16.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Protesta për drejtësi

Aida DergutiShkruan: Aida Dërguti

Shtetndërtimi i mirëfilltë duhet t’i ketë dy shtylla të shëndosha: demokracinë që përcakton vendimet me shumicë dhe drejtësinë që përcakton vendimet mbi të vërtetën e cila ndërtohet nga argumentet. Deri më tani kemi parë devijime të rënda në të dyja rastet, duke filluar nga manipulimet në zgjedhje e deri te imponimet e votimeve në Parlamentin e Kosovës si dhe negocime e prolongime të proceseve gjyqësore në raste të korrupsionit. Ngatërrimi i qëllimshëm i këtyre dy koncepteve, ka për qëllim manipulimin me qytetarë dhe mbajtjen e pushtetit me çdo kusht.
Thuhet se çdo njeri duhet të konsiderohet i pafajshëm derisa të dëshmohet e kundërta. Mirëpo, në rastet kur zyrtarë të zgjedhur me votën e qytetarëve akuzohen për korrupsion, përgjegjësia është e dyfishtë, edhe individuale edhe publike. Në këto raste, ofrimi i dorëheqjes si akt moral, është hap i parë dhe i domosdoshëm. Mirëpo, kjo gjë mjerisht nuk ndodh në këtë vend. Në zgjedhjet e fundit lokale, PDK rikandidoi për kryetarë të komunave disa ish kryetarë, kundër të cilëve tashmë kishin nisur proceset gjyqësore. Këto procese gjyqësore kanë të bëjnë pikërisht me korrupsionin, që është si pasojë e keqpërdorimit të pozitës së tyre zyrtare dhe besimit të dhënë nga ana e qytetarëve përmes votës.

Duke qenë se aktakuza e tyre ka të bëjë ekskluzivisht me keqpërdorimin e pushtetit, këta zyrtarë së pari nuk do të duhej të pranonin rikandidimin. Kështu do të vepronte çdo njeri i cili ka ndërgjegjen e pastër dhe është i sigurt se drejtësia është në anën e tyre. Për më keq, në rastin konkret kur edhe pas vendimit të gjykatës i cili e shpall fajtor kryetarin e Prizrenit Ramadan Mujën, me pafytyrësinë më të madhe vazhdon të qëndrojë në postin e kryetarit duke u thirrur në pafajësinë e tij, të cilën gjë e vë në dyshim vendimi i gjykatës.

Ka filluar të hiqet dilema se kujt duhet t’i besohet në këtë rast, vendimit të gjykatës për fajësi apo deklarimeve të Ramadan Mujës për pafajësi. Protestat e qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Prizrenit, kanë filluar nga e hëna. Duke e parë rrezikun nga rritja e protestës, Ramadan Muja mbrëmë mori një vendim antiligjor, duke i pezulluar aktivitetet e tij dhe njëkohësisht duke e ruajtur postin e kryetarit. Kjo është përdhosje edhe e demokracisë edhe e drejtësisë.

Protestat si ushtrim i demokracisë pjesëmarrëse dhe në përkrahje të drejtësisë, janë hapat e duhur në këtë moment. Qytetarët duhet të zëvendësojnë ndjenjën e turpit nga ata që i përfaqësojnë, përmes distancimit nga e keqja në pushtet. Ata që ia duan të mirën këtij vendi, nuk duhet t’i lejojnë të tillët as të vijnë e as të qëndrojnë më në pushtet.

(Autorja është nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)

Më Shumë

Akti 4: Të dielën përballen Ylli me Trepçën

Të dielën zhvillohet përballja e katërt finale mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Mitrovicasit po udhëheqin 2:1 në serinë finale dhe nëse fitojnë do të...

Haxhi Avdyli: “Guxo” kandidon vetë ose me LVV-në, rikthimi në LDK i pamundur

Haxhi Avdyli nga “Guxo” thotë se në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në Kosovë, kjo parti preferon një koalicion para ose edhe...

Lajmet e Fundit