Një përleshje fizike mes katër personave ka ndodhur në Prizren, ku dyshohet se janë përdorur mjete të mprehta, përfshirë thika, duke lënë të lënduar tre persona.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, incidenti ka ndodhur mes dy grupeve të personave, ndërsa dy nga të përfshirët raportohet se kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin.
Përleshja ka eskaluar me shpejtësi, duke çuar në përdorimin e mjeteve të mprehta.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është në trajtim dhe se njësitet përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Aktualisht po mblidhen prova dhe dëshmi me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë incident.
Tre personat e lënduar janë transportuar me autoambulancë për trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht.