3.1 C
Prizren
E premte, 27 Dhjetor, 2024

“Këpucët e Klatrinës”, ose mrekullia e një romani

kerpucetNga MSC. ERMELINDA KASHAHU,

(Pedagoge në Universitetin Eqrem Çabej, Gjirokastër)

(Vrojtim mbi romanin: “Këpucët e Kaltrinës”, të Petrit Palushit)

Në lumin e madh të kulturës, nga një burim tjetër i largët, për ta shtuar freskinë e për të bërë më të gjallë e më të shëndetshme letërsinë, më erdhi në dorë romani: “Këpucët e Kaltrinës”, i Petrit Palushit, njëkohësisht autor i romaneve: “Përroi i Andrrës”, “Tri motra në një qytet”, “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”, “Artemisa e mëkatit”, romane këto në vëmendje të lexuesit e kritikës letrare.

Sa herë që më duhet t’i përkushtohem diçkaje, mendoj si kemi ardhë deri tani në organizimin kolosal letrar të shtrirë në trurin e letërsisë gjigande, në trurin e këtyre shkrimtarëvë që iu lodhen gjymtyrët për të sjellë këtë mori dramash, esesh, metodash, romanesh etj. Por kjo botë letrare krahas poezisë, romanit, dramës, tregimit etj, kërkon edhe një vlerësim, një mendim kritik, studimor, estetik, të cilat plotësojnë letërsinë dhe kulturën artistike në përgjithësi. Dhe kjo është e arsyeshme. Romani është cilësor.

Sa herë që shkruaj, më shkojnë në mendje thëniet kuptimplota të Lesingut, i cili shprehet se vlera e njeriut nuk qëndron tek e vërteta që zotëron ai, por tek përpjekjet e çiltëra që bën duke kërkuar atë. Jo çdo gjë që e lexoj, e ndiej. Kuptohet që, vlerësimet janë objektive. Për të gjetur lëndën më detyron të bëj një tip tjetër leximi.Më pëlqen të punojë për njerëz apo për individë të veçantë kur shoh se janë po këta që kanë një bagazh të madh njohurish shkencore dhe, mendoni se sa shumë na i lehtësojnë edhe ne punën tonë që, është padyshim punë intelektuale e jona për t’u shkëputur nga ajo botë e disa veprave të vjetra e meskine e për të ndërtuar një botë të re. Këto mendime i kam të ngulitura në kokë pas leximit të menjëhershëm të këtyre fjalive…

“ Është Dante Aligieri, më kupton? – sikur iu vërsul Dardani dhe nisi t’ia thoshte si ngutas dy vargje prej “Komedisë hyjnore”:

Në mes të shtegtisë së kësaj jete
u gjenda në një pyll krejt errësi,
se kishe humbë unë rrugën e vërtetë.”

Romani “Këpucët e Kaltrinës” zbulon filozofinë e kësaj jete.
Në të shumtën e rasteve kjo mishërohet nga jeta e atyre njerëzve në momente të veçanta që zgjojnë dhe në jetë një interes. Veprimi është i përcaktuar mirë në kohë dhe në vend. Pavarësisht fakteve që ka në epiqendër të romanit, autori na jep karakteret e personazheve të plota. Madhështia e personazheve nuk përcaktohet nga tiparet fizike, por nga përshkrimet me tipare të plota. Autorit nuk i ka munguar mjedisi, atmosfera, sfondi, madje ka gjetur elementët për t’i dhënë fuqi rrëfimit dhe nota së resë. Thellimi më shumë në të renë e realitetit, kapja dhe trajtimi me ndjenjën e kohës, më shtyn të mendoj plotësish se, shkrimtari meriton vëmendje të plotë, të veçantë, pasi është emblema e inteligjencës dhe barometër i personalitetit në shoqëri. Jo të gjithë kanë art në të shkruar. Duhet sakrificë, mund e djersë për t’i bërë ballë çdo lloj kompleksiteti. Më pëlqen stili i të shkruarit në këtë roman, i cili nuk ngatërrohet me askënd, sepse vendosja e Kaltrinës në fokusin e kësaj vepre, është tipari dallues i personalitetit të tij.

Parasëgjithash, më duhet të pranoj se, jo vetëm tek ky roman, por në krejt prozën romanore të Palushit, personalisht nuk mund të kundërshtoj asgjë nga ana estetike. Shkrimtar kërkues, i pasionuar dhe i rafinuar në mendim, me energji lëvizëse të botës njerëzore, kërkon qëllimin e vetvetes, kërkon qelizën promotore të të gjithë veprës së tij. Mund të thuhet pa frikë se, shkrimtari i ka dhënë komunitetit njerëzor një roman të përmasave bashkëkohore.

