Kryeministri në ikje i Serbisë, Ivica Dacic, nuk do ta ketë të mundur ta shtrojë për diskutimin temën e Zgjedhjeve Parlamentare të Kosovës, në raundin e radhës së Dialogut të Brukselit.
Këtë e tha për lajmi.net këshilltari politik i Kryeministrit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku.
Një ditë para nisjes së bisedimeve, ndonëse dy palët, ajo kosovare dhe ajo serbe, pranojnë se do të diskutohet për gjyqësorin në Veri, ekzistojnë edhe disa tema që kanë nxitur kundërthënie në mes të tyre ende pa nisur takimi.
Dacic në një deklaratë të bërë të shtunën, tha se ai së bashku me Zëvendëskryeministrin, Aleksandar Vucic, do të diskutojnë për numrin e deputetëve serbë në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Por, sipas Çollakut kjo është e pa pranueshme, pasi që, sipas tij, është absurde të diskutohet për tema të tilla që janë çështje të brendshme të Kosovës.
Ai këto deklarata të kreut shtetëror serb i ka quajtur si fushatë dhe për konsum të brendshëm.
“Absolutisht jo, sepse ne nuk diskutojmë për Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës me Serbinë, do të ishte absurditet i madh të diskutohet për çështje të tilla”.
“Deklaratat e Kryeministrit të Serbisë, janë të pa ndikim në çështjet e brendshme të Kosovës. “Ajo deklaratë është për konsum të brendshëm të Serbisë dhe asgjë më shumë”.
Çollaku tha se gjatë takimit të nesërm në Bruksel, do të diskutohet për çështjen e gjyqësorit në Veri të Kosovës. Gjithashtu, sipas Çollakut, pala kosovare do të insistojë që të përmbyllet edhe çështja e Gjykatës Themelore.
“Në takimin e radhës ne do të vazhdojmë ku e kemi lënë pas takimit paraprak, që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit për fushën e drejtësisë, pra funksionalizimin e gjykatave në Veri, kjo do të jetë tema kyçe e takimit të nesërm”.
“Ne nga ana jonë i kemi përmbyllur të gjitha çështjet që kanë qenë të hapura dhe presim që edhe pala tjetër ti përmbyllë çështjet që i konsideron të hapura dhe të përmbyllet kjo marrëveshje teknike për funksionalizimin e gjykatave në veri të vendit duke përfshirë edhe Gjykatën Themelore”.
“Përmbyllja e çështjes së funksionalizimit të drejtësisë në Veri, është çështja primare për ne, por besoj edhe për palën tjetër sepse kjo çështje tashmë është zvarritur së tepërmi dhe është koha e fundit që kjo çështje të përmbyllet. Nuk kemi kohë të mjaftueshme për tu marrë më çështje të njëjta me ato të takimeve të më hershme”.