Drejtori i Shëndetësisë, Sylejman Baxhaku, dhe Drejtori i Financave, Levent Bus, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Turqi, ku janë dakorduar për bashkëpunim në fushën e trajnimeve profesionale për stafin infermieror nga Komuna e Prizrenit.

Gjatë vizitës, ata kanë realizuar takime me përfaqësues të universiteteve “Cerrahpasa” dhe “Biruni”, ku është arritur pajtueshmëri për fillimin e programeve trajnuese me qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
“Janë dakorduar për fillimin e bashkëpunimit për trajnime profesionale të stafit të infermierëve, me synim rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, thuhet në njoftimin e komunës, raporton PrizrenPress.

Po ashtu, delegacioni i Prizrenit ka marrë pjesë edhe në panairin ndërkombëtar të shëndetësisë “Expomed Eurasia”, ku është njohur me teknologjitë më të reja mjekësore dhe mundësitë për sigurimin e donacioneve për komunën.
“Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore në Prizren”, theksohet në njoftim./PrizrenPress.com/