Struktura dhe narracioni

Në parametrat strukturorë dhe narrativë romani ruan kontinuitetin e rrëfimit. Me një përkryrje funksionale ështe realist shqiptar, edhe si përvojë krijimi, edhe si vlerë letrare. Subjekti është marrë nga koha e diktaturës komuniste. Liqeni sjell një këpucë, ndërsa këpuca tjetër kërkohet gjatë gjithë kohës. Lumenj të trazuar sillnin çdo gjë. Ngjarjet e romanit shpalosen në Kukës.

Të paktën kështu e kuptojmë ne, një subjekt i cili fillon me një shi të rrëmbyeshëm dhe më kujton romanin “Lumi i vdekur”, jetë mes konflikteve, në kushtet e mjerimit ekonomik dhe të pambrojtur shoqërisht. Polarizimi i skajshëm i disa personazheve apo mungesa e lirisë së individit, shprehet në dialogjet e personazheve si shprehje e përsiatjeve të rrëfimit. Dimë fare mirë që përsiatjet janë një përpunim i përvojës njerëzore, të shfaqura në jetën e përditshme.

Ëndrra dhe frika janë pjesë e jetës së personazhit. Fijet e fabulës janë të shumta. Ato shpërndahen në krejt hapësirën shqiptare pasi përmes tre adoleshentëve, Dardanit, Etnikut dhe Valtonit, ne mësojmë fatin e popullit shqiptar në kohën e diktaturës. Kjo është rruga e përpjekjevë të rënda dhe të pafundme të këtyre personazheve, të vendosur në dilemën çka janë dhe ç’duhet të jenë.

Ngjarjet kanë njëtrajtshmëri, po herë pas here ato marrin kthesa të papritura duke rritur karakterin dramatik. Dëshira e personazheve ishte që të kishin këpucë të reja, qoftë të ndreqeshin edhe nga tapat. Kujtojmë personazhin e Dardanit i cili bëri çmos të gjente edhe këpucën tjetër për të dashurën e tij. Me afinitetin krijues, shkrimtari i mundëson përsiatjen e duhur një realiteti jetësor, i skicuar në horizont, i vështirë deri diku për nga kompleksiteti i ngjarjes.

Kjo ishte vorbulla e jetës së asaj kohe nëpërmjet fabulës ciklike. Kjo ishte filozofia e botës dhe e jetës shqiptare. Këto ishin konfliktet, interesat dhe moralet e kundërta. Por, kreativiteti autorial i shkrimtarit zbërthen shumë çështje, ku fati i personazheve më ngjan me Sizifin i cili e fillon jetën nga stërmundimet e para. E dhimbshme kur mendoj sesi një prej vajzave pranon të shesë trupin “vetëm për një palë tapa”.

Ky personazh është i plotë dhe i shumanshëm, një karakter i cili filloi të dorëzohet, një moral i lartë i cili fillon të bjerë. Edhe pse autori e tregon si një prej femrave më të forta, duket se dëshira e mposhtë arsyen. Përmendet edhe figura e Nënë Terezës. Të mos harrojmë se, në atë kohë kjo figurë nuk përmendej dhe, këtë fakt personazhet e mësuan më vonë. Erërat që fryjnë brenda shpirtit të këtyre personazheve e bëjnë autorin të jetë gjithmonë mes mëdyshjes e të besojë te ëndrra, apo në përplasje të stepeve të durimit.

Megjithatë, shtrëngimi që ndjen dhe vetë autori, nuk arrin t’a çojë kurrsesi në gjëndjen e tjetërsimit, e për këtë të vetmen meritë e ka titulli i romanit. Titulli edhe kur del si jehonë, edhe kur del si artikulim i heshtjes së dhimbshme, është ai që e shpëton shkrimtarin nga tjetërsimi. Të shikosh diskursin letrar nga aspekti i subjektit njerëzor, presupozon një shkrimtar realisht real apo një lexues konkret. Ky është Petrit Palushi. Në momentin ku gjithçka që e rrethon shkrimtarin i duket një kaos i tjetërsuar, hyn fantastikja, herë kthehemi në realitetin e zymtë, herë shkojmë në kohën e Dantes. Kjo më kujton realizmin magjik. Fabula ka rrjedhshmërinë, rregullsinë dhe harmoninë e plotë.

