëllai, babai.Ah, fëmija nuk di ç’është vdekja — dhe ndoshta është mëshirë që nuk e di.Dimri atë vit ishte i egër. Bora kishte kaluar një metër e gjysmë.
Akullnajat vareshin nga çatia si shigjeta.Gjyshja përpiqej ta qetësonte nënën, ndërsa unë e shikoja me sy të përlotur, pa e kuptuar pse po vuante aq shumë.Babai dhe daja Shaban e dërguan nënën me kalë në spital, përmes dimrit të ashpër.
Atë natë nuk u kthyen.
Ditët kaluan në heshtje.Unë prisja, pa ditur çfarë prisja.Kur na çuan në spital për ta parë, e mbaj mend doktor Daut Mustafën.Më mori në grykë, më ledhatoi, më foli për shkollën — një fjalë që më mbeti thellë në mendje.Nëna fliste pak, me buzë të thara nga dhimbja.
Përpiqej të shkruante diçka, të linte amanet, por mushkëritë nuk e linin.Babai i kuptoi të gjitha.Unë jo.U kthyem në shtëpi me një dhimbje që nuk e njihja ende.Në marsin e vitit 1964, erdhi lajmi i zi.Shtëpia u mbush me njerëz, me vaj, me heshtje të rëndë.Unë qaja sepse qanin të tjerët — jo sepse e kuptoja vdekjen.Kur e sollën nënën për herë të fundit, errësira mbuloi fshatin.Zërat e vajit përplasnin muret, dhe atëherë edhe mua m’u këput diçka brenda.Ditën e enjte, bora mbuloi tokën, por dielli doli.
Sikur më tregonte se pas ftohtit vjen ngrohtësia, pas dhimbjes vjen jeta.Nëna u varros, por la pas tre fëmijë — tre fidane të njomë.Ajo u bë rrënjë në tokën e të parëve, ndërsa ne u rritëm si degë të saj.Sot, pas shumë dekadash, ende e mbaj në zemër.Dashurinë e saj dhimbjen, amanetin e heshtur.
Fidani i saj u rrit me modesti, dhe ende sot, pas kaq vitesh, unë e kujtoj nënën time me mall, me lot dhe me krenari. Sepse nëna nuk vdes —ajo vetëm shndërrohet në dritë brenda nesh.
 17 janar 2026
Prizren

Më Shumë

Haziz Hodaj sqaron dorëheqjen: Nuk jam larguar nga LDK-ja, por vetëm nga Kryesia

Kuvendari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Haziz Hodaj, ka sqaruar edhe një herë publikisht arsyet dhe kuptimin e dorëheqjes së tij...

Sot ditëlindja e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali

Më 16 janar shënohet datëlindja e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit.   Ai lindi në vitin 1844, dhe vdiq në moshën 75-vjeçare, tetë ditë pas...

Lajmet e Fundit