2.4 C
Prizren
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Luftë pa fund

81209Titulli i librit më të fundit të Pëllumb Kullës është “Luftë pa fund, shtegtime nëpër qiellin politik”. Ka të përmbledhur artikuj, krijime, përsiatje, fjalime dhe intervista të tij. Me pak fjalë, gati të gjithë publicistikën e botuar në ShBA në organet e shqiptarëve dhe në median e Tiranës, ku ai shpaloset me të gjithë përmasën e tij, si një pamfletist i këndshëm, krijues, por nga ana tjetër edhe si një njeri shumë i tërhequr dhe i angazhuar me problematikën e kohës ku jeton. Është interesant tek ai mënyra sesi e trajton politikën, edhe pse personalisht, s’duhet të harrojë se ja ka parë leverdinë. Prej saj shkoi në Amerikë dhe mu prej atyre që i anatemon më shumë në faqet e tij. UET press ka bërë një zgjedhje shumë të mençur dhe është për tu vlerësuar që në morinë e gjërave që boton (në fakt për një pjesë duhej të ishin pak më të kujdesshëm), ka bërë vend edhe për të.
Stili i tij pothuaj nuk ka ndryshuar shumë, përveçse është përmirësuar kurse arma më e fortë e tij, humori, gjendet si diktuese e vazhdueshme në atë që ai shkruan. Por, ajo që e veçon nga të tjerët është se në shumicën e rasteve di të kërkojë dhe të vërteta te vetja që shumë i kanë të varrosura dhe madje ua kanë fshehur edhe indikacionet më të largëta. Kullën nuk e shqetëson e shkuara. Ai e shpotit dhe pret edhe shpotinë e saj. Ai e do atë, sepse do jetën dhe punën e tij. Kemi qeshur shumë në atë kohë, thotë diku dhe shumë më tepër sesa tani. Dhe e vërteta është se humorin më të bukur ai e shikon në vendet që e kanë vuajtur më shumë diktaturën dhe shtypjen, madje edhe di të heqë shumë paralele. Është interesant ky njeri primat i humorit shqiptar dhe për mënyrën sesi shtjellon idenë e vet. Nuk e mbyt frazën, kurse paragrafin e liron, kur i lë vend shumë më tepër skenave të relaksimit. E trajton auditorin që e lexon si auditor shfaqje dhe e di mirë se kur duhet të pushojë dhe kur duhet të prehet dhe kur i duhet gjatë shkrimit pika kulmore, që ti tërheqë vëmendjen e fjetur atij.
Por, libri ka pafund dhe pjesë humori me të cilat mund të argëtohesh dhe të shikosh atë frymën e tij dhe inspirimin e tij më të madh.
“Dihet mirë tani se qendrat më të rëndësishme të formimit në Shqipëri janë Instituti i Kulturës Sportive dhe Fakulteti i Mjekësisë, Pranimi i studentëve atje sot bëhet me shoshë të hollë. Tashmë është kuptuar se studenntët nuk shkojnë atje për tu bërë trajnerë, pediatër, kardiologë, por deputetë, ministra dhe kryeministra. Pas vitesh, fatet e vendit do jenë në dorën e mundësve!-e mbaron ai diku epigramin e vet për një kapitull.
Kuptohet se më i ashpër ka qenë dhe mbetet sidomos me politikën. “Në grupimet politike të vendit mungojnë krejtësisht idealistët. Shqipëria ka nevojë për Rilindasit e radhës”.

Interesant është stili fejtonist i tij dhe mënyra sesi e torturon shpesh atë që ka si objekt. Në një rast, përshembull është një debat me Abdi Baletën, që kush e mban mënd si personazh u bë si makth për shumë intelektualë që i sulmonte thjesht duke u marrë fraza të shkëputura nga konteksti dhe pastaj i paraqiste si të donte vetë ai. Në një rast të tillë, pas një shkrimi me autorin e librit, ai i bën një përgjigje Baletës, duke e krahasuar me kohën, ku në fakt të dy kanë shërbyer me shumë devotshmëri dhe e baltos ironikisht me vetë mjetet e veta.

Interesant, sërish duket edhe në polemikën me një autor që merret me shumë të larguarit nga vendi. “Absolutisht, i ke rënë pikës!-e shpotit.
A nuk ishte Shqipëria diktaturë, ngaqë ne nuk bëmë asnjë përpjekje që ajo të mos ishte diktaturë? Absolutisht ne! Bile edhe ata që pushkatoheshin, me shtatë vrima dhe rrëke gjaku në gjoks rrëzoheshin mu përpara këmbëve të skuadrës së pushkatimit e nuk bënin asnjë përpjekje të qëndronin në këmbë! Ishte lodër e madhe kjo, o zoti gazetar!” Dhe në fund i shton në vend të merresh me shkaqet e zjarrit, qorton të përvuajturit se venë të mjekojnë plagët!…

Libri është i tillë që të grish edhe pse patosi i tij shpesh mund të mos na pëlqejë dhe të mos jemi në rrugën e tij sepse edhe ai vetë është pjesë e kësaj Shqipërie me të mirat dhe të këqijat e veta, ku edhe pse qesëndis dhe revoltohet i duhet ta shikojë pak me më shumë kujdes veten. Por, këtu çalon pak, sepse shqiptarët shikojnë vetëm të tjerët…
Anipse ky botim i UET Press mund të quhet gjithsesi si një nga botimet më të arrira dhe urojmë të këtë përcjellje të mira në treg…

Më Shumë

Po vijnë mërgimtarët

Sahit F.Osmani I kanë kaluar kufijtë e vendlindjes, rrugëve të spërdredhura, herë me agime të ndritura herë me muzgje të ngrysura. Me zemër- pasaportë të familjes duke kaluar kufijtë e...

Përurohet rruga Dragash- Brod, Kurti: Aks i rëndësishme për ekonominë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i infrastrukturës Liburn Aliu, dhe zëvendësministri Hysen Durmishi, sot, morën pjesë në përurimin e aksit rrugor Dragash- Brod. Kjo...

Lajmet e Fundit