Për pasojë edhe kompozicioni ka thjeshtësinë, simetrinë e kompozicionit të romanit realist – klasik. Në roman ka një sërë personazhesh të gdhendur me realizëm dhe vërtetësi. Secili prej tyre shëmbëllen një tip shoqëror, botëkuptimin, psikologjinë, ndjenjat, mendësitë karakteristike dhe gjuhën e veçantë. Kujtojmë momentin kur marrin Biblën dhe e fshehin. Brilante është mbyllja e romanit. Hapja e ambasadave të huaja në Tiranë, thyen çdo kufi. Marr shkas dhe e përgëzoj autorin si romancier i fuqishëm dhe modern i ditëve të sotme, i cili karakterizon artistikisht karakterizimin e njeriut (personazhit) sipas formulës se Heidegerit, që njeri do të thotë përshtatje në këtë botë. Në aspektin tipologjik, ky roman aplikon në kohën relative, universale apo të çdo kohe.

Shkrimtari parapëlqen një strukuturë jo të ndërlikuar, formën e shkurtër, rrëfimi kombinohet në vetën e parë dhe të tretë, një simestri kompozicionale, përbërë nga disa tip “rrëfenjëzash të shkurtra”. Me dhuntitë e rralla si prozator, me punën krijuese të jashtëzakonshme, është mishërimi më i përsosur i realizmit magjik.

Në gjuhën e përditshmërisë

Duket sikur në roman ka një dramatizëm mes personazheve, por jo. Ato thjesht shfaqin formën e ndjeshjeve jetësore të ashpra. Mbishtresat simbolike janë shenjë e stilit modern, e parashenjave si vijimësi emocionesh. Fjalori është i begatë. Fraza, si e përshkrimit ashtu dhe e rrëfimit, është e shkurtër dhe shpreh shumë kumtime. Një frazë e tillë shenjon shëmbëlltyrën e jetës, krijon gjerësinë e rrëfimit dhe të përshkrimit. Shkrimtari të fut në gjuhën e përditshmërisë dhe kjo është një pasuri e madhe letrare dhe gjuhësore, një shprehje e drejtpërdrejtë e pasurisë së mendimeve, të ndjenjave që janë ndryrë në të. Koha e rrëfyer jep hapësirën dhe mjedisin ku zhvillohen ngjarjet, krijon ngjyresën historike të atyre viteve. Tani mendimi dhe morali do të jenë të shpenguar nga paragjykimet kohore, tani arti i autorit është më universal dhe human, tani shkrimtari do të besojë se jeta ka si timon lirimin nga paragjykimet, demokracinë dhe lëngun nga është ushqyer romani i tij.

Ky është utopizmi i ndjenjave, kjo është bota qiellore nga ku mund të çlirohen njerëzit.
I uroj përzemërsisht shkrimtarit, të njohë majën e ajzbergut, të ndjejë domosdoshmërinë e individualitetit krijues, të dallueshëm në perandorinë e letrave.

Të ketë si mison ngulitjen në kujtesën e lexuesit, evolucionin në shtresën përjetësuese. Është po ky që më ka mrekulluar, aq sa do bëja një krahasim me mendimin e Fransua Nurrisie, ligjërues në akademinë Gonkur në Francë. Ja si shprehet ai vite më parë gjatë kthimit nga Shqipëria: “Nga aq pak sa qëndrova në Shqipëri, mora me vete sigurinë se midis dy letërsive tona rruga mund të hapet.

Kadare, Agolli: të tjerë shkrimtarë do të ndjekin këta emra. Edhe ju mësoni të na njihni, e së shpejti muret, blloqet, përjashtimet e të gjithave llojeve nuk mund të jenë veçse kujtime të liga”.

I uroj shkrimtarit suksese! I shtrëngoj dorën vëllazërore, që duart e të dyve bashkë, të luftojnë për një jetë me buzëqeshje e bukurie dhe të kemi frymë bashkëpunimi. E kjo s’mund të bëhet nëse nuk do të kemi një përcaktim që i përgjigjet realiteteve të sotme. Ky përcaktim nënkupton një mendësi tjetër, një punë me themel, të shkallëzuar në shumë vite.

Më Shumë

Lehtësohet gjendja në pikëkalimet kufitare, pritja në kolonë deri në gjysmë ore

Kolonat e krijuara në pikat kufitare në Merdare e te Dheu i Bardhë mëngjesin e sotëm kanë filluar të lehtësohen, sipas përditësimit të fundit...

Vendoset gurthemeli i çerdhës në Bellanicë

Është vendosur gurthemeli i çerdhes së re në Bellanicë të Malishevës, ngjarje në të cilën mori pjesë kryeministri Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës,...

Lajmet e Fundit