Thirrjen për votë, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur ta bëj përmes logos së re të Partisë, “Tash voto – me lëvizjen”, e cila është prezantuar sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur për domosdoshmërinë e ndryshimit të situatës, tha se tash është momenti.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka thënë se qytetarët bashkohen në problemet e përbashkëta dhe zgjidhja e këtyre problemeve mund të jetë vetëm e përbashkët.
“Ku ka më mirë se të bëhemi kolektivitet për zgjedhjet që janë paraparë të mbahen më 8 qershor dhe asisoj, ta ndihmojmë, ta mundësojmë dhe ta garantojmë ndryshimin e madh e të domosdoshëm për Republikën e Kosovë, për popullin e Kosovës, me një fitore që do të jehojë në mbarë popullin shqiptar”, potencoi Albin Kurti, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka folur edhe për temat kryesore që ka Alternativa Qeverisëse e Vetëvendosjes.
“Tatimi progresiv është i vetmi tatim i drejtë, sepse do ta ndryshojë Kosovën rrënjësisht dhe nuk do të lejojë që Kosova të jetë një vend i varfër në të cilin ka individë shumë të pasur”, ka vazhduar ai.
Kurti ka folur edhe për r iindustrializimin duke thënë se do të jetë temë qendrore, e cila do të përqendrohet në prodhim që do të sjellë punësim dhe më tutje mirëqenie për të gjithë pa privilegje e pa diskriminim për asnjë qytetar të Kosovës”, ka shtuar Kurti.
Në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, u nënshkruan memorandume bashkëpunimi me Federatën e Sindikatës së Bujqve dhe me Sindikatën e Fabrikës së Amortizatorëve.
Nënshkrimin e memorandumeve e bënë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Federatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri.
Kurti ka nënshkruar memorandum po ashtu edhe me përfaqësuesin e Sindikatës së Pavarur të Fabrikës së Amortizatorëve Enver Morina.
Anëtari i Kryesisë, Visar Ymeri shpjegoi se këto sindikata do të kenë përfaqësuesit e tyre në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ideja është që sindikatat me përkrahjen e sindikalistëve ta dërgojnë një person në listën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kësisoj, ky person të jetë përfaqësues i sindikatës, përfaqësues i atyre punëtorëve që i mbulon sindikata, qoftë në listën e Lëvizjes, qoftë nesër në Kuvendin e Republikës”, ka thënë Ymeri.
Ndërkaq, përfaqësuesit e organizatave të cilët falënderuan Lëvizjen Vetëvendosje për nënshkrimin e këtyre memorandumeve, folën për gjendjen e rëndë të punëtorëve.
“Do të jemi avokatë të punëtorëve, kur e dimë se sa janë të nëpërkëmbur punëtorët dhe sa dëm i ka bërë Kosovës, procesi i privatizimit”, ka thënë përfaqësuesi i punëtorëve të Amortizatorëve, Enver Morina.
Mbledhja i vazhdoi punimet me votimin e kandidatëve dhe miratimin e listës finale të Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin e Kosovës. /