“Marrë parasysh krizën ekonomike dhe vështirësitë, nëpër të cilat po kalon biznesi i vogël dhe i mesëm, dhe duke marrë parasysh se bizneset paguajnë tatim në qarkullim, ngarkimi edhe me taksë komunale, është lloj i haraqit me të cilin ngarkohen bizneset”, ka thënë Vesel Krasniqi, drejtor për Ekonomi, Buxhet dhe Financa në Komunën e Malishevës.
Krasniqi, këtë deklarim, e bëri sot në programin e mëngjesit në Radio “Malisheva”, duke arsyetuar heqjen e taksës komunale për bizneset e Malishevës. Ai ishte i ftuar në radio, për të debatuar për të hyrat dhe shpenzimin e buxhetit për tre mujorin e parë të vitit 2014.
Sipas të dhënave Komuna e Malishevës ka një buxhet të miratuar nga Kuvendi për vitin fiskal-2014 në shumën prej 11,615,235.66€, për të gjitha departamentet, pa të hyrat e bartura nga viti 2013,të cilat nuk janë buxhetuar deri me 31.03.2014. Sipas shënimeve që janë në librat e thesarit del se shkalla e shpenzimit të buxhetit te realizuar sipas programeve për periudhën Janar-Mars-2014 është 1,839,308.04/5,580,177.51, ose 32.96%.
Plani i realizimit të të hyrave vetanake për periudhën janar-mars 2014 nga te hyrat e rregullta, është:154,801.06€. Këto te hyra janë të futura në sistem dhe gjithashtu janë alokuar, kurse të hyrat të cilat arkëtohen nga gjobat e gjykatave për këtë periudhë nuk ka sepse ato arkëtohen dy herë në vit.
Krasniqi, po ashtu bëri të ditur se janë ulur shpenzimet e përgjithshme në mënyrë radikale, duke filluar nga mallrat dhe shërbimet, ku shpenzimi nga 35% në vitin paraprak, në këtë vit është në shkallën 12%. Sipas të dhënave në këtë tremujor, drejtori Krasniqi, përmendi disa shembuj, siç janë drekat zyrtare, ku nga 13 mijë euro, sa kanë qenë në vitin paraprak, këtë vit janë ulur në 2 mijë euro, pastaj shpenzime në karburant, nga 36 mijë sa kanë qenë janë ulur në 5 mijë, shpenzime të udhëtimit, nga 42 mijë sa kanë qenë një vit më herët, këtë vit janë ulur në 8 mijë euro, ka thënë Krasniqi, duke përmendur edhe shembuj tjerë.
“Edhe pse janë ulur shpenzimet, janë rritur aktivitetet dhe shërbimet ndaj qytetarëve, dhe kjo ulje e shpenzimeve komunale, nuk ka ndikuar në ofrimin e shërbimeve, por përkundrazi”, tha Krasniqi. Më pas drejtori, foli edhe për investimet kapitale, të cilat janë në realizim e sipër, apo që pritet të realizohen, siç janë shkollat, dhe infrastruktura në përgjithësi. “Projekti më kapital, që është duke u realizuar dhe lirisht them projekti më jetik, është ujësjellësi për fshatin Drenoc, për të cilin deri më tani, nga fondet komunale dhe donacionet tjera, janë siguruar mbi një milion euro, e që do të vazhdohet të zgjerohet ky sistem edhe për fshatrat tjerë”, tha mes tjerash Krasniqi